Gjykatësi vendos kundër agjencisë “Associated Press” në përballjen me Shtëpinë e Bardhë

Amerika

Gjykatësi vendos kundër agjencisë “Associated Press” në përballjen me Shtëpinë e Bardhë

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 16:30
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump shikon një hartë që tregon Gjirin e Amerikës, i cili paraprakisht u quajt Gjiri i Meksikës, në Zyren Ovale të Shtëpisë së Bardhë më 13 shkurt, 2025

UASHINGTON – Një gjykatës federal të hënën hodhi poshtë kërkesën e agjencisë së lajmeve “Associated Press”, që gazetarëve të saj t’u lejohet menjëherë qasja e plotë, pasi Shtëpia e Bardhë i ndaloi ata për shkak të vazhdimit të përdorimit të emërtimit gjeografik ‘Gjiri i Meksikës’ në vend të ‘Gjiri i Amerikës’.

Gjykatësi i Qarkut Trevor McFadden, i emëruar nga zoti Trump, refuzoi kërkesën e agjencisë ‘AP’ për një vendim të përkohshëm për t’i lejuar gazetarët e saj në Zyrën Ovale, në avionin presidencial ‘Air Force One’, kur udhëton presidenti, si dhe në aktivitete të tjera që mbahen në Shtëpinë e Bardhë.

Gjykatësi McFadden tha se kufizimi i qasjes së gazetarëve në “mjedise të caktuara, më private” që shfrytëzohen nga president, është i ndryshëm nga rastet e tjera në të cilat gjykatat kanë kundërshtuar përpjekjet e zyrtarëve qeveritarë për t’u mohuar qasjen gazetarëve.

“Nuk mund të them që AP-ja ishte e suksesshme në argumentimin e ankesës së saj”, tha gjykatësi McFadden gjatë seancës dëgjimore.

Gjykatësi caktoi një afat të përshpejtuar për një vendim përfundimtar lidhur me këtë rast. Zoti McFadden tha se duket që Shtëpia e Bardhë e diskriminoi agjencinë ‘AP’ për shkak të politikave të saj redaktuese.

“Kjo duket si një çështje më problematike”, tha gjykatësi.

Pas vendimit, Shtëpia e Bardhë tha përmes një kumtese se “t’i bësh pyetje Presidentit të Shteteve të Bashkuara në Zyrën Ovale dhe në ‘Air Force One’ është një privilegj që u jepet gazetarëve, jo një e drejtë ligjore”.

Një zëdhënës i AP-së tha se agjencia e lajmeve “do të vazhdojë të mbrojë të drejtën e shtypit dhe të publikut për t’u shprehur lirshëm pa hakmarrjen e qeverisë”.

AP-ja ngriti padi ndaj tre këshilltarëve të Presidentit Trump të premten, duke argumentuar se vendimi për të bllokuar qasjen e gazetarëve të saj nga disa vende të caktuara, shkel mbrojtjen që ofron Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ndaj kufizimit të fjalës nga qeveria përmes përpjekjeve të saj për të diktuar gjuhën që gazetarët përdorin për të raportuar rreth lajmeve.

“Kushtetuta ndalon presidentin e Shteteve të Bashkuara, apo çdo zyrtar tjetër qeveritar, që të detyrojnë gazetarët, ose këdo tjetër, për të përdorur fjalorin zyrtar qeveritar për lajmet që raportojnë”, tha avokati i AP-së, Charles Tobin, gjatë seancës dëgjimore në gjykatë.

Avokatët e administratës së Presidentit Trump argumentuan se agjencia ‘AP’ nuk ka të drejtë kushtetuese për atë që ata e cilësojnë si “qasje të posaçme të mediave tek presidenti”.

“Kushtetuta nuk u jep atyre të drejtë të kenë qasje pa kufi”, deklaroi Brian Hudak, avokat i Departamentit të Drejtësisë, që mbron zyrtarët e Presidentit Trump në këtë proces gjyqësor.

Aktpadia është bërë ndaj tre zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë: shefes së kabinetit, Susan Wiles, zëvendës shefit të kabinetit Taylor Budowich dhe zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Zëdhënësja Leavitt tha javën e kaluar se “ndihemi që kemi të drejtë”, ndërkohë që Wiles dhe Budowich nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.

Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv muajin e kaluar përmes të cilit udhëzoi Departamentin për Çështje të Brendshme ta ndryshojë emrin e Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës.

Agjencia “Associated Press” njoftoi në janar se do të vazhdojë të përdorë emrin me të cilin është njohur prej kohësh Gjiri në raportimin e vet, ndërkohë që do t’i referohet përpjekjeve të zotit Trump për ta ndryshuar atë.

Si reagim ndaj kësaj, Shtëpia e Bardhë u ndaloi qasjen gazetarëve të AP-së. Ndalesa i pengon gazetarët e saj për ta parë dhe dëgjuar Presidentin Trump dhe zyrtarët e tjerë të lartë të Shtëpisë së Bardhë gjatë veprimeve që ata bëjnë dhe që meritojnë të raportohen, apo për t’u mbuluar në kohë reale zhvillimet.

Përmes një shkrese që i është bashkëngjitur dosjes ligjore, Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë përkrahu AP-në duke thënë se ndalimi “do të zbehë dhe shtrembërojë mbulimin e presidentit duke dëmtuar publikun”. Agjencia e lajmeve Reuters po ashtu lëshoi një deklaratë me të cilën mbështet ‘AP’./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat