Pesë persona humbën jetën në një zjarr në një qendër rehabilitimi nga droga në Meksikë të hënën , sipas njoftimit të autoriteteve lokale.
Ngjarja tragjike është raportuar mëngjesin e djeshëm dhe shërbimet e zjarrfikësve dhe të ndihmës së parë janë mobilizuar në sektorin Tlalpan, në pjesën jugore të metropolit.
“Ekuipazhet e ambulancës që mbërritën në vend morën 11 persona, pesë prej të cilëve nuk kishin shenja jetësore për shkak të thithjes së tymit”, njoftoi sekretariati i sigurisë së kryeqytetit nëpërmjet X.
Autoritetet po kryejnë hetimet për zbardhjen e shkakut të zjarrit në këtë qendër.
Menaxheri i qendrës dhe katër persona të tjerë do të dalin para prokurorit për të dëshmuar, sipas autoriteteve.
Sipas raporteve të shtypit meksikan, rreth dhjetë persona u shpëtuan nga zjarrfikësit dhe disa u dërguan në spitale.
Qendrat e rehabilitimit njihen në Meksikë si “degë” dhe në përgjithësi menaxhohen nga organizata joqeveritare. Disa nga qendrat janë akuzuar për abuzime ndaj pacientëve ose mungesë të kushteve të përshtatshme për detoksifikimin e tyre.