U zhvillua Festivali i 20-të Vjetor i Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në New York

Amerika

U zhvillua Festivali i 20-të Vjetor i Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në New York

Nga: Beqir SINA - New York Më: 6 qershor 2024 Në ora: 17:12
Foto nga vendi i ngjarjes

NEW YORK: Të dielën, më 2 qershor, nga ora 12:00 deri në 6 pasdite, në Kensico Dam Plaza në Valhalla, për të njëzetin vit me radhë, u mbajt “Dita e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare” në Nju Jork, falë punës së madhe të Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës" dhe kujdesit shembullor të famullitarit Dom Pjetër Popaj.

Drejtuesi artistik i veprimtarisë kulturore është Fran Çotaj. Piknikun e Trashëgimnisë Kulturore Shqiptare e hapi dhe e bekoi Famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj.

Ky piknik mbahet në bashkëpunim me Westchester County Parks. Dhe, në të morën pjesë përafërsisht dhjetë mijë pjesëmarrës.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Drejtori Ekzekutiv i kontesë Westchester George Latimer, thotë se Westchesteri, krenohet me frymën e përbashkët mes kulturave të shumta të ndryshme, përfshirë atë të shqiptarve. Përjetimin e sfondeve të këtyre kulturave, veçse e zgjeron perspektivën e komuniteteve, duke nxitur një kuptim më të madh të mënyrave të ndryshme të jetesës dhe të menduarit të popullatës së qarkut tonë:

“Si një komunitet, Westchester County përpiqet të nxisë diversitetin, barazinë dhe përfshirjen. Ku, shqiptarët i kushtojnë një vlerë të madhe familjeve dhe trashëgimisë së tyre etnike. Ata vijnë në këtë park të kalojnë kohë cilësore me të dashurit e tyre dhe të mësojnë të tjerët për kulturën e tyre shqiptare, prej nga ata vijnë”, thotë Drejtori Ekzekutiv i kontesë Westchester George Latimer.

Mes mijëra pjesëmarrësve të shumtë ishin edhe klerikë dhe lider të komunitetit, veprimtarë, dhe personalitete të kulturës dhe artit, autoritetet vendore të lokalitetit Westchester County, miq dhe dashamirës të trashëgimisë kulturore, si dhe përfaqësues nga Misioni i Shqipërisë në OKB, dhe nga Konsullata e Republikës së Kosovës në New York, përfshirë zotin Mark Gjonaj, Kryetarin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, Joe DioGuardi me Këshilltaren e Çështjeve Ballkanike Shirli-Klojes DioGuardi, e anëtarë të tjer të Bordit, si dhe përfaqësues shoqatash.

Festivali i Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në New York shfaq për dy dekada kulturën shqiptare me këngë, valle, shfaqje muzikore, aktivitete të ndryshme sportive.

Në këtë festival si gjithmonë tregëtohen nga shitësit ambulant, suvenire tona kombëtare, bluza, dhe seksionet e ndryshme me flamurin kuq e zi, fotografi, postera të përmasave të ndryshme të trashëgimisë kulturore, përfshirë postera me portretin e figurave tona kombëtare, Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin – Skëndërbeun, Nobelisten shqiptare, të Shejtën Nënën Terezë, prijësin legjendar Ded Gjon Lulin, dhe bluza dhe uniforma me simbolet e UÇK-së, dhe Komandatin legjendar Adem Jasharin, e të tjera.

Ky aktivitet masiv përfshin gjithashtu argëtimin për fëmijët, që luajnë me balona, ​​ndërsa frekuentojnë gjatë gjithë ditës këndin e lojërave si dhe bëjnë piktura të fytyrës me simbolet tona kombëtare.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Drejtuesi artistik i veprimtarisë kulturore Fran Çotaj bashkë me Grupin Rozafati drejtuar nga koreografe Agjelina Nika “Mjeshtër i Madh”, këngëtarët Ermina Bushi-Lleshaj, Valdet Luka, dhe Dj Edi, duket se ia shtuan kësaj radhe kënaqësinë pjesëmarrësve të cilët iu bashkuan gjatë gjithë ditës vallëzimit mahnitës dhe mjeshtëror të Grupit të vallëtarëve Rozafa, nga Qendra Kulturore Nënë Tereze pranë Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës.

Gjithashtu, një vend të veçantë në festivalin e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare, në New York, zë si për nga hera aktiviteti sportiv – me turneut e futbollit, volejbollit, shah, e lojrave të tjera zbavitëse.

Drejtori i Revistës "Jeta Katolike", z. Mark Shkreli, duke komentuar këtë veprimtari të komunitetit, tha për festivalin "Piknikun Dita e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare" se dominonin simbolet tona kombëtare, kostumet popullore, kapuçat – plisat e bardhë, flamuri i madh shqiptar, dhe kenget vallet popullore nga të gjitha krahinat.

Z. Shkreli, duke folur për festivalin, theksoi: “Kjo ngjarje vjetore organizohet me qëllim që të gjithë shqiptarët, pa kurrfarë dallimi, të mblidhen dhe të defrehen së bashku, të rinjtë të njihen me njëri-tjetrin dhe me kulturën e tyre, si dhe të njihen me kombet e tjera duke marrë pjesë në këtë veprimtari në këtë park, me traditën dhe kulturën tonë të lashtë, e që, pa dyshim, ia kemi arritur qëllimit.”

Ai është pjesëmarrës i të gjitha këtyre aktiviteteve që organizon kisha, dhe gjithashtu ka postuar një set fotografish dhe ka lënë një status në faqen e Facebook të Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës" në New York, ku thotë se kisha jonë, që nga viti 2004, bashkon komunitetin shqiptar të tre qyteteve metropolitanë të New York-ut pa dallim: "Duket se sivjet ishte më i madhi për nga pjesëmarrja, dhe më i miri për nga kvaliteti, se çdo vit tjetër. Urime Kishës dhe famullitarit Dom Pjetër Popaj dhe drejtorit shumëvjeçar z. Fran Çotaj.”

Padyshim festimi i kësaj feste kap një ridimensionim mbarëkombëtar.

Pikniku "Dita e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare" në komunitetin shqiptar konsiderohet si një ngjarje e ditës, që përfshin fjalime pershëndetse, aktivitete kulturore dhe sportive, argëtim me pjesëmarrjen e grupeve muzikore dhe kërcimtarëve, së bashku me këngëtarët e komunitetit. Edhe pse një ditë duket e pakët për të shpalosur të gjithë thesarin e pasurisë kulturore të një populli, pak nga të gjitha fushat kulturore, të përfaqësuara nga elementet më të mira të tyre, e bëjnë këtë aktivitet të Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës" një ngjarje të rëndësishme kulturore në mërgim. "Dita e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare" në Amerikë "Albanian Cultural Heritage", ka më tepër një karakter festiv e argëtues. Këngëtarët dhe valltarët e grupeve të Këngëve dhe Valleve Popullore përçojnë traditën më të mirë të muzikës dhe valles popullore në një skenë të madhe verore.

Ndërkohë, edhe ritmet e muzikës moderne dëgjohen nëpër park si ato ambiente, techno, house, trance, rock & pop, dance, hip hop, classical, e tjera. Ato përçohen përmes CD-ve dhe DJ-ve, e video klipet shfaqen te grupet e të rinjve që shijojnë të gjitha llojet e muzikës.

Në këtë festival nuk kanë munguar asnjëherë as lojrat popullore e sportive, ushqimi dhe ekspozimi i simboleve kombëtare, flamuj, distiktiva me figura kombëtare, CD me muzikë të ndryshme nga të gjitha trevat, kaseta dhe video kaseta.

Ndërkaq, festivali "Dita e Trashëgimisë Shqiptare" në Amerikë, shfaq gjithmonë te të gjithë shqiptarët shumë veti dhe lë mbresa të bukura që ndikojnë në jetën komunitare.

"Dita e Trashëgimisë Shqiptare" në Amerikë tregon edhe një herë se sa jemi të bashkuar rreth flamurit kombëtar dhe traditës së bukur kulturore artistike në mërgim. Bashkësia shqiptare në Amerikë, edhe me këtë piknik, tregon se ka një potencial të inteligjencës dhe njerëz të kulturës, artit dhe shkencës për nga pjesmarrja, pasi aty është e gjithë Shqipëria në miniature.

Ky argëtim aq masiv jep një shembull tek bashkëatdhetarët nga ana e organizatorit të cilët dinë të ftojnë në çdo kohë shqiptarët e Amerikës, të shlodhen e të argëtohen, e të marrin me shumë energji për t'i derdhur në të mirë dhe për të mirën e organizimit tonë edhe këtu përtej Oqeanit Atlantik në Amerikën e largët.

Veprimtaria kulturore e shqiptarëve nga Nju Jorku dhe Zona e Tri-Shtetëshit, emigruar nga Shqipëria, Kosova e viset shqiptare, bëri bashkë shqiptarët e të gjitha moshave të cilët erdhën me familjet dhe miqtë e tyre, për të marrë pjesë në këtë festival të madh, për të festuar identitetin shqiptar.

Kjo ishte një ditë e mrekullueshme për të gjithë shqiptarët këtu për të festuar kulturën dhe traditën e vyer shqiptare.

"Dita e Trashëgimisë Shqiptare" në Amerikë "Albanian Cultural Heritage" në Kensico Dam Plaza në qytezën Valhalla, perceptohet njëkohësisht si një festival argëtues. I cili bashkon me mijëra mërgimtarë shqiptarë, të emigruar këtu, në periudha të ndryshme nga të gjitha viset e Shqipërisë: Shqipëria, Kosova, Çamëria, Kosova Lindore, Mali i Zi dhe Maqedonia. Ata mblidhen në këtë ambjent të mrekullueshëm natyror, shumë i ngjashëm me bukuritë natyrore të bjeshkëve, luginave dhe fushave të Kosovës, Shqipërisë, e viseve të tjera, për të ringjallur traditën e bukur shqiptare të këtyre festave tradicionale kombëtare.

Me këtë festival, i quajtur "Dita e Trashëgimisë Shqiptare" në Amerikë, Qendra kulturore "Nënë Tereza" nën kujdesin e Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë "Zoja e Shkodrës" dhe Famullitari Dom Pjetër Popaj, mund të themi se tani kanë krijuar një festë në natyrën e bukur amerikane, festë e të gjithë shqiptarëve, nga Uqini, Tuzi, e Tetova, Tirana, Çamëria, Prishtina, Presheva, Plava, Gusia dhe Malësia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat