Shoqata e Policëve Shqiptarë në NYPD “Illyrian” organizoi më 3 tetor 2024 një ngjarje të veçantë, ku u festua kontributi i komunitetit shqiptar në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut.
Mbrëmja Gala e Çmimeve 2024 mblodhi së bashku oficerë policie, udhëheqës komuniteti dhe të ftuar të shquar, duke nderuar trashëgiminë kulturore të pasur të popullit shqiptar dhe rolin e tyre të rëndësishëm në shërbimin publik të qytetit të Nju Jorkut.
Në një atmosferë të gjallë, të ftuarit patën mundësinë të përjetonin zakone tradicionale shqiptare, muzikë dhe kuzhinë, duke u zhytur në kulturën shqiptare.
Ngjarje të tilla janë të rëndësishme për të forcuar lidhjet midis komuniteteve të ndryshme brenda NYPD-së, duke promovuar unitetin dhe respektin për kulturat e ndryshme.
Mark Gjonaj, politikan, aktivist dhe kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, theksoi rëndësinë e këtij eventi duke thënë: “Ishte një natë e mrekullueshme, duke nderuar dhe falënderuar Shoqatën Ilire të NYPD-së për gjithçka që bëjnë për komunitetin tonë dhe për qytetin e madh të Nju Jorkut.”
I pranishëm në këtë ngjarje unike për komunitetin, Kreu i Departamentit të NYPD-së e përshëndeti rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke thënë: “Isha i nderuar të bashkohesha me Shoqatën Ilire të NYPD-së në Gala-n e tyre të parë të Çmimeve.
Së bashku festojmë përkushtimin dhe komunitetin. Anëtarët e Shoqatës Ilire tregojnë se si shpirti shqiptar shkëlqen në përkushtimin e tyre të palëkundur ndaj familjes, komunitetit dhe qëndrueshmërisë.”
Në këtë ngjarje, u vlerësua puna e palodhur e Shoqatës së Policëve Shqiptarë në NYPD për mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe për promovimin e diversitetit brenda forcave të rendit. (B.S.)