Trump lëshon ‘paralajmërimin e fundit’ ndaj Hamasit për lirimin e të gjitha pengjeve

Amerika

Trump lëshon ‘paralajmërimin e fundit’ ndaj Hamasit për lirimin e të gjitha pengjeve

Më: 6 mars 2025 Në ora: 06:10
Donald Trump

Presidenti Donald Trump ka lëshuar atë që e quan “paralajmërimin e fundit” ndaj Hamasit për të liruar të gjitha pengjet e mbetura në Gazë.

Presidenti amerikan shkroi në rrjetin ‘TruthSocial’, mes të tjerash, se po i “dërgonte Izraelit gjithçka i nevojitet për të përfunduar detyrën”. Më herët presidenti priti në Shtëpinë e Bardhë tetë ish-pengje.

Gjuha e ashpër vjen ndërsa Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se zyrtarët amerikanë janë angazhuar në "bisedime dhe diskutime të vazhdueshme" me zyrtarët e Hamasit, duke u tërhequr nga një politikë e kahershme e Shteteve të Bashkuara për të mos u përfshirë drejtpërdrejt në bisedime me grupin militant.

Konfirmimi i bisedimeve në kryeqytetin e Katarit, Doha, vjen pasi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit mbetet i ekuilibruar. Ky është angazhimi i parë, që dihet, i drejtpërdrejtë mes Shteteve të Bashkuara dhe organizatës militante, që kur Departamenti i Shtetit e shpalli Hamasin organizatë të huaj terroriste në vitin 1997.

Karoline Leavitt

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, nuk pranoi të jepte detaje mbi thelbin e bisedimeve, por tha se Presidenti Donald Trump i ka autorizuar të dërguarit e tij që të "bisedojnë me këdo".

Egjipti dhe Katari kanë shërbyer si ndërmjetës me Hamasin në emër të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit që kur grupi militant ndërmori sulmin më 7 tetor të vitit 2023, çka shkaktoi luftën.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Trump beson se dialogu në mirëbesim i shërben interesit më të mirë të popullit amerikan. Zonja Leavitt shtoi se Izraeli është konsultuar në lidhje me angazhimin e drejtpërdrejtë me zyrtarët e Hamasit dhe vuri në dukje se "jetë amerikane janë në rrezik".

Zyrtarët izraelitë thonë se Hamasi mban në Gazë rreth 24 pengje të gjalla, përfshirë amerikanin Edan Alexander, dhe të paktën 35 trupa të pajetë.

Adam Boehler, i emëruari i Presidentit Trump për postin e të dërguarit special për çështjet e pengjeve, udhëhoqi bisedimet e drejtpërdrejta me Hamasin. Gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, zoti Boehler ka qenë ndër negociatorët kryesor të Marrëveshjeve të Abrahamit.

Bisedimet e zhvilluara muajin e kaluar, u përqendruan kryesisht në lirimin e pengjeve amerikane dhe përfundimin e luftës në Gazë pa Hamasin në pushtet, sipas një zyrtari të Hamasit i cili nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht. Ai shtoi se nuk ishte bërë asnjë përparim, por "hapi në vetvete është premtues" ndërsa priten më shumë bisedime. Egjipti dhe Katari ndihmuan në organizimin e bisedimeve.

Angazhimi i drejtpërdrejtë vjen pasi vazhdimi i armëpushimit në Gazë mbetet i pasigurt. Presidenti Trump ka sinjalizuar se nuk ka ndërmend të ushtrojë trysni ndaj Izraelit që të mos i rifillojë luftimet nëse Hamasi nuk pajtohet me kushtet e një propozimi të ri armëpushimi, të cilin izraelitët thonë se është hartuar nga i dërguari amerikan, Steve Witkoff.

Plani i ri do t'i kërkonte Hamasit që të lirojë gjysmën e pengjeve të mbetura në këmbim të një zgjatjeje të armëpushimit dhe një premtimi për të negociuar një armëpushim afatgjatë. Izraeli nuk përmendi lirimin e më shumë të burgosurve palestinezë, një komponent kyç i fazës së parë./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat