Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të kërkojë falje pas takimit të tij të tensionuar me Presidentin Donald Trump në Zyrën Ovale, që Rubio e cilësoi një “fiasko”.
Në një intervistë për CNN, Rubio theksoi se Zelensky nuk kishte nevojë të bëhej antagonist dhe shtoi se duke folur në mënyrë agresive, ai i shkaktoi dëm vetes. Rubio gjithashtu sugjeroi se kjo mund të ngrejë dyshime mbi dëshirën e Zelenskyt për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Rubio e përshkroi fjalimin e presidentit ukrainas si një “përpjekje të hapur për të minuar përpjekjet për të arritur paqen”.
Zyrtari i lartë amerikan përsëriti qëndrimin e zakonshëm se presidenti Trump është një “mjeshtër i negociatave” dhe se nuk do të “mashtrohet” nga një marrëveshje e keqe me Rusinë dhe Vladimir Putinin.
“Dyshoj se Zelensky është i gatshëm të thotë dhe të bëjë atë që është e nevojshme për të arritur në negociata”, shtoi Rubio.
Ai komentoi edhe raportimet e mediave që sugjeronin se Ukraina ishte lënë jashtë bisedimeve, duke theksuar se SHBA-ja është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët ukrainas.
“Në 10 ditët e fundit, ata janë takuar me Sekretarin e Tregtisë, Sekretarin e Shtetit, Nënpresidentin, kanë biseduar në telefon me Trumpin dhe janë takuar me të në Zyrën Ovale. Kam folur tre herë me ministrin e Jashtëm ukrainas… Por ne vazhdojmë të lexojmë raportime që nuk janë të sakta, dhe megjithatë ato përsëriten vazhdimisht”, tha Rubio dhe shtoi “pikërisht kjo ka sjellë ndjenjën e sotme të fortë të zemërimit”.
Ndryshe, Zelensky ka deklaruar se nuk do t’i kërkojë falje Trumpit pasi nuk ka bërë asgjë dhe se ka mbrojtur interesat e vendit të vetë.