Gjykatësi shqyrton kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes ndaj kryebashkiakut Adams

Amerika

Gjykatësi shqyrton kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes ndaj kryebashkiakut Adams

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 06:11
Eric Adams

Një gjykatës tha të mërkurën se do t’i duhet kohë për të shqyrtuar një kërkesë të prokurorëve me urdhër të një të emëruari politik nga Presidenti Trump për të hequr dorë nga akuzat për korrupsion ndaj kryebashkiakut të qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams. Gjykatësi Dale Ho tha se kërkon të marrë një vendim të arsyetueshëm lidhur me një situatë disi të pazakontë.

Javën e kaluar, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë i kërkuan gjykatësit që të pushojë çështjen, por në një mënyrë që prokurorët të lejohen të rihapin atë në të ardhmen nëse e shohin të arsyeshme.

Disa zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhanë dorëheqjen në shenjë proteste lidhur me atë që ata e cilësuan si ndërhyrje politike nën administratën e presidentit republikan.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Emil Bove, i emëruar nga Presidenti Trump, argumentoi nevojën e pushimit të çështjes ndaj zotit Adams në mënyrë që ai të përqendrohet tek ndihma ndaj qeverisë amerikane për të luftuar imigracionin e paligjshëm. Zoti Bove ka qenë avokat mbrojtës i zotit Trump.

Polemika ka shkaktuar akuza politike në qytetin e Nju Jorkut. Demokratë me peshë aludojnë se pushimi i çështjes e bën demokratin Adams borxhli ndaj administratës së Presidentit Trump.

Në fillim të seancës dëgjimore të mërkurën, që zgjati 90 minuta, gjykatësi Ho tha se ishte i vetëdijshëm se kishte pak liri veprimi lidhur me kërkesën për pushimin e çështjes. Ai vuri në dukje se gjykatat kanë dalë në përfundimin se prokurorët janë në pozitat më të shëndosha për vendosur nëse një çështje duhet të vazhdojë apo jo.

Sidoqoftë, gjykatësi tha se kishte pyetje rreth asaj se si të trajtohej një çështje që, sipas tij, të gjithë pajtohen se është një situatë disi e pazakontë.

Gjatë administratës së Presidentit Joe Biden, prokurorët federalë ngritën akuza për korrupsion ndaj kryebashkiaku demokrat të qytetit të Nju Jorkut. 64-vjeçari Adams, i cili kandidon për rizgjedhje këtë vit, i ka hedhur poshtë akuzat.

Guvernatorja demokrate e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, e cila ka pushtetin për ta pushuar nga puna zotin Adams, është shprehur për shtypin se po shqyrton mundësinë e shkarkimit të tij.

Gjatë marrjes në pyetje nga gjykatësi Ho në seancën e së mërkurës, zoti Adams tha se nuk ishte i shqetësuar nëse akuzat ndaj tij do të ngriheshin përsëri sepse ai nuk kishte bërë krime.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Emil Bove, tha se rasti binte ndesh me objektivat e Presidentit Trump për sigurinë kombëtare dhe imigracionin. Ai tha se kryebashkiakut i mungonte certifikata e sigurisë çka do të thotë se ai nuk mund të marrë pjesë në diskutimet e plota me autoritetet federale. Zoti Bove tha se Departamenti i Drejtësisë gëzon autoritet të gjerë për të vendosur nëse një çështje përbën interes publik./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat