“Mos u shqetësoni shumë për Putinin, se do të përfundoni si Evropa”, Trump u drejtohet amerikanëve

Amerika

“Mos u shqetësoni shumë për Putinin, se do të përfundoni si Evropa”, Trump u drejtohet amerikanëve

Më: 3 mars 2025 Në ora: 10:11
Foto ilustrim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili nuk ishte i pranishëm në samitin evropian të kësaj fundjave, ka përdorur platformën e tij Truth Social për të paralajmëruar se duhet shpenzuar më pak kohë “duke u shqetësuar për Putinin”.

“Ne duhet të shpenzojmë më pak kohë duke u shqetësuar për Putinin dhe më shumë kohë duke u shqetësuar për bandat e dhunës së migrantëve, bosët e drogës, vrasësit dhe njerëzit nga institucionet psikiatrike që hyjnë në vendin tonë – në mënyrë që të mos përfundojmë si Evropa”, shkroi Trump.

Ndryshe, komentet e Trumpit vijnë pas një periudhe tensioni me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, përcjell Telegrafi.

Të premten, të dy udhëheqësit kishin një takim të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë, ku u diskutuan çështje të rëndësishme lidhur me mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe luftën kundër Rusisë.

Takimi në Zyrën Ovale u shoqërua me akuza dhe kritika nga Trump ndaj Zelenskyt, duke e akuzuar për mungesë mirënjohjeje për ndihmën e SHBA-së dhe duke vënë në dyshim vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.

Ndërsa Zelensky ka deklaruar se marrëdhëniet me SHBA-në mund t’i shpëtojë, por Rusisë nuk do t’i lëshojë asnjë territor si pjesë e një marrëveshjeje paqeje. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat