Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se Shtetet e Bashkuara janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për mineralet me Ukrainën. Komentet Presidenti Trump i bëri ndërsa priti në Shtëpinë e Bardhë Presidentin francez Emmanuel Macron për bisedime që u përqëndruan tek perspektiva për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë mes dallimesh të forta rreth mënyrës se si duhet të shkohet tek ky objektiv.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Presidenti Trump tha se marrëveshja ishte "shumë pranë". Ai tha se mund të takohet me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy më vonë gjatë kësaj jave ose javën e ardhshme për ta nënshkruar atë.
"Ai mund të vijë këtë javë ose javën e ardhshme për të nënshkruar marrëveshjen, një gjë e mirë kjo" tha Presidentit Trump duke iu referuar zotit Zelenskiy. Ai shtoi se do të takohej gjithashtu me Presidentin rus Vladimir Putin në një moment të caktuar.
Zoti Macron tha se Evropa ishte e përgatitur për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën, përfshirë trupa paqeruajtëse, në rast të një armëpushimi.
Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë e dërgimit të trupave paqeruajtëse evropiane dhe tha se ai e kishte ngritur këtë çështje edhe me zotin Putin dhe ky i fundit kishte rënë dakord ta pranonte atë.
I pyetur nëse Ukraina duhet të jetë e gatshme t'i lëshojë territor Rusisë si pjesë e një marrëveshje të negociuar për t’i dhënë fund luftës, Presidenti Trump tha se: "do ta shohim" duke vënë në dukje se bisedimet sapo kishin filluar.
Presidenti Macron është udhëheqësi i parë evropian që vjen për vizitë në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me Presidentin Trump që nga marrja e detyrës një muaj më parë.
Ai ishte në Shtëpinë e Bardhë për një seancë në mëngjes me udhëheqësit e tjerë të Grupit të Shtatëshes, ku u diskutua mbi Ukrainën. Video-konferenca zgjati 1 orë e 45 minuta.
Të enjten në Uashington do të vijë edhe Kryeministri britanik Keir Starmer, vizitë që vjen mes shqetësimesh në Evropë mbi qëndrimin e ashpër të Presidentit Trump ndaj Ukrainës.
Zoti Macron dhe zoti Starmer do të përpiqen të bindin Presidentin Trump të mos nxitojë për një marrëveshje armëpushimi me çdo kusht me Presidentin rus Vladimir Putin, si edhe ta mbajë Evropën të përfshirë bisedime si dhe të diskutojë mbi garancitë ushtarake për Ukrainën.
Presidenti Trump dhe ekipi i tij po negociojnë një marrëveshje për ndarjen e të ardhurave nga mineralet me Ukrainën për të rikuperuar disa nga paratë që administrata e mëparshme Biden i ka dërguar Kievit në formën e ndihmës në armtime me synimin për të zmbrapsur Rusinë.
Javën e kaluar zoti Zelenskiy hodhi poshtë kërkesat e SHBA-ve për 500 miliardë dollarë në pasuri minerale nga Ukraina për të shlyer Uashingtonin për ndihmën e dhënë gjatë kohës së luftës. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk i kishin dhënë Kievit shumë më pak deri më tani dhe se marrëveshja nuk ofronte garanci specifike sigurie për Ukrainën.
Zoti Macron po përpiqet të përfitojë nga marrëdhënia që ka ndërtuar me Preisdentin Trump gjatë mandatit të parë presidencial të tij.
Ai ka thënë se pajtimi me një marrëveshje të keqe do të përbënte një kapitullim të Ukrainës dhe do të sinjalizonte dobësi tek armiqtë e Shteteve të Bashkuara, përfshirë Kinën dhe Iranin./VOA