Hegseth: Gjenerali CQ Brown nuk ishte njeriu i duhur për momentin

Amerika

Hegseth: Gjenerali CQ Brown nuk ishte njeriu i duhur për momentin

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 15:04
Foto ilustrim

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dha shpjegime gjatë fundjavës për largimin e Shefit të Shefave të Bashkuar të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin CQ Brown. Presidenti Donald Trump shkarkoi ushtarakun më të lartë të vendit, ditën e premte, përmes një njoftimi në median e tij sociale. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb jep më shumë hollësi.

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha se, përkundër shqetësimeve, shkarkimi i ushtarakut më të lartë amerikan, Shefit të Shefave të Bashkuar të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralit CQ Brown, nga Presidenti Trump, nuk përbën politizim të ushtrisë.

"Është pasqyrim i dëshirës së presidentit për të patur njerëzit e duhur rreth tij për të zbatuar përqasjen e tij të sigurisë kombëtare. Kam shumë respekt për (gjeneralin) CQ Brown. Kam patur mundësi ta njoh përgjatë një muaji. Është një njeri i nderuar, por nuk është njeriu i duhur për momentin", tha zoti Hegseth.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Presidenti Trump u zotua të zhdukte nga ushtria ideologjitë liberale, ose progresive, të ashtuquajtura “woke”, dhe se do të shkarkonte me shpejtësi shumë drejtues të lartë, një objekiv që e kishte bërë publik edhe zoti Hegseth përpara se sa të emërohej për postin e Sekretarit të Mbrojtjes.

“Pikë së pari duhet të shkarkojmë kreun e Shtabit të Përgjithshëm”.

Në vitin 2022 kur zoti Brown ishte Shef i Shtabit të Forcave Ajrore, ai dhe homologët e tij civilë, gjatë administratës së Presidentit Biden, lëshuan një udhëzim sipas së cilit, kërkohej që punësimi i oficerëve të Forcave Ajrore të kryhej duke patur si objektiv përkatësinë racore dhe gjinore, në një përpjekje për të bërë të mundur, që forcat ushtarake “të ishin më përfaqësuese” për Shtetet e Bashkuara, siç thuhej në udhëzim.

Louis Caldera shërbeu si Sekretar i Ushtrisë gjatë adminsitratës së Presidentit Obama.

“Ndëshkimi i drejtuesve të lartë ushtarakë sepse ishin emëruar nga administrata e mëparshme, ose sepse zbatuan politikat e asaj administrate, njësoj siç pritej që të zbatonin edhe politikat e kësaj administrate, është thjesht gabim”, thotë zoti Caldera.

Përveç shkarkimit të gjeneralit Brown, Sekretari Hegseth largoi nga detyra Shefen e Operacioneve Detare, Admiralen Lisa Franchetti, Zv/shefin e Shtabit të Forcave Ajrore, gjeneralin Jim Slife dhe këshilltarin kryesor ligjor ushtarak, roli i të cilit ishte të mbronte ushtrinë dhe oficerët e saj në betejat ligjore.

“Është qartësisht e kuptueshme që ata kanë shkarkuar afro-amerikanin e parë dhe gruan e parë që kanë shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm”, thekson zoti Caldera.

Zoti Hegseth e ka kthyer në përparësi aftësinë luftarake të forcave ushtarake, duke thënë se forca e ushtrisë nuk qëndron tek diversiteti, por tek bashkimi i saj.

“Forca jonë qëndron tek qëllimi i përbashkët, pavarësisht nga vijmë dhe se si jemi rritur, pavarësisht gjinisë, apo racës”, tha zoti Hegseth.

Të martën Sekretari Hegseth do të inspektojë nga afër objektet ushtarake amerikane ku po mbahen emigrantët pa dokumente në Gjirin e Guantanamos, në Kubë. Aktualisht atje ndodhen 17 emigrantë. Dhjetëra të tjerë që ishin aty më parë, janë deportuar tashmë nga administrata e Presidentit Trump në vendet e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat