Shtetet e Bashkuara do të vendosin afro 3,000 trupa shtesë në kufirin me Meksikën, duke e çuar numrin e përgjithshëm në rreth 9000, tha të shtunën Komanda Veriore e Shteteve të Bashkuara (NORTHCOM).
Siguria kufitare është një përparësi kryesore për Presidentin Donald Trump, i cili shpalli një emergjencë kombëtare në kufirin amerikan me Meksikën në ditën e tij të parë në detyrë.
“Rreth 2,400 ushtarë nga Divizioni i 4-të i Këmbësorisë dhe rreth 500 ushtarë nga Brigada e 3-të e Aviacionit Luftarak do të dërgohen në kufi”, thuhet në deklaratën e publikuar nga NOTHCOM.
Additional active-duty military members will soon deploy to enhance @DHSgov and @CBP efforts to maintain security at the #SouthernBorder. Read more here: https://t.co/rlTPpvisiO pic.twitter.com/CERqqvVxzH
— U.S. Northern Command (@USNorthernCmd) March 1, 2025
Mes detyrave të tjera të ushtrisë përfshihen edhe operacionet e zbulimit dhe vëzhgimit, thuhet në deklaratë. Ushtarët nuk do të përfshihen në operacionet e ndalimit ose dëbimit, thanë zyrtarët.
Administrata e Presidentit Trump thotë se ka ndërmarrë një përpjekje madhore për të luftuar imigracionin e paligjshëm, ku përfshihen bastisjet, arrestimet dhe dëbimet e imigrantëve të paligjshëm. Qeveria amerikane ka vënë në dispozicion të kësaj përpjekje edhe bazën detare në Gjirin e Guantanamos në Kubë.
Shtetet e Bashkuara kanë dyfishuar numrin e të burgosurve, që konsiderohen si “të rrezikshmërisë së lartë”, në bazën e tyre detare të Gjirit të Guantanamos në Kubë. Këta emigrantë më pas është në plan të dëbohen në vendet e tyre.
Presidenti Trump u zgjodh sërish në Shtëpinë e Bardhë pasi u zotua se do të intensifikojë sigurinë kufitare dhe se do të dëbojë një numër rekord imigrantësh të paligjshëm. Ai kritikoi ish Presidentin Biden për nivelet e larta të imigracionit të jashtëligjshëm gjatë administratës së tij