Shtëpia e Bardhë mbron shkurtimet në qeveri mes kundërshtive të demokratëve

Amerika

Shtëpia e Bardhë mbron shkurtimet në qeveri mes kundërshtive të demokratëve

Më: 28 shkurt 2025 Në ora: 18:11
Foto nga vendi i ngjarjes

Presidenti Donald Trump mbrojti përpjekjet e administratës së tij për eliminimin e humbjeve buxhetore dhe shkurtimin e forcës punëtore në qeverinë federale, gjatë mbledhjes së parë të kabinetit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas, njofton mbi ndikimin që kanë patur këto veprime, reagimin e punonjësve federalë të pushuar nga puna si dhe ligjvënësve demokratë, që janë kundër këtyre shkurtimeve.

I rrethuar nga kabineti i tij, Presidenti Donald Trump mbrojti shkurtimet e thella të shpenzimeve qeveritare, duke thënë se kishte marrë një mandat nga votuesit.

“Jam zgjedhur me premtimin për taksat, kufirin, balancimin e buxhetit, rifuqizimin e vendit dhe (shkurtimet) kjo është pjesë e madhe e saj”, tha Presidenti Trump

Presidenti vlerësoi përpjekjet e shpejta të Elon Musk-ut për reduktimin e shpërdorimeve në qeveri.

Elon Musk, i cili mbikëqyr Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë, DOGE, u tha gazetarëve se departamenti i tij duhet të veprojë me shpejtësi për të realizuar objektivin e uljes së deficitit me rreth 1 trilion dollarë deri në vitin 2026.

“Kërkohen shkurtime prej 4 miliardë dollarësh në ditë, deri në fund të shtatorit. Do të bëjmë gabime, sepse nuk jemi perfekt. Por kur gabojmë, do ta ndreqim shumë shpejt atë”, tha zoti Musk.

Udhëheqësit e sindikatave dhe ligjvënësit demokratë janë shprehur kundër mbylljes së agjencive dhe qëllimit të administratës për të bërë shkurtime mes punonjësve federalë. Chuck Schumer është udhëheqës i pakicës demokrate në Senatin amerikan.

Nuk mund të përdorësh një hanxhar për të shkurtuar gjëra e mira si dhe gjërat të tilla si abuzimet apo shpërdorimet qeveritare. Asnjë biznesmen i zgjuar nuk do ta bënte këtë. Është mizori ajo që po bëjnë, po i lëndon njerëzit”.

Disa punonjës federal të pushuar nga puna kohët e fundit, ndanë historitë e tyre në një takim virtual të organizuar nga ligjvënësi demokrat, Ro Khana. Avokati Michael Graugnard, i cili votoi dy herë për Presidentin Trump, u pushua nga puna në Departamentin e Bujqësisë.

Detyra ime ishte sigurimi që programet të funksiononin në baza ligjore, çka duket që përputhet mirë me rritjen e efikasitetit të qeverisë dhe uljen e shpërdorimeve. Jam i martuar dhe kemi një vajzë dyvjeçare dhe presim një djalë në prill. Kishim një siguracion shëndetësor përmes punës”.

Disa shkencëtarë kanë protestuar ditët e fundit kundër shkurtimeve në hulumtimet mjekësore dhe pushimet nga puna. Jonathan Hanson, me Universitetin e Miçiganit, foli për ndikimin që ka patur DOGE.

Përpjekjet deri tani duket të jenë një lëvizje dramatike që nuk ka gjasa të sjellë kursime të mëdha në një periudhë afatshkurtër dhe do të dëmtojnë kapacitetet e qeverisë në një përudhe afatgjatë”.

Analistët thonë se deri tani nuk duket se shkurtimet e kanë dëmtuar politikisht zotin Trump. Kyle Kondik është me Qendrën për Politikë pranë Universitetit të Virxhinias.

Nuk mendoj se reagimi ka qenë jashtëzakonisht negativ, sepse do të ndikonte në uljen e vlerësimit ndaj punës së Presidentit Trump, pra do të ishte më e ulët se tani. Duket që shkurtimi i shpenzimeve gëzon shumë popullaritet”.

Ai thotë se pyetja qëndron se si do të reagojnë amerikanët gjatë muajve të ardhshëm, ndoshta pas ndërprerjes së mundshme të shërbimeve qeveritare nga të cilat ata përfitojnë./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat