Witkoff: SHBA pret që armëpushimi Izrael-Hamas të vazhdojë

Amerika

Witkoff: SHBA pret që armëpushimi Izrael-Hamas të vazhdojë

Më: 23 shkurt 2025 Në ora: 18:22
Steve Witkoff

I dërguari i Presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara presin që faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas të zbatohet dhe njoftoi se do të vizitojë Lindjen e Mesme javën e ardhshme.

Zoti Witkoff i bëri komentet në një intervistë për televizionin CNN pasi u pyet për vendimin e Izraelit për të shtyrë lirimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë dhe se çfarë ndikimi parashikonte që të kishin zhvilimet në rajon tek armëpushimi.

“Duhet të kemi një zgjatje të fazës së parë," tha zoti Witkoff. "Unë do të shkoj në rajon këtë javë, ndoshta të mërkurën, për të negociuar një gjë të tillë."

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se Izraeli nuk do t’i dorëzonte 620 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë "derisa të sigurohej lirimi i pengjeve të radhës dhe një gjë e tillë të bëhej pa ceremoni poshtëruese".

Hamasi dorëzoi gjashtë pengje nga Gaza të shtunën. Disa pengje izraelite dhe të burgosur e të paraburgosur palestinezë janë liruar si pjesë e një armëpushimi trefazor në Gazë që hyri në fuqi pak para se zoti Trump të merrte detyrën më 20 janar.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut i ka përshkruar si shqetësuese pamjet e pengjeve izraelitë dhe të të burgosurve palestinezë të liruar, të cilët ishin tej mase të dobësuar, duke thënë se ato pasqyrojnë kushtet e rënda në të cilat ata mbaheshin.

Zyrtarët palestinezë kanë përmendur lidhjen e syve dhe të duarve të të burgosurve palestinezë dhe paralajmërimet kundër festimeve për lirimin e tyre si shembuj të poshtërimit të tyre nga autoritetet izraelite.

Izraeli përmend si prova të poshtërimit të pengjeve faktin që Hamasi i detyron ata të dalin para turmave dhe ndonjëherë të flasin para se t'i kthehen Izraelit, si edhe faktin që arkivolet me eshtra pengjesh qarkullohen mes turmave.

Zoti Witkoff i tha CNN-it se zoti Netanyahu kishte "synime të mira" dhe se Hamasi nuk mund të vazhdojë të qeverisë Gazën.

Sulmi ushtarak i Izraelit në Gazë, ka shkakuar vdekjen e më shumë se 48,000 palestinezëve që nga tetori i vitit 2023, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi dhe nuk dallon mes luftëtarëve dhe civilëve, si edhe ka sjellë si rezultat akuza për gjenocid dhe krime lufte që Izraeli i mohon.

Sulmi zhvendosi pothuajse të gjithë popullsinë e Gazës dhe shkaktoi një krizë urie.

Gjakderdhja e fundit në konfliktin izraelito-palestinez dhjetëvjeçar filloi pasi 7 tetorit 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë rreth 250 pengje, sipas njoftimeve izraelite.

Vetë zoti Trump ka ngjallur reagim ndërkombëtar lidhur propozimin e tij për të marrë kontrollin e Gazës dhe për të zhvendosur përgjithmonë palestinezët e enklavës. Ekspertët e të drejtave dhe Kombet e Bashkuara e kanë quajtur atë një propozim për spastrim etnik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat