Fruta të freskëta, zarzavate të gjalla

Amerika

Fruta të freskëta, zarzavate të gjalla

Nga: Ilir Ikonomi Më: 29 gusht 2024 Në ora: 09:34
George Bernard Shaw

Në vitet 1947-1948, kur jetonte në Boston, Fan Noli shkëmbeu disa letra me shkrimtarin e madh irlandez George Bernard Shaw, i cili e kishte pëlqyer mjaft studimin e tij me titull “Beethoveni dhe revolucioni francez”. 

Shaw nuk ishte nga ata shkrimtarë që merrnin lehtë mundimin të shkruanin letra. Ai ishte fitues i Çmimit Nobel në letërsi dhe konsiderohej si dramaturgu i dytë më i madh pas Shekspirit. Ishte 92 vjeç.

Sigurisht, Noli e quante për nder të mbante korrespondencë me shkrimtarin e famshëm dhe letrat që i shkruante i fillonte me fjalët "My dear Patriarch" (Patriarku im i dashur).

Të paktën dy prej tyre kishin lidhje me ushqimin dhe dietën. Më 15 mars 1948, Noli i shkruante kështu dramaturgut:

"Ashtu si ju, unë jetoj kryesisht me fruta të freskëta dhe zarzavate të gjalla. Edhe besimtarëve u këshilloj të njëjtën gjë. E vetmja me të cilën nuk jam dakord me ju janë pijet me ngjyrë, që, për mendimin tim, bëjnë po aq dëm sa edhe ato alkoholike. Ne nuk e dimë se çfarë fusin në formulat e tyre kapitalistët e uruar për t’i bërë ato të shiten. Unë e kam hequr bukën fare dhe, në vend të saj, ha oriz të zier, grurë, misër ose patate të pjekura. 

Çdo ditë ha tre vakte të lehta, por kjo nuk do të thotë që e kritikoj dietën tuaj me një vakt. Siç e thatë edhe vetë në ditëlindjen tuaj, ju jeni tani një i rritur, ndërsa unë, në krahasim me ju, nuk jam veçse një bebe 66-vjeçare.

Gjëja e parë që bëj kur ngrihem në mëngjes është të pi tre ose katër gota ujë dhe pastaj, gjatë ditës, ziej çaj me fiq të thatë ose me kajsi dhe kumbulla të thata. Meqenëse këmbët e mia janë ndoshta më të ngathta se tuajat, përpiqem t’i mbaj në formë me ushtrime çdo mëngjes, me masazh ose me ecje të përditshme. Ne jemi ende të rinj dhe unë shpresoj t’ju forcohen këmbët, tani që të dy po bëhemi gjithnjë e më të pjekur".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat