Hafiz Shala, publicist dhe veprimtar shqiptar-amerikan, njëherit edhe anëtar i Bordit ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ka njoftuar se ka dhënë votën e tij për zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Në një postim në profilin e tij në Facebook Shala ka shkruar se ndihet krenar që në SHBA askush nuk ia imponon votën me anë të shantazhit apo korrupsionit.
“Sot, votova më herët, para 5 nëntorit. Sot, si qytetar i këtij shteti mik, shpëtimtar, gardian dhe përcjellës nën kujdesin e tij në të gjitha etapat e ecjes së Republikës së Dardanisë, ndihem krenar dhe i lumtur se askush nuk ma ndalon rrugën më të pyet, kërcënuar, korruptuar dhe shantazhuar për votë. Më qëllim e vura në blozë shenjën që tregon se votova sipas mendimit dhe përcaktimit tim të lirë. Më qëllim ecja qytetit, pasi ishte një ditë shumë e mirë për t’u treguar edhe të tjerëve se unë votova, e ju? Kishte disa nga ata që më përgëzonin, nga ata të cilët shpreheshin se edhe unë jam në rrugë për të votuar duke më uruar. Ia ktheva më të njëjtën, duke u dëshiruar të mira dhe votim të suksesshëm”, shkroi Shala.
Ai ka dhënë disa arsye se përse nuk e ka votuar kandidatin për president Donald Trump, nisur nga programi dhe qëndrimet e tij politike brenda SHBA-së, por sidomos pozicionin që ish-presidenti e mbanë përball situatës në Kosovë.
“Sot, unë votova për demokracinë reale, të papenguar, të cunguar, ose të detyruar nga presioni, por me dëshirë, vullnet dhe shpresë që në krye të SHBA-ve të vijë kandidati i cili është për qytetarin, pa marrë parasysh prejardhjen, përkatësinë etnike, religjioze ose racore. Nuk votova për atë i cili një pjesë të Amerikës e quan bërllog. Votova për atë kandidat, i cili/la nuk e kërcënon qytetarin, duke thënë se nëse nuk e votojnë për të, do të ketë gjakderdhje, ose për atë i cili, sipas deklaratës së tij, është adhuruar nga oficerët e kohës së Adolf Hitlerit, të cilët do të dëshironte t’i kishte në stafin e tij. Nuk votova për atë i cili është i afërt me Putinin, të cilit i dërgon testet e COVID-19 për përdorim personal dhe diçka më tepër. Nuk votova për atë i cili, në bashkëpunim me ish-udhëheqjen e kaluar, në zyrën Oëall, tentuan të ashtuquajturin “korigjim-ndarje të veriut”, të cilin e mohonte, por bashkëpunëtori i tij për Siguri Kombëtare ia demantoj. Nuk votova për atë i cili i kërkoi falje Serbisë për bombardimet ndaj forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, për të parandaluar një gjenocid ndaj popullatës shqiptare, ndërsa dhëndëri i tij ishte i gatshëm t’i rregullojë varrezat e atyre ushtarëve që vranë mbi 15,000 shqiptarë, dhunuan 20,000 femra, vranë 1,620 fëmijë, shkatërruan 120,000 shtëpi dhe mbajnë 1,600 persona në varrezat masive. Nuk votova për atë i cili nuk ka një qëndrim të njëjtë si ndaj Serbisë, mike e Rusisë, e cila për qëllim ka nxitjen e konfliktit Dardani-Serbi, që e shprehu më 24 shtator 2023, kur Dardania u sulmua nga grupet terroriste me qëllim të aneksimit të veriut. Nuk votova për atë i cili, përmes të dërguarit të tij dhe në bashkëpunim me opozitën e atëhershme, bëri komplot ndaj Qeverisë Kurti I, e cila u kthye më e fuqishme se kurrë më parë në historinë e Republikës së Dardanisë”, është shprehur ai.
Shala ka theksuar se sido që të jetë rezultati, shqiptarët duhet të jenë unik në çështjet që lidhen me interesin kombëtar.
“Shpresoj që më 6 nëntor, Amerika të zgjohet e lumtur, e qeshur dhe e gëzuar.
Sido që të jetë, ne duhet të jemi unik në çështjet më të interesit kombëtar, me theks të veçantë në marrëdhëniet me Serbinë, në ruajtjen e pavarësisë, integritetit dhe tërësisë territoriale.
Lus që partitë opozitare, mos t’i bëhen krah Rusisë kur janë në pyetje interesat kombëtare, të cilat nuk kanë leva që nuk i lëvizin që nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe të gjitha instancat e tjera relevante ndërkombëtare, nga të cilat nuk sulmohet Kryeministri Kurti, ose më mirë të them, udhëheqja aktuale, e cila në të gjitha instancat ndërkombëtare, çështjen e Republikës së Dardanisë dhe sulmet përmes gënjeshtrave serbo-ruse, me dinjitet po i artikulon, po i mbron dhe po i afirmon.
Paraqitjet e tyre si të Presidentes, Kryeministrit, Kryeparlamentarit, Zëvendës Kryeministrës dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, vërtetë janë dinjitoze përballë sajuarave serbo-ruse, me qëllim të denigrimit, mohimit dhe inekzistencës së shtetit sovran, të cilin Serbia dhe përfaqësuesit e saj e kryqëzojnë me emra siç dëshirojnë ata, “Kosovo i Metohija” (toka kishtare).
Për fatin e ardhshëm tonin, fajin e bartim vetë, prandaj, duke i lënë jashtë interesat për pushtet, duhet të krijohet një unitet që është më se i nevojshëm sot, sepse nesër është vonë. Kur Rusia nuk e lëshon nga goja emrin e Kryeministrit Kurti si të “rrezikshëm”, ndërsa opozita, më apo pa dashje, shpesh po gjendet në të njëjtat pozita, shtrohet pyetja, kush është bashkëpunëtor i Serbisë-Rusisë. Historia do të na e thotë të vërtetën dhe do të na gjykojë e dënojë”, përfundoi Shala.