Ligjvënësit amerikanë janë një hap pranë miratimit të buxhetit para 14 marsit, afati kur skadon buxheti aktual, por Kongresi duket se ka ende probleme serioze për të zgjidhur.
Debatet lidhen me zgjatjen, ose jo të ligjit të miratuar në vitin 2017 për shkurtimin e taksave, i cili skadon këtë vit, si dhe me uljen e shpenzimeve qeveritare, pa prekur programe jetike për amerikanët.
Presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje ligjvënësve të miratojnë një projektligj të vetëm për buxhetin, që do të përmbante elementët kryesorë të politikës së tij të brendshme.
Pavarësisht se Presidenti Trump shprehu preferencën e tij për versionin e Dhomës së Përfaqësuesve mbi buxhetin, Senati miratoi një variant të vetin të premten, që siguron 150 miliardë dollarë financime për ushtrinë dhe 175 miliardë për sigurinë kufitare. Varianti i Senatit shmang shkurtimet e debatueshme në programin e sigurimit shëndetësor për familjet me të ardhura të ulta ‘Medicaid’ që parashikohen në versionin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Udhëheqësit e Senatit kanë propozuar që shkurtimet e taksave të miratohen me një projektligj të veçantë, më vonë gjatë këtij viti.
“Republikanët kanë bërë përparim për të siguruar financimin e përpjekjeve të vazhdueshme për të dëbuar imigrantët që kanë kryer vepra penale, për të ofruar burimet e nevojshme për sigurinë kufitare, si dhe për të shkurajuar imigracionin e paligjshëm dhe rivendosur respektin ndaj sundimit të ligjit”, tha të hënën udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune.
Por udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer tha se miratimi i këtij varianti, ishte vetëm hapi i parë për të ndihmuar të pasurit e vendit, duke u ulur atyre taksat.
“Çfarë po bëjnë republikanët? Ata po shpenzojnë kohë të çmuar duke u përpjekur të plotësojnë dëshirat e njerëzve absolutisht më të pasur të Amerikës, në vend që të punojnë për të shmangur prekjen, që do të ishte katastrofike, të shërbimeve që ndihmojnë me dhjetëra miliona familje të klasës së mesme amerikane", siç tha ai të hënën.
Senati miratoi versionin e tij të buxhetit për shkak të pasigurive mbi suksesin e variantit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Të dy versionet do të duhet të shkrihen në një për t'u nënshkruar në ligj.
So pritet që Dhoma e Përfaqësuesve të mbajë një votim për procedurën që do të ndiqet. Kryetari i saj, republikani Mike Johnson ka një shumicë të vogël dhe nuk ka luksin të humbasë asnjë votë, për të miratuar versionin e tij të buxhetit.
Ligjvënësi Tony Gonzales, drejton një grup prej shtatë republikanësh të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët janë kundër shkurtimeve të mundshme në programet e kujdesit shëndetësor si ‘Medicaid’, ato të ndihmës ushqimore, apo të tjera programe kyçe ndihmash.
“Prekja e programit Medicaid do të kishte pasoja serioze, veçanërisht për komunitetet rurale dhe kryesisht ato hispanike, ku spitalet dhe shtëpitë e pleqve tashmë po hasin në vështirësi e rrezikojnë të mbyllen", thuhej në një letër të ligjvënësve dërguar javën e kaluar kryetarit Johnson.
Pakënaqësi mbi versionin e Dhomës për buxhetin ka shprehur edhe ligjvënësi republikan Thomas Massie, anëtar i Grupit të Lirisë, një grup republikanësh me bindje më konservatore, si dhe disa republikanë të tjerë të pavendosur, të cilët nuk kanë bërë ende të ditur qëndrimin e tyre mbi projekligjin.
Demokratët e Kongresit kundërshtojnë gjithashtu propozimin republikan për uljen e taksave, duke argumentuar se ai do të dëmtojë amerikanët me të ardhura më të ulëta dhe të klasës së mesme, të cilët kanë ndërkohë shqetësime lidhur me koston e jetesës dhe inflacionin.
Në një letër dërguar të hënën në mëngjes, udhëheqësi demokrat Hakeem Jeffries shkruante: "Ekstremistët e së djathtës së skajshme janë të vendosur të miratojnë një ulje taksash me 4.5 trilionë dollarë për donatorët e pasur republikanë dhe korporatat me lidhje të forta politike, ta fryjnë borxhin si dhe t'i ngarkojnë një barrë të përditshme amerikanëve me fatura, duke i dhënë fund Medicaid-it. Ne duhet ta ndalim menjëherë mashtrimin me taksa të republikanëve”.
Në një postim në median e tij sociale ‘Truth Social’ Presidenti Trump shkruante javën e kaluar se "Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të punuar së bashku si një ekip i unifikuar dhe i pamposhtur, megjithatë, ndryshe nga versioni i (senatorit republikan) Lindsey Graham-it, varianti i Dhomës së Përfaqësuesve zbaton të plotë politikën time 'Amerika e Para’, të gjithën, jo vetëm pjesë të saj", tha ai.
Nëse ligjvënësit nuk arrijnë një kompromis deri më 14 mars, kjo do të çojë në një mbyllje të pjesshme të agjencive qeveritare, duke lënë përkohësisht pa pagesë miliona punonjës federalë. Po kështu do të pezulloheshin edhe disa shërbime qeveritare jo thelbësore./VOA