Kryebashkiaku i Nju Jorkut Adams kërkon mbylljen e çështjes, pretendon shkelje nga prokuroria

Amerika

Kryebashkiaku i Nju Jorkut Adams kërkon mbylljen e çështjes, pretendon shkelje nga prokuroria

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 19:16
Eric Adams

Kryetari i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams, i kërkoi një gjykatësi federal të mërkurën që të mbyllë çështjen për korrupsion ndaj tij, me pretendimet për shkelje nga prokuroria, madje edhe pasi Departamenti i Drejtësisë kërkon rrëzimin e akuzave ndaj demokratit që kandidon për një mandat të dytë.

Në dokumentet e depozituara në gjykatën federale të Manhatanit, avokatët e zotit Adams pretendojnë për shkelje nga ana e prokurorisë pas rrjedhjes së një letre që prokurorja e atëhershme, Danielle Sassoon, i dërgoi Prokurores së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, ku shpjegonte se pse nuk duhet të rrëzohen akuzat.

Mes të tjerash, në letrën e saj, zonja Sassoon paraqiti dorëheqjen, pasi nuk mund të pranonte udhëzimin e Nënprokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Emil Bove, për të rrëzuar akuzat ndaj kryebashkiakut dy javë më parë. Zoti Bove e pranoi dorëheqjen e saj.

Zoti Bove i kishte shkruar një letër zonjës Sassoon, ku theksonte rëndësinë e zotit Adams për të ndihmuar në përparësitë e Presidentit Trump për zbatimin e ligjit, veçanërisht në luftën kundër imigracionit të paligjshëm dhe krimit të dhunshëm. Ai tha gjithashtu se akuzat po ndërhynin në garën zgjedhore të këtij viti për postin e kryetarit të bashkisë.

Në dokumentet e depozituara të mërkurën në gjykatë, avokatët e zotit Adams shprehen se publikimi i letrës së dorëheqjes i zonjës Sassoon drejtuar zonjës Bondi, ishte “pjesë një morie të jashtëzakonshme rrjedhjeje të korrespondencave të brendshme të Departamentit të Drejtësisë” që ndodhën pasi zoti Bove i dërgoi direktivën me shkrim zonjës Sassoon.

Avokatët mbrojtës thanë se zonja Sassoon e njoftoi kryeprokuroren Bondi se prokurorët po planifikonin të shtonin një akuzë ndaj zotit Adams për pengim drejtësie duke e zëvendësuar aktakuzën. Avokatët thonë se prokurorët bënë “një akuzë të rreme” që zoti Adams dhe avokatët e tij kishin ofruar të ndihmonin administratën e Presidentit Trump në shkëmbim të rrëzimit të akuzave.

Padia e ngritur në muajin shtator nga prokurorët në Manhatan ndaj zotit Adams e akuzon atë se ka marrë mbi 100,000 dollarë kontribute të paligjshme për fushatën dhe bileta udhëtimi nga një zyrtar turk dhe të tjerë që kërkonin të blinin ndikim gjatë kohës që demokrati Adams ishte drejtues i lartë në Bruklin.

Zoti Adams përballet me kundërshtarë të shumtë në zgjedhjet paraprake brenda demokratëve në qershor. Ai ka këmbëngulur se është i pafajshëm.

Avokatët mbrojtës thonë se ekspozimi publik i luftës së brendshme të pazakontë në Departamentin e Drejtësisë kishte shkelur të drejtat kushtetuese të zotit Adams dhe kishte ndërhyrë në aftësinë e tij për një gjykim të drejtë.

Ata thonë se rrjedhja e informacionit bie ndesh me rregullat e gjykatës, përfshirë politikat e kahershme të Departamentit të Drejtësisë për të parandaluar shkeljet e organit të akuzës.

Agjencia e lajmeve Associated Press i ka bërë një kërkesë për koment Departamentit të Drejtësisë. Zoti Bove dhe dy avokatë të Departamentit të Drejtësisë po përpiqen aktualisht që gjykatësi i Manhatanit të mbyllë çështjen. Gjykatësi, i cili ka anuluar një seancë në prill, ka caktuar një këshilltar të jashtëm për ta ndihmuar atë për të vendosur se si do të veprojë gjatë javëve të ardhshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat