Shërbimi Sekret e qëllon me armë një burrë të armatosur afër Shtëpisë së Bardhë

Amerika

Shërbimi Sekret e qëllon me armë një burrë të armatosur afër Shtëpisë së Bardhë

Më: 9 mars 2025 Në ora: 17:00
Shiriti i policisë mbetet në skenën e të shtënave gjatë natës në një rrugë pranë kompleksit të Shtëpisë së Bardhë

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara njoftoi se e ka qëlluar me armë zjarri një burrë në afërsi të Shtëpisë së Bardhë mëngjesin e së dielës, pas një konfrontimi me të.

Presidenti Donald Trump nuk ndodhej në Shtëpinë e Bardhë në atë kohë, pasi po e kalon fundjavën në rezidencën e vet në Florida.

Në një komunikatë për media, Shërbimi Sekret tha se burri u dërgua në një spital në afërsi.

Zyrtarët e Shërbimit Sekret morën informatë nga autoritetet lokale se një person me tipare vetëvrasëse mund të jetë duke udhëtuar drejt Uashingtonit nga Indiana, ndërsa vetura e tij u gjet vetëm një bllok larg Shtëpisë së Bardhë, sipas komunikatës.

Burri e vringëlloi armën e tij kur oficerët po iu afroheshin dhe ata hapën zjarr pak pas mesnatës, sipas kohës lokale.

Ai u dërgua në një spital në afërsi dhe ende nuk dihet për gjendjen e tij shëndetësore, thuhet në komunikatë.

Nuk ka të lënduar të tjerë nga ky incident.

Në vitet e fundit kanë ndodhur disa incidente që përfshijnë burra të armatosur të qëlluar nga oficerët e sigurisë në ose afër territorit të Shtëpisë së Bardhë, duke përfshirë edhe një rast në vitin 2016, kur një burrë që mbante një pistoletë u qëllua në një portë sigurie të Shtëpisë së Bardhë.

Në vitin 2023, një emigrant indian 20-vjeçar me emrin Sai Varshith Kandula, u përpoq pa sukses t’i kalonte barrierat mbrojtëse të Shtëpisë së Bardhë me një kamion të marrë me qira.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat