Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë kërkesën e administratës Trump për të mbajtur të ngrira pagesat për ndihma të huaja të miratuara nga Kongresi, por nuk përcaktoi një datë për zhbllokimin e fondeve, duke lejuar Shtëpinë e Bardhë të vazhdojë të kundërshtojë çështjen në gjykatat më të ulëta.
Vendimi ishte 5-4, në favor të zhbllokimit të pagesave për ndihmat e huaja, raporton CNN.
Në janar të këtij viti, Departamenti i Shtetit urdhëroi ngrirjen e financimeve të reja për programet e ndihmës ndërkombëtare.
Kjo u tha se po bëhet si pjesë e përpjekjes së presidentit amerikan, Donald Trump, për përshtatjen e këtyre programeve me qëllimet e tij të politikës së jashtme.
Në shkurt, gjykatësi Amir Ali, urdhëroi që shumica e parave të vazhdonin të shpenzoheshin përkohësisht, ndërsa ai shqyrtonte çështjen.
Administrata Trump i kërkoi Gjykatës së Lartë një apel emergjent disa orë para skadimit të afatit, duke kërkuar që të paktën të pezullohej për disa ditë, përcjellë KosovaPress.
Grupi që paditi ka thënë se administrata nuk po merrte hapa të dukshëm për të zbatuar urdhrin dhe kishte bllokuar pagesat.
Administrata Trump zbuloi në dokumentet gjyqësore se po përpiqej të ndërpriste më shumë se 90 për qind të ndihmave të huaja të USAID – Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.
USAID investon edhe në Kosovë prej vitit 1999.