Lazim Destani, u bën thirrje mërgimtarëve të regjistrohen si qytetarë shtetas të Maqedonisë së Veriut

Amerika

Lazim Destani, u bën thirrje mërgimtarëve të regjistrohen si qytetarë shtetas të Maqedonisë së Veriut

Nga: Beqir Sina Më: 17 mars 2021 Në ora: 21:14
Lazim Destani

Apel mërgimtarëve nga Maqedonia e Veriut, REGJISTROHUNI ! Të nderuar pjesëtarë të diasporës sonë, qytetarë shtetas të Maqedonisë së Veriut, përmes këtij apeli po Ju drejtohem për ta theksuar e për ta risjellë në vëmendjen e çdonjërit peshën e jashtëzakonshme që ka akti i regjistrimit pasi ky nuk është vetëm akt qytetar por gjithësesi është edhe akt kombëtar, andaj:

Regjistrohuni!

Si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës sonë, Ju bëj thirrje të gjithëve kudo që ndodheni jashtë vendit, me punë e aktivitete anekënd botës. Siç jeni në dijeni, tashmë gati dy dekada pas regjistrimit të fundit, nga data 1 Mars ka nisur regjistrimi i popullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa përfundon më 21 Prill.

Ashtu siç jemi treguar gjithmonë të gatshëm dhe aktiv për mbrojtjen dhe avancimin e çështjes sonë kombëtare, le të tregohemi të vëmendshëm edhe tani në këtë moment historik, kur gjithsecili prej nesh duke i dalë zot familjes dhe pronës së vet, do ta dëshmojmë se dimë t’i dalim zot hises që na takon në shtëpinë tonë të përbashkët.

Regjistrimi i popullatës së një vendi vërtet është një akt me karakter statistikor por bazuar në sistemin juridik e kushtetues që ka Maqedonia e Veriut, regjistrimi është shumë më shumë se thjesht statistikë. Sipas këtij sistemi, rezultatet e regjistrimit e përcaktojnë edhe bazën juridiko-kushtetuese për gjithçka që na takon si etni në këtë vend.

Ky është linku i aplikacionit të publikuar nga Enti Shtetëror për Statistikë ku duhet të regjistroheni vetë, duke e plotësuar online formularin sipas udhëzimeve të dhëna:

https://census.stat.gov.mk/al/

Regjistrohuni sa më parë që të jetë e mundur dhe pa humbur kohë, si dhe shpërndajeni njoftimin te të afërmit dhe miqtë tuaj që mund të jenë të painformuar!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat