Konsullata e Kosovës në Nju Jork, shënoi 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës 

Amerika

Konsullata e Kosovës në Nju Jork, shënoi 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës 

Nga: Beqir Sina Më: 13 qershor 2024 Në ora: 08:34
Blerim Reka

NEW YORK :  Kosova shënoi të mërkurën 25 vjetorin e çlirimit. Më 12 qershor të vitit 1999 trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë kjo kremtohet si dita e lirisë së Kosovës.

Nën kujdesin e Ambasador, Blerim Reka, Shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, mbrëmë në një nga mjediset e kësaj konsullate, është shënuar 25 - Vjetori i Çlirimit të Kosovës.

Të pranishëm në këtë manifestim ishin dhjetra përfaqësues të komunitetit si dhe disa Ambasadorë të vendeve mike të Kosovës të akredituar në OKB, përfshirë Ambasadoren Suela Janina, shefe e misionit të Shqipërisë në OKB.

Ambasador Reka në cilësinë e mikëpritësit të kësaj feste tha se Aleatët euro-atlantik, javën e kaluar festuan 80 vjetorin e mposhtjes së nazizmit hitlerian, e ndërsa Kosova sot po kremton 25 vjetorin e çlirimit nga fashizmi millosheviqian: Para tetë dekadash, tha ai zbarkimi i aleatëve në Normandi dhe para çerek shekulli hyrja e NATO-s në Kosovë, pas ndërhyrjes ajrore 78 ditëshe; i dhanë fund dy regjimeve gjenocidale. 

Mëtej  Shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, tha se ndërsa D-Day”, shënoi desantin trans-atlantik krah rezistencës së armatosur franceze, hyrja e tankeve britanike të KFOR-it, shënoi zbarkimin e trupave veri-atlantike, në vijim të luftës çlirimtare të UÇK-së. 

"Derisa Republika e Kosovës, u ngrit nga hiri i luftës, në një rrëfim suksesi të shtet-ndërtimit demokratik; Beogradi, nuk ndryshoi as pas çerek shekulli. Agresioni në Banjskë vjet dhe “Kuvendi Pan-Serb” sivjet, dëshmuan se Serbia mbeti e njejta: hegjemoni militariste, e papenduar për të kaluarën e saj gjenocidale" u shpreh Reka. 

Ndërsa duke dhënë një falemnderim të posaçëm luftëtarëve të lirisë dhe aleancës veriatlantike, ai përcolli me këtë rast edhe urimin për 25-vjetorin e lirisë : "Kosovë, urime dita e çlirimit!" tha Ambasador, Blerim Reka, Shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork.

Mbrëmë në këtë festë në shënimin e  25-vjetorit të çlirimit të Kosovës preformojë në mënyrë të shkëlqyeshme dhe artisti nga Kosova, Armend Baloku, me interpretimin e kryeveprës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malëcisë".

Pjesëmarrësit në statuset e tyre në rrjetet sociale  janë shprehur të lumtur me organizimin e 25-vjetori të çlirimit të Kosovës, në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat