I emëruari për postin e zëvendës-sekretarit të mbrojtjes: Kina “jashtëzakonisht e vendosur” për të tejkaluar SHBA

Amerika

I emëruari për postin e zëvendës-sekretarit të mbrojtjes: Kina “jashtëzakonisht e vendosur” për të tejkaluar SHBA

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 19:46
I emëruari i Presidentit Donald Trump për postin e zëvendës-sekretarit të mbrojtjes, Steve Feinberg/AP

PENTAGON – I emëruari i Presidentit Donald Trump për postin e zëvendës-sekretarit të mbrojtjes paralajmëroi se ushtria e Kinës është e vendosur që të tejkalojë Shtetet e Bashkuara dhe bëri thirrje për një zgjidhje për mangësitë “e rëndësishme” ushtarake në një kohë kur drejtuesit e administratës po bëjnë përpjekje të bëjnë shkurtime të mëdha buxhetore.

“Kina është jashtëzakonisht e vendosur, ka një ndjenjë të madhe urgjence dhe ata do të jenë plotësisht të angazhuar të bëhen shteti më i fuqishëm në botë dhe të kalojnë Shtetet e Bashkuara”, u tha zoti Steve Feinberg të martën anëtarëve të Komisionit të Forcave të Armatosura të Senatit.

Zoti Feinberg, sipërmarrës dhe investitor, deklaroi se mungesat ushtarake amerikane shtrihen në sektorë të tillë si “ndërtimi i anijeve, modernizimi bërthamor, zhvillimi i aeroplanëve luftarakë, mbrojtja kibernetike, hipersonike dhe e hapësirës, si dhe mbrojtja e satelitëve dhe dronëve”.

“Duhet me të vërtetë t’i plotësojmë këto mangësi, të përqendrohemi në përparësitë tona, t’i shkëpusim programet tradicionale, të jemi shumë të disiplinuar dhe në të njëjtën kohë të përqendrohemi tek ekonomia. Nëse e bëjmë këtë gjë, duke patur parasysh kapacitetet e shkëlqyera dhe sipërmarrjen e Amerikës, ne do ta mundim Kinën. Nëse nuk e bëjmë, siguria jonë kombëtare do të jetë e rrezikuar”, tha zoti Feinberg.

Seanca dëgjimore e tij u mbajt ndërkohë që Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth i bëri thirrje që Departamenti i Mbrojtjes të shkurtojë buxhetin me 8 për qind – apo rreth 50 miliardë dollarë – për të investuar në përparësi që përputhen me idenë e “forcimit të aftësisë luftarake të ushtrisë”.

Senatori Jack Reed, ligjvënësi kryesor demokrat në Komisionin për Forcat e Armatosura të Senatit, e kundërshtoi këtë veprim të martën, duke thënë se “shkurtimi i buxhetit të mbrojtjes nuk do ta bëjë ushtrinë më efikase. Do ta dëmtojë atë”.

Shqetësimet për shkurtimet e ushtrisë u shprehën nga ligjvënësit e dy partive.

Kryetari i Komisionit, Senatori republikan Roger Wicker i tha platformës mediatike “Breaking Defense” muajin e kaluar se ai shpreson që ta rrisë buxhetin e mbrojtjes me 200 miliardë dollarë gjatë viteve të ardhshme.

Ndërkaq Senatori republikan Dan Sullivan bëri thirrje të martën për t’i dhënë përparësi ndërtimit të anijeve për t’u kundërpërgjigjur ndaj kërcënimeve të Kinës dhe të tjerëve.

“Jemi në krizën më të madhe në fushën e ndërtimit të anijeve në 40 vitet e fundit. Kinezët po ndërtojnë një forcë gjigande detare. Tashmë është më e madhe se e jona”, tha ai.

Ushtria e Kinës ka rreth 370 anije luftarake, sipas raportit më të ri të Pentagonit mbi Fuqinë Ushtarake të Kinës, ndërsa ushtria amerikane ka rreth 300 të tilla.

Zoti Feinberg e pranoi se mangësitë në këtë sektor janë “një problem i vështirë” për ushtrinë.

“Zinxhiri ynë furnizues është i dobët, por ai mund të përmirësohet përmes bashkëpunomit me sektorin privat. Kemi kompani që mund të na çojnë aty ku kemi nevojë, aty ku kemi mangësi dhe duhet të bashkëpunojmë më ngushtë me ta. Na duhen njerëz brenda qeverisë që i kuptojnë çështjet e tyre”, tha zoti Feinberg.

Disa ligjvënës demokratë në komision u shprehën kritik ndaj ndërhyrjeve të Departamentit për Efikasitetin në Qeveri (DOGE) në Pentagon, duke thënë se ai do të krijonte probleme të mëdha, nëse të dhënat nuk menaxhohen me kujdes të shtuar.

“DOGE sapo dërgoi një e-mail të paklasifikuar me emrat e punonjësve që sapo ishin pranuar në punë në Agjencinë Qendrore të Zbulimit CIA. Si një ish punonjëse e CIA-s, ju sapo zbuluat identitetin e një agjenti që do të rrezikonte jetën e tij jashtë vendit për të mbrojtur shtetin tonë”, tha Senatorja demokrate Elissa Slotkin.

“A e dini se çfarë oreksi kanë armiqtë tanë për këto lloj të dhënash?... Është çështje sigurie”, shtoi ajo.

Ligjvënësit demokratë gjithashtu shprehën shqetësim për planet për të shkarkuar mbi 5,000 punonjës civilë të Pentagonit gjatë kësaj jave, ndërkohë që Senatori republikan Markwayne Mullin u përgjigj se shkurtimi i 5 mijë vendeve të punës përbën më pak se 0.5 për qind të punonjësve në këtë institucion.

“Interesat vjetore që paguajmë për borxhin kombëtar janë tani më të larta se buxheti vjetor i ushtrisë. Ky është një rrezik tejet i madh kombëtar”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat