Në 100-vjetorin e meshës së parë shqipe të mbajtur nga Fan Noli, shkova në Boston, ku At Arthur Liolin kishte ftuar një numër personalitetesh. Mes të ftuarve ishte aktori Jim Belushi, i cili me humorin e tij amerikan na bëri të qeshnim me zë të lartë.
Ai na tregonte histori për nënën e tij shqiptare, për byrekun e saj me groshë që i biri nuk e dinte çfarë ishte, dhe lloj-lloj episodash komike.
Për një farë kohe ai u zhduk prapa një perdeje, i shoqëruar nga dy-tre bodigardë. Dikush pëshpëriti se Belushi merrte rregullisht drogë para se të interpretonte. Ka mundësi që kjo të ishte e vërtetë, sepse, kur ai u kthye në skenë, më dukej si një njeri krejt tjetër. Me një orkestër të vogël ai nisi të interpretojë përpara të gjithëve këngët e tij blues. Dukej sikur dikush i kishte vënë fitilat. Zëri i tij ishte aq i fortë dhe dinamik sa na elektrizoi të gjithëve. Salla u dynd drejt skenës dhe më të rinjtë nisën të kërcejnë.
Belushi lëvizte me mikrofon në dorë dhe dukej sikur nuk këndonte vetëm ai, por e gjithë salla.
Kulmi arriti kur ai këndoi bluesin e famshëm "Everybody Needs Somebody", që kishte interpretuar vëllai i tij i ndjerë, John, me aktorin tjetër Dan Aykroyd në filmin "The Blues Brothers".
Atë mbrëmje, aparati im kapti një foto të rrallë që, pa e ditur, do të bëhej e famshme.
Ishte Jim Belushi duke qëndruar përpara flamurit shqiptar me dorën në zemër, siç bëjnë amerikanët, ndërkohë që luhej himni i Shqipërisë. Ishte një pamje e jashtëzakonshme: njeriu, flamuri dhe himni. Kjo foto vërtet fliste sa një mijë fjalë.
Të nesërmen hodha me dhjetëra fotografi në internet.
NBC, një nga kanalet kryesore televizive, ishte duke përgatitur një material biografik për vëllezërit Belushi dhe kishin gjetur këtë fotografi në internet. Ata dëshironin ta përdornin foton time dhe regjisori i dokumentarit më dërgoi një mesazh, duke kërkuar të dinte se për kë punoja dhe nëse mund ta përdornin foton me Belushin dhe nëse fotoja ishte me pagesë.
U thashë se ishin të lirë ta përdornin foton falas. Më bëri përshtypje se sa të kujdesshëm ishin me të drejtën e autorit dhe më bënë të plotësoja tre formularë.
Në Los Angeles për të parë Shenjën e Hollivudit:
Los Angeles, një qytet "mit" amerikan që strehon një vend të famshëm të njohur në të gjithë planetin - Hollywood-in. Qyteti nuk është vetëm një "strehë" e mbushur me yje, por edhe një "fabrikë" e pashtershme ëndrrash. Hollywood-i është më shumë se thjesht shkëlqim; ai ofron një shumëllojshmëri përvojash për njerëzit e të gjitha shijeve në mbarë botën.
Pavarësisht nëse jeni në lagjen Beverly Hills apo jeni duke kërkuar emrat e yjeve në Walk of Fame ose duke shijuar pamje piktoreske nga kodrat e Hollywood-it, argëtimi nuk mbaron kurrë këtu. Los Angeles-i, me 18 gjërat më të mira për të vizituar, ju jep mundësinë për ta bërë vizitën e ëndrrave hollivudiane një "skulpturë" në kujtesën e paharrueshme.
Për çdo njeri të pasionuar pas filmave hollivudianë, ajo sigla "Studio Hollywood" është një ikonë historike dhe kulturore amerikane.
Hollywood-i, në Los Angeles, Kaliforni, patjetër që është një ëndërr për ta vizituar.
Observatori Griffith në zonën e njohur Hollywood është një vend për t'u vizituar. Aty, ndoshta një fotografi nga larg mund të plotësojë edhe atë ëndërr për ta vizituar Hollywood-in. Është një qendër turistike që ju ofron mundësinë, përmes teleskopëve, të shikoni një shfaqje planetare.
Aty është një vend i mrekullueshëm për të parë Los Angeles-in dhe Shenjën e Hollywood-it si i themi ne shqiptarët "në pëllëmbën e dorës".
"HOLLYWOODLAND", që u zëvendësua tërësisht në vitin 1978 me një strukturë tjetër më të qëndrueshme prej çeliku, 13.7 metra e lartë dhe 130 metra e gjatë me bazamente betoni, me Shenjën e HOLLYWOOD, ndodhet në malin Lee, mbi Kanionin Beachwood në malet Santa Monica, dhe shifet në çdo pjesë të atyre maleve.
Sipas statistikave, kjo zonë mbi qytetin e Los Angeles-it vizitohet çdo ditë nga mbi 100 mijë turistë amerikanë dhe të huaj që vijnë nga e gjithë bota.
Kjo vizitë nuk i mungoi as vizitës sime në Los Angeles këtë fund pranvere, dhe patjetër u "skulpturua" në kujtesën time, në atë që e kam quajtur në përshkrime të tjera "Rrugëtim nëpër Amerikë."
2 prill 2004, John Belushi merr një yll në trotuarin e yjeve të Hollywood-it në Los Angeles, "Walk of Fame"
Për një rastësi me një vit jubilar gjatë vizitës sime në Los Angeles, vizitova, pasi isha kurioz, të gjeja në "trotuarin" e famshëm që quhet "Hollywood Walk of Fame" yllin e John Belushi.
Një yll ky që në prill 2004, lajmet nga Hollywood-i thanë se komediani i ndjerë John Belushi, me origjinë shqiptare, u nderua në "trotuarin" e famshëm që quhet "Hollywood Walk of Fame".
John Belushi vdiq nga një mbidozë droge në vitin 1982.
Në ceremoninë e vendosjes së yllit të John Belushi në trotuarin e famshëm dy dekada më parë, u tha se morën pjesë vëllai i tij Jim Belushi, e veja dhe menaxheri i Belushit për të përkujtuar komedianin në Bulevardin Hollywood në vitin 2004.
Në biografinë e tij thuhet se Belushi vdiq nga një mbidozë e kokainës dhe heroinës në moshën 33-vjeçare. Trupi i tij u gjet në një shtëpi njëkatëshe në hotelin Chateau Marmont në West Hollywood. Vdekja e tij "çuditi" Hollywood-in dhe u bë një "përrallë e keqe" paralajmëruese për aktorët e tjerë në industrinë e kinematografisë botërore.
Megjithatë, pavarësisht faktit se cila ishte shkaku i vdekjes së John Belushit, zyrtarët e Walk of Fame thanë dy dekada më parë se në fund vendosën që natyra e vdekjes së Belushit nuk duhet të skualifikojë një yll dedikuar atij nga "sigurimi" i një vendi në bulevardin famshëm "Hollywood Walk of Fame".
"Unë mendoj se ndoshta (komiteti) ishte bërë më dashamirës," tha Johnny Grant, kryetar i bordit të Walk of Fame. “Mënyra se si një yll e ka jetuar apo ka vdekur nuk ka të bëjë me kualifikimet e tyre. Ajo që ka rëndësi është ajo që ata i kanë dhënë artit, industrisë kinematografike dhe komunitetit.”
John Belushi ishte biri i një emigranti shqiptar në Çikago. Ai u bë i famshëm në shfaqjen televizive të orëve të natës "Saturday Night Live", duke luajtur personazhe të tillë si një samurai me shpatë, një kuzhinier i çuditshëm dhe një "bletë" gjigante. Por ishin rolet e tij në dy filma - "Animal House" dhe "The Blues Brothers" - që e bënë atë një yll më të madh të Hollywood-it.
Por, në jetën reale, thanë miqtë e tij gjatë ceremonisë së vendosjes së yllit 20 vjet më parë, ai ishte një aktor i zgjuar e i mprehtë dhe mjeshtër i komedisë në skenë.
E veja e Belushit, gjatë ceremonisë, kujtoi se si ai e kishte sjellë atë në të njëjtën rrugë në vitin 1972 gjatë udhëtimit të tyre të parë në Los Angeles.
“Kjo ishte para vizitës së Nju Jorkut. Ne shkuam në LA dhe vizituam vetëm dy vende: Tregun e Fermerëve dhe Walk of Fame,” tha ajo. “Ai kishte një parandjenjë se donte të bëhej aktor dhe mendonte se donte të shihte të gjithë yjet që kishin ardhur më parë në 'trotuarin' e famshëm që quhet 'Hollywood Walk of Fame' në Los Angeles.”