Deklaratat e Presidentit Trump mbi Ukrainën nxisin reagime të përziera tek ligjvënësit amerikanë

Amerika

Deklaratat e Presidentit Trump mbi Ukrainën nxisin reagime të përziera tek ligjvënësit amerikanë

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 19:47
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump

Deklaratat e bëra gjatë kësaj jave nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, se Ukraina ishte përgjegjëse për nisjen e konfliktit tre -vjeçar me Ukrainën si edhe cilësimi prej tij i Presidentit Volodymyr Zelenskyy si “"diktator i pazgjedhur", nxitën kritika në radhët e ligjvënësve demokratë dhe reagime kundërshtuese nga disa ligjvënës të Partisë Republikane.

“Është e qartë se Vladimir Putini është përgjegjës për këtë luftë”, u tha gazetarëve senatori republikan, Thom Tillis. “Vendimi i tij çoi në vrasjen, përdhunimin, torturimin dhe rrëmbinin e një numri të pallogaritshëm ukrainasish. Ai është përgjegjës për këtë luftë. Nuk e di si mund të thuhet më qartë", u shpreh ai.

Senatori republikan John Kennedy u tha gazetarëve se beson se luftën e filloi Rusia.

"Besoj, nga përvoja e hidhur, se Vladimir Putini është një kriminel. Ai është një kriminel me zemër të zezë", shtoi ai.

Por udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune nuk pranoi të kritikonte Presidentit Trump, kur foli për gazetarët, të mërkurën.

"Presidenti flet vetë", u shpreh zoti Thune. "Ajo që unë dua të shoh është një zgjidhje që sjell paqe. Dhe mendoj se tani për tani, po zhvillohen negociata dhe le të shohim se ku do të na çojnë bisedimet përfundimisht", shtoi ai.

Senatori republikan Josh Hawley tha se Presidenti Trump “ka fajësuar po ashtu edhe Rusinë dhe ka kërcënuar se do të vendosë sanksione ndaj Moskës nëse nuk ulen tryezën e bisedimeve”.

Përplasja mes Presidentëve Trump dhe Zelenskyy ndodh ndërsa i dërguari amerikan Keith Kellogg mbërriti të mërkurën në Kiev për t’u takuar me presidentin ukrainas.

Ukraina nuk u përfshi në bisedimet për paqe, që nisën këtë javë në Riad të Arabisë Saudite, mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Presidenti Trump hodhi poshtë kritikat e Ukrainës për mospërfshirjen në negociata, duke u shprehur të martën se: "Nuk duhet ta kishit nisur kurrë atë (luftën)".

Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në 24 shkurt 2022, me pretendimin se pjesët lindore të saj duhet të çliroheshin. Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë deklaruar se në luftë kanë vdekur gjysmë milioni civilë ukrainas dhe së paku 124 mijë ushtarë.

Pas deklaratave të zotit Trump, që dukej se fajësonin udhëheqësin ukrainas për nisjen e luftës, Presidenti Zelenskyy u përgjigj në rrjetet sociale duket deklaruar se Presidenti Trump po jeton në një "hapësirë dezinformimi" të ndikuar nga Rusia.

Zoti Trump iu përgjigj zotit Zelenskyy, në një postim në mediat sociale, të mërkurën duke e cilësuar atë "një komedian me sukses modest", i cili "arriti të bindte Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të shpenzonin 350 miliardë dollarë, për të hyrë në një luftë që nuk mund të fitohej, që nuk duhej të kishte filluar kurrë, por një luftë që ai (Zelenskyy), pa SHBA dhe "TRUMP", nuk do të mund ta zgjidhte kurrë. Një diktator i pazgjedhur që më mirë të veprojë me shpejtësi, ndryshe nuk do t’i mbetet më shtet”.

Senatori republikan Josh Hawley tha të mërkurën për gazetarët se mbështeste thirrjet e Presidentit Donald Trump për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë.

"Pezullimi i zgjedhjeve në Ukrainë është një ide e keqe", tha zoti Hawley. "Zelenskyy duhet të mbajë zgjedhje. Ai është udhëheqësi i zgjedhur i vendit. Presidenti ynë ka të drejtë - ata nuk kanë zhvilluar zgjedhje prej një kohe të gjatë dhe në thelb janë nën ligjin ushtarak. Nuk është diçka e mirë kur pretendon se mbron demokracinë. Duhet ta zbatosh atë", tha senatori Hawley.

Por demokratët thanë se komentet e Trump rrezikojnë rolin e Shteteve të Bashkuara në skenën botërore.

Senatori Dick Durbin tha se ishte “tronditëse, fyese, që presidenti bën gjëra të tilla dhe thotë gjëra që janë qartësisht të pavërteta”.

Senatorja demokrate Elissa Slotkin tha të mërkurën se "pikërisht kësaj i druheshim, ai nuk arrin të kuptojë se çfarë po ndodh dhe bën përgjegjës udhëheqësin e një vendi që është sulmuar nga një regjim autokratik, një vendi demokratik që është pushtuar”…“Sido që të tentohet zgjidhja, apo negocimi.. Ai e bëri të qartë qëndrimin e tij”, tha ajo.

*Korrespodentja e Zërit të Ameriksë Kateryna Lisunova ndihmoi në shkrimin e këtij lajmi

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat