Shqiptaro-amerikani Marko Kepi do të garojë në zgjedhjet e ardhshme për të zënë një vend në senatin e shtetit të Nju Jorkut.
Kepi tha për Euronews Albania, se beson që shqiptarët do ta votojnë për të bërë të mundur që zëri i tyre të dëgjohet në politikën amerikane.
Ai shtoi se nëse komuniteti shqiptar ka një përfaqësues në senatin e Nju Jorkut, atëherë mund të marrin fonde për aktivitet shqiptare dhe ngritjen e qendrave komunitare në mënyrë që të mos asimilohen.
“Patjetër shqiptarët do të më mbështesin. Herën e fundit që kemi regjistruar shqiptarët për të votuar brenda Partisë Republikane, 90% e tyre ishin demokratë, por e ndërruan partinë vetëm që të votonin një shqiptar. Nëse nuk ka primare, zgjedhjet në senatin e Nju Jorkut do të mbahen në të njëjtën kohë me zgjedhjet presidenciale. Zëri im do të sjellë zërin që shqiptarët janë këtu. Nëse nuk e kemi një përfaqësues në politikën amerikane këtu zëre se nuk ekziston. Nëse nuk e ke një përfaqësues, e ke të vështirë të marrësh fonde për aktivitetet shqiptare dhe e ke të vështirë të krijosh një qendër për komunitetin shqiptar. Kanë qenë komunitete më të mëdha se ne dhe janë asimiluar pasi nuk kanë mundur t’i ndërtojnë këto qendrat”, tha Kepi.