Atë tashmë e njohin të gjithë për punën dhe veprimtarinë e tij, që, megjithëse jeton në Amerikën e largët, gjithmonë jep kontributin e tij për shqiptarët. Fjala është për veprimtarin e njohur Naser Nika, i cili këto ditë, bashkë me shumë personalitete të huaj dhe shqiptarë, ka vizituar disa qytete të Kosovës. Vetë Naser Nika në një postim në rrjetin e tij social, shumë të ndjekur në Facebook, tregon edhe për nderin që i është bërë në komunën e Malishevës. Ai shkruan konkretisht kështu:
"Miq të dashur! Dua të ndaj me ju një lajm të mirë: sot, me propozim të kryetarit të Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, dhe me votimin e të gjithë anëtarëve të Asamblesë, më është ndarë çmimi “Qytetar Nderi” i Komunës së Malishevës.
Ky është një nder shumë i madh që më është bërë mua nga një komunë e Kosovës që drejtohet nga një kryetar i jashtëzakonshëm dhe i dashur nga populli, siç është kryetari Ekrem Kastrati, të cilit i jam përherë mirënjohës.
Këtij momenti të mirë i ka dhënë edhe më shumë kuptim fakti se bashkë me mua, “Qytetar Nderi” të Komunës së Malishevës janë shpallur edhe dy personalitete të larta të politikës së shtetit të New Yorkut: anëtari i Asamblesë, Charles D. Fall, dhe anëtari i Këshillit, z. David Carr.
Faleminderit, Kryetar Ekrem Kastrati, faleminderit, Komuna e Malishevës!"
Bashkë me këtë status, ai ka postuar edhe disa fotografi, disa prej të cilave po i shihni edhe ju nga kjo ceremoni.