Po bëhet e qartë se Rusia po e humbet davanë pa e nisur mirë luftën.
Putini nuk duket të ketë një strategji daljeje dhe është e paqartë se si do ta mbajë të pushtuar një territor kaq të madh me mbi 40 milion banorë.
Gjithandej shikon tanke ruse të shkatërruara me armën amerikane antitank Javelin - Shtiza. SHBA dhe Gjermania po sjellin me nxitim shtiza të tjera që shpojnë me sukses koracat ruse. Ukrainasit kanë përdorur po me sukses raketat Stinger - Pickues për të rrëzuar avionë. Ata kanë vite që trajnohen.
Sipas burimeve të besueshme, disa tanke ruse kanë mbetur pa karburant dhe flitet për ushtarë që nuk kanë ushqim. Falë mediave sociale, lajmet përhapen shpejt dhe po aq shpejt po rrëzohet reputacioni i makinerisë ruse të luftës, që vetëm pak ditë më parë dukej e pamposhtur.
Disa ushtarë pyesin: “përse jemi këtu?” Siç mund të shihet në disa video që vijnë nga terreni, ata janë totalisht të çorientuar, nuk e kanë mendjen për luftë.
Dhe të mendosh se ky është vetëm fillimi. Nuk do të kalojë shumë dhe do të shohim dezertime në masë të rusëve. Morali po bie me shpejtësi.