​Djali më i ri i Trump: Nuk ka armë më për Ukrainën

Amerika

​Djali më i ri i Trump: Nuk ka armë më për Ukrainën

Më: 21 shkurt 2025 Në ora: 16:43
Donald Trump me familje

Barron Trump, djali më i ri i presidentit Donald Trump, ka thënë se administrata amerikane tashmë ka marrë vendim për të ndaluar dërgimin e armëve në Ukrainë.

Ai në një postim në X ka thënë se vendimi është përfundimtar dhe nuk mund të ndryshohet.

“Dorëzimi i armëve në Ukrainë është ndalur. Sipas informacioneve të mia, armët që supozohej të shiteshin nuk po dërgohen më dhe kompanitë përgjegjëse për transferimet tani janë në pritje. Shumë në Ukrainë janë ende në pritje të një vendimi nga presidenti Trump, por e vërteta është se vendimi tashmë është marrë - dhe ai nuk mund të ndryshohet”, ka shkruar ai.

Barron Trump thotë se “pasiguria tani qëndron në mënyrën se si Ukraina do t'i rezistojë Rusisë dhe cilat do të jenë pasojat më të gjera të këtij vendimi.”

Gjatë ditës së djeshme në Kiev kishte informacione kontradiktore për ndërprerjen e dërgimit të armëve amerikane në Ukrainë.

Roman Kostenko, kreu i Komitetit të mbrojtjes të parlamentit ukrainas, tha në X, se Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar shitjen e armëve në Ukrainë.

"Sipas informacioneve të mia, dorëzimi i armëve që supozohej të shiteshin është ndalur. Kompanitë që duhej të transferonin këto armë tani janë në pritje, sepse nuk ka vendim. Për momentin nuk dihen arsyet e këtij vendimi. Të gjithë presin të shohin nëse do të merret një vendim”, tha ai.

Por, Oleksandra Ustinova, një kolege ligjvënëse dhe këshilltare e ministrit të mbrojtjes të Ukrainës, më vonë hodhi poshtë pretendimet.

“Shtetet e Bashkuara nuk e ndaluan shitjen e armëve në Ukrainë”, tha Ustinova në Facebook.

Dërgesat amerikane të armëve janë thelbësore për Ukrainën, pasi ato mundësojnë blerjen e sistemeve të avancuara si sistemet raketore HIMARS, sistemet kundërajrore dhe avionët luftarakë, të cilët rrisin ndjeshëm aftësitë e saj mbrojtëse.

Sipas agjencive të huaja, Shtetet e Bashkuara kanë furnizuar Ukrainën me armë me vlerë rreth 175 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian i ka ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake me vlerë rreth 48.5 miliardë euro që nga shkurti i vitit 2022. Kjo ndihmë përfshin forma të ndryshme mbështetjeje, duke përfshirë grante, kredi dhe dërgesa direkte të armëve. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat