Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti u mirëpritë në një organizim madhështor nga mërgata në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” në Waterbury, Connecticut.
Mes pjesëmarrësve të shumtë në këtë pritje ishte dhe kryetari i qytetit të Waterbury, Paul K. Pernerewski Jr., senatori amerikan Richard Blumenthal si dhe shefi i Policisë së Ëaterbury, Fred Spagnolo.
Kurti falënderoi bashkatdhetarët për pritjen e përzemërt. Njëkohësisht falënderoi për kryetarin e qytetit, Pernerewski e senatorin Blumenthal për praninë e tyre dhe fjalët e tyre mbështetëse, dhe për nderimin me Çelësin e Qytetit.
“Ne e dimë që ju jeni jashtë atdheut, por po ashtu e dimë që ju jeni brenda kombit dhe duke qenë brenda kombit kemi përgjegjësi për njëri tjetrit, e duhet të punojmë bashkë sa më shumë për një kontribut sa më të madh edhe shoqëror e familjar por e dhe shtetëror e kombëtar ashtu që shqiptaria që do t’ia lëmë brezave pas nesh të jetë shumë më e mirë se sa ajo që e kemi gjetur”, tha Kurti gjatë adresimit të tij.
Duke reflektuar mbi të arriturat e shtetit të Kosovës 25-vjet pas çlirimit, ai shtoi se Kosova është histori e dyfishtë suksesi: i intervenimit të NATO-s që e ndali gjenocidin e Serbisë si dhe rritjes ekonomike të kombinuar me progres demokratik.
“Për të dy këto rrëfime të suksesit, në zemër të tyre i kemi ShBA-të, që ishin aleati, miku dhe partneri ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm, edhe për çlirim e pavarësim, por edhe për zhvillim e demokratizim. Andaj faleminderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës me të cilat ne gjithnjë ndajmë vlera, interesa, parime dhe qëllime të përbashkëta”, deklaroi Kurti.
Të pranishmit që kishin ardhur të dielën për të mirëpritur delegacionin nga Qeveria e Republikës së Kosovës, i përshëndeti me një fjalë rasti edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz. Ndër të tjera ajo u shpreh:
“Siç ka ditur mërgata jonë e çmuar të rreshtohet pas presidentit Rugova në luftën për liri dhe pavarësi, siç kemi ditur të kontribuojmë të gjithë së bashku në mbrojtën dhe çlirimin e vendit përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu edhe sot do të dimë të rreshtohemi pas institucioneve të Republikës së Kosovës të cilat garantojnë një përparim të republikës sonë, një të ardhme më të mirë dhe një luftë të vendosur për të vërtetën”.
Ndërkaq në fjalën e tij, kryetari i qytetit të Waterbury, Paul K. Pernerewski Jr., që numëron një komunitet prej 12 mijë shqiptarëve, tha se komuniteti shqiptar në Waterbury është ndër më të mëdhenjtë në Amerikë dhe se ata kontribuojnë çmueshëm në jetën shoqërore të qytetit. Ai u shpreh i nderuar që sot qyteti po mirëpret Kurtin dhe në emër të tij dhe qytetarëve, tha se ka kënaqësi që t’ia dhurojë Çelësin e Qytetit, si vlerësim ndaj udhëheqjes dhe përkushtimit të Kryeministrit për nxitjen e miqësisë ndërkombëtare dhe simbol që dyert të qytetit të Waterbury janë gjithmonë të hapura për të.
Më tej, Senatori Richard Blumenthal i shprehu mirëseardhjen Kurtit në Connecticut, duke e quajtur atë një person që e di mirë se çfarë do të thotë të luftosh për liri dhe për vendin, dhe se e admiron kurajën dhe qëndresën e tij. Ai shtoi se e gjithë Amerika do të qëndrojë përkrah Kosovës, teksa përballemi me Serbinë dhe Rusinë. Ai shprehu dëshirën që ta vizitojë Kosovën bashkë edhe me senatorë të tjerë amerikanë dhe rikonfirmoi mbështetjen e tij për Kosovën si dhe komunitetin shqiptar në Amerikë.
Në kuadër të organizimit mikpritës kishte edhe një program kulturor-artistik me këngë dhe valle tradicionale.