Trump përsërit kritikat ndaj Zelenskyt, thotë se ai do të mund të merrte pjesë në takimin në Riad

Amerika

Trump përsërit kritikat ndaj Zelenskyt, thotë se ai do të mund të merrte pjesë në takimin në Riad

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 08:20
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka ashpërsuar kritikën ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai ka bërë punë të tmerrshme dhe që ai do të mund të merrte pjesë në bisedimet që janë zhvilluar këtë javë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në Arabinë Saudite, nëse do të dëshironte.

Trump i ka bërë këto komente në një takim në Majami, me shefa biznesorë të fondit sovran pasuror të Arabisë Saudite, pas komenteve tjera të ashpra ndaj Zelenskyt.

Trump ka shkruar në platformën e tij Truth Social se Zelensky është “diktator pa zgjedhje” dhe ka paralajmëruar që ai “më mirë e ka të veprojë shpejt, apo do të mbetet pa shtet”.

Në fjalimin e tij në Majami, ai ka vlerësuar që Zelensky është duke keqpërdorur ndihmën amerikane të ndarë për luftë, dhe që e ka shfrytëzuar administratën e ish-presidentit amerikan, Joe Biden.

Këto komente duket se janë kundërpërgjigje ndaj kritikës së Zelenskyt se Trump “jeton në hapësirën e tij të dezinformatave” të nxitur nga Moska.

“Ne i kemi parë këto dezinfirmata”, ka thënë Zelensky më 19 shkurt. “Ne e kuptojmë se kjo vjen nga Rusia”.

Zelensky i ka bërë këto komente pasi Trump e ka fajësuar atë për luftën e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se është i “zhgënjyer” që Zelensky është ankuar pse nuk është ftuar në bisedimet e zhvilluara mes SHBA-së dhe Rusisë për dhënie fund të luftës.

Zelensky i ka përsëritur shqetësimet e tij për bisedimet e zhvilluara në Arabinë Saudite për dhënie fund të luftës së nisur pothuajse tre vjet më parë.

Ai ka thënë se bisedimet e nivelit të lartë mes SHBA-së dhe Rusisë në Riad, kanë pasur qëllim “nxjerrjen e [presidentit rus, Vladimir] Putin prej izolimit” dhe që krejt kjo mund të rezultojë me ndryshime të dinamikave gjeopolitike, që do të ndikojnë në sigurinë e Ukrainës.

“Shtetet e Bashkuara i kanë ndihmuar Putinit të dalë prej izolimit… Putin dhe rusët janë shumë të lumtur për këtë”, ka thënë Zelensky.

Zelensky ka thënë se Ukraina nuk është ftuar në takimet në Riad.

Mirëpo Trump u ka thënë gazetarëve më 19 shkurt se rusët “kanë marrë shumë territor dhe i kanë kartat në duar” në negociatat për dhënie fund të luftës.

Trump, i cili ka çuar përpara nismën për takimin në Riad, në kuadër të përpjekjeve për dhënie fund të luftës, ka qenë kritik edhe për mosmbajtje të zgjedhjeve në Ukrainë.

Ukraina nuk ka mundur t’i mbajë zgjedhjet për shkak se është në gjendje lufte, e cila është shpallur kur Rusia ka nisur luftën në shkurt të vitit 2022.

Mandati pesëvjeçar i Zelenskyt do të duhej të përfundonte në maj të vitit 2024, ndërsa Putin ka thënë se nuk do të negocionte me presidentin ukrainas, sepse ai nuk ka autoritet për të nënshkruar marrëveshje për paqe.

Disa anëtarë të Kongresit amerikan kanë thënë se komentet e Trumpit kanë qenë të rënda për mijëra ukrainas që kanë vdekur në luftë.

Senatori demokrat, Richard Blumenthal, ka thënë se Trump “e ka flakur tutje të vërtetën dhe sakrificën e burrave dhe grave të guximshme që po luftojnë për lirinë e tyre dhe tonën. Lufta e tyre është lufta jonë dhe dorëzimi i presidentit është patetik dhe i dobët”.

Senatori tjetër demokrat, Chris Coons, ka thënë se republikanët tjerë në Senat e dinë që Putini nuk është partneri ynë.

Ai ka thënë se Trump rrezikon të bëhet “humbësi më i madh i shekullit 21, nëse nuk i kërkon Putinit t’i japë fund luftës, duke e kërcënuar me sanksione apo me dërgim të më shumë armëve në Ukrainë”.

Komentet e Trumpit janë kritikuar edhe nga liderë evropianë, përfshirë kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Scholz e ka quajtur akuzën ndaj Zelenskyt si diktator, si të “gabuar dhe të rrezikshme”, ndërsa Baerbock ka thënë se njerëzit në Evropë që jetojnë “në kushte diktature” janë në Rusi dhe Bjellorusi.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka paralajmëruar më 19 shkurt se kritikat e Zelenskyt ndaj Trumpit do t’i nxjerrin telashe.

“Zelensky mendon se do t’i ndryshojë mendjen presidentit duke folur keq për të publikisht, por të gjithë e dinë që presidenti do t’i tregojë se kjo është mënyrë mizore për t’u përballur me këtë administratë”, ka thënë Vance./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat