Shtohet trysnia ligjore dhe politike ndaj kryebashkiakut të Nju Jorkut

Amerika

Shtohet trysnia ligjore dhe politike ndaj kryebashkiakut të Nju Jorkut

Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 17:12
Kryetari i bashkisë së qytetit Nju Jork, Eric Adams

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams përballet me trysni në rritje ligjore dhe politike për shkak të akuzave për marrje ryshfeti dhe shkelje të rregullave për financimin e fushatave zgjedhore. Njofton nga qyteti i Nju Jorkut korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aron Ranen.

Gjyqi ndaj kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, ishte caktuar fillimisht të mbahej në muajin prill, por u shty pasi Departamenti i Drejtësisë i administratës së re të Presidentit Trump kërkoi pushimin e çështjes.

“Gjykatësi Dale Ho hoqi nga kalendari i gjykatës datën e caktuar për gjyqin, por nuk e pushoi çështjen, të paktën ende jo. Ai caktoi një ekspert ligjor, që do t’i kundërvihet pozicionit të Departamentit të Drejtësisë për pushimin e çështjes”, thotë Neama Rahmani, ish-prokuror federal.

Ai thotë se kjo lëvizje ligjore përdoret rrallë në proceset federale dhe për rrjedhojë vendimi i gjykatësit është i pazakontë.

“Nuk është e paprecedent, por nuk është e zakonshme. Kur palët duan rrëzimin e një çështjeje... ajo pothuajse gjithnjë rrëzohet. Çështja është se cila ishte arsyeja për pushimin e çështjes dhe a është e përshtatshme? Kjo është ajo çfarë do të shqyrtohet tashmë me përfshirjen e ekspertit Clement”, thotë zoti Rahmani.

Disa ekspertë thonë se akuzat u rrëzuan në mënyrë të padrejtë në kuadrin e një marrëveshjeje që kryebashkiaku Adams arriti me administratën e Presidentit Trump për deportimin e emigrantëve nga Nju Jorku.

“Propozimi i Trump-it, i ardhur nga zyra qendrore në Uashington ishte që të pezulloheshin akuzat ndaj kryebashkiakut Adams, në mënyrë që ta kenë nën kontroll për çështjet që lidhen me axhendën e presidentit, në veçanti emigracionin. Pra, ky ishte një veprim i qëllimshëm në mënyrë që (Presidenti) Trump të vazhdojë ta ketë nën kontroll kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut”, thotë Ester Fuchs, profesore e shkencave politike në Universitetin e Kolumbias.

Mbështetësit e kryebashkiakut Adams këmbëngulin se ai nuk ka bërë ndonjë shkelje.

“Nuk ka asnjë evidencë se ai mund të ketë bërë diçka të gabuar me Trump-in... Presidenti Trump e tha këtë, drejtuesi i tij për emigracionin e tha këtë. Këto vijnë nga kundërshtarë që nuk votuan ndonjëherë për të, që nuk e duan në detyrë”, thotë peshkopi Gerald Seabrooks, mbështetës i kryebashkiakut.

Edhe Presidenti Donald Trump i ka dalë në mbrojtje zotit Adams.

“M’u duk se ishte shumë politike”, tha Presidenti Trump.

Ndërkohë, guvernatorja e shtetit Nju Jork, Kathy Hochul, ka përjashtuar mundësinë e shkarkimit të kryebashkiakut Adams. Në vend të kësaj ajo vendosi për më shumë mbikëqyrje të administratës së tij.

“Vendosa të mos filloj në këtë kohë procedurat për shkarkimin. Mbaj me forcë qëndrimin se vullneti i votuesve dhe paprekshmëria e zgjedhjeve demokratike e përjashtojnë bërjen e veprimeve të tjera. Nuk ia mohoj dot popullit të këtij qyteti të mrekullueshëm fuqinë për ta marrë këtë vendim vetë”, tha guvernatorja.

Me vonesat ligjore, mbikëqyrjen nga strukturat e shtetit të Nju Jorkut dhe me vëmendjen e shtuar, e ardhmja politike e zotit Adams mbetet e paqartë./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat