Nënpresidenti amerikan JD Vance udhëhoqi një grup prej tre zyrtarësh të lartë në një vizitë të mërkurën në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, gjatë së cilës ai theksoi politikat ndaj emigracionit të Presidentit Donald Trump dhe siguroi amerikanët se forcat amerikane nuk kanë në plan të pushtojnë Meksikën.
Vizita e tij në pikën e kalimit kufitare “Eagle Pass” të Teksasit, u realizua pas fjalimit të parë të Presidentit Trump para dy dhomave të Kongresit. Gjatë atij fjalimi, Presidenti Trump e përshkroi planin e tij të kapjes dhe deportimit të emigrantëve që kanë hyrë ilegalisht në Amerikë si “largimin e tyre të shpejtë” nga Shtetet e Bashkuara.
Deklarata e Nënpresidentit Vance pason gjithashtu vendimin e administratës Trump për të përcaktuar kartelet e drogës si organizata terroriste.
“Unë nuk do të bëj njoftim për ndonjë pushtim të Meksikës këtu sot”, tha zoti Vance. “Presidenti sigurisht do të flasë për këtë siç e ndien ai të nevojshme. Megjithatë, vendimi për përcaktimin e karteleve si organizata terroriste na lejon të shfrytëzojmë burimet e plota të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për t'u angazhuar në ruajtjen e kufirit”.
Drejtoresha e Zbulimit Kombëtar Tulsi Gabbard, e cila shoqëroi zotin Vance në këtë vizitë, ritheksoi qëndrimin e administratës Trump se “objektivi ynë është të mbajmë popullin amerikan të sigurt”.
Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, i cili ishte gjithashtu pjesë e delegacionit që vizitoi kufirin të mërkurën, theksoi se ai mendon se “siguria e kufirit është çështje e sigurisë kombëtare”. Sekretari Hegseth sqaroi se çfarë roli mund të kenë trupat amerikane, pasi atyre u ndalohet ligjërisht të kryejnë veprime që iu takojnë organeve civile të zbatimit të ligjit.
“Departamenti i Mbrojtjes ka asete që mund t'i shfrytëzojmë, jo vetëm trupat, mbikëqyrjen apo pajisjet, por aftësitë për planifikim dhe aftësi të tjera që përmirësojnë atë që Patrulla Kufitare tanimë po bën”, tha ai.
Aktivistët pro emigrantëve në një deklaratë për Zërin e Amerikës kritikuan qasjen e administratës Trump mbi këtë çështje.
“Numri i kalimeve në pikat kufitare nën administratën Trump dhe gjatë administratës së Presidentit Biden demonstron se migrimi botëror është një çështje e komplikuar. Kjo konfirmon nevojën për një rishikim të plotë të imigracionit nga Kongresi për të pajisur Amerikën me politikat e migrimit të shekullit të 21-të që do ta lidhte këtë çështje me interesat dhe vlerat tona, jo me axhendën që thjesht zbaton ligjin”, i tha Zërit të Amerikës Vanessa Cardenas drejtoresha ekzekutive e organizatës America’s Voice”.
“Realiteti është se politikat e imigracionit të administratës Trump nuk po i bëjnë amerikanët më të sigurt dhe sigurisht nuk po avancojnë interesat tona ekonomike. Në vend të kësaj, ato kanë një kosto të lartë për të gjithë amerikanët dhe na largojnë nga zgjidhjet reale që na duhen”, shtoi zonja Cardenas.
Ndërkohë, në Uashington, ligjvënësi James Comer, udhëheqësi republikan i Komisionit për Reforma Qeveritare të Dhomës së Përfaqësuesve, pati një përballje të ashpër me katër kryebashkiakë të qyteteve të mëdha për vendimet e tyre që refuzojnë të bashkëpunojnë me forcat federale që arrestojnë emigrantët e paligjshëm.
“Qytetet që u ofrojnë siguri emigrantëve të palighshëm na bëjnë të gjithëve më pak të sigurt dhe janë një makth i sigurisë publike”, tha zoti Comer. “Ne nuk mund të lejojmë vazhdimin e politikave pro krimit të emigrantëve të paligjshëm në këto qytete që vazhdojnë të rrezikojnë komunitetet amerikane dhe sigurinë e oficerëve federalë që merren me emigracionin”.
Kryetari i bashkisë së qytetit më të populluar të Kolorados kundërshtoi qëndrimet e ligjvënësit.
“Amerikanët presin nga ne që të bëjmë më shumë se sa të drejtojmë gishtin ndaj njëri-tjetrit”, tha kryebashkiaku Mike Johnston i cili është anëtar i Partisë Demokrate. “Ata presin nga ne që të zgjidhim problemet. Prandaj, nëse Denveri gjen mënyrën se si t’i lërë mënjanë dallimet ideologjike për të menaxhuar një krizë që nuk e ka krijuar, është e drejtë që të pyesim institucionin që e ka për detyrë të zgjidhë këtë problem kombëtar, pra Kongresin, që të përkushtohet që përfundimisht të bëjë të njejtën gjë, të lërë mënjanë dallimet ideologjike”./VOA