Gjon Frani Ivezaj, një ambasador i Shqipërisë në botë!

Amerika

Gjon Frani Ivezaj, një ambasador i Shqipërisë në botë!

Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 15:54
Gjon Frani Ivezaj

Malet kanë nxjerrë trima mbi trima. Të parët ishin ata që shkonin pas pushkës, për të mbrojtur Atdheun duke rrezikuar edhe jetën e tyre, ndërsa të dytët janë ata që investohen me mish e me shpirt për të punuar e shkruar për të.

Megjithëse vjen nga një familje ku pushka shtihej vetëm për nder dhe për Atdhe, ai sot trumbeton me penën e tij fuqishëm vlerat e vendit të të parëve.

Është një njeri i thjeshtë në dukje dhe shumë dimensional në brendësi... Nga ata njerëz të zakonshëm, të cilët kanë bërë punë të jashtëzakonshme, por për të cilët kurrë nuk është thënë një fjalë e vetme.

Është Profesori i nderuar Gjon Frani Ivezaj, protagonisti i këtij shkrimi, i cili me shumë modesti dëshiron të duket një njeri si të gjithë të tjerët, por janë veprat dhe shkrimet e tij ato që e lartësojnë pa asnjë dyshim, për këdo që ka pasur fatin ta njohë, ndër ta edhe unë.

Kam pasur fatin ta takoj dy herë në jetën time. Herën e parë, kur në Bibliotekën "Marin Barleti" të Shkodrës prezantoi dy nga veprat e tij historike "Iliro-paganët dhe sfidat e krishterimit në Shqipëri" si dhe librin "Rrënjët dhe malet e Malësisë së Madhe".

Ishte korrik i këtij viti, kur salla e madhe e bibliotekës, një kult i qytetarisë, u mbush plot me intelektualë, njerëz të letrave, studiues, publicistë, gazetarë dhe artistë. Të gjithë vinin për të takuar këtë njeri, i cili, përmes veprave të bukura dhe plot vlerë, është kthyer në një pasaportë të mirë për të gjithë shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hera e dytë kur pata fatin të takohesha me Profesor Gjonin ishte në Bibliotekën e Universitetit "Luigj Gurakuqi". Ai vinte sërish nga Amerika me një tjetër mision që fliste "shqip".

Një dokumentar realizuar me mjeshtëri nga Radio Televizioni Publik Shqiptar, që mbante firmën e Engjëll Ndocajt, e solli përsëri Profesor Gjonin në Shqipëri.

Nuk ishte një dokumentar i zakonshëm, madje asgjë të zakonshme nuk shfaqej në të, sepse, nga rrjedha e largët e shekujve, autori i tij nxirrte në pah Zef Prele Marashin, gjyshin e Profesor Gjonit.

Një trim i cili nuk u shqua vetëm për nishanet e luftës, por edhe për zemrën e bardhë të tij.

Ishte një ditë e veçantë për Profesor Gjonin, jo vetëm për faktin që e shoqëronte një peshë e madhe krenarie, por edhe përgjegjësia për të nxjerrë në dritë fakte të tilla historike: personazhe të jashtëzakonshëm që ngjajnë me ata të legjendave dhe që edhe jetën e dhanë për vendin ku kanë lindur.

Në këtë ditë të veçantë, mes emocioneve të përkujtimit të të parëve të tij, Profesor Gjoni promovoi edhe librin "Malësorë të rritur në kullat e gurit".

Personalitetet nuk munguan në këtë aktivitet. Si nga Shkodra e Malësia e Madhe, ashtu edhe nga Malësia e përtej kufirit, të gjithë duartrokiten punën e palodhur të Historianit Gjon Frani Ivezaj.

Vërtetë, moti që ishte i ftohtë atë nëntor, por ajri në sallë percillte vetëm ngrohtësi, nga ajo që të fal prezenca e njerëzve të mëdhenj, të cilët lartësohen përmes mirësisë.

Pak para promovimit të dokumentarit dhe librit të tij, të gjashtin në radhë, unë pata fatin ta intervistoj.

Mes emocioneve të pafundme, më fliste për gjyshin e tij, bazuar jo vetëm në kujtime, por dhe në fakte historike. Kur atje në Grudë, Zef Prele Marashi njihej si një njeri me shumë virtyte.

Me nder dhe krenari, Profesor Gjoni më rrëfeu rrugën aspak të lehtë të gjyshit të tij, i cili kurrë nuk u dorëzua pa i dalur zot të drejtës. E nëse gjyshi i tij luftoi dhe mbrojti të drejtën me pushkë, Profesor Gjoni e mbron atë me fakte historike.

Vite e vite larg, ai ka hulumtuar në shtigjet e luftërave dhe ka nxjerrë prej aty luftëtarë, intelektualë, klerikë, të cilët kanë një kryefjalë dhe një ideal: Malësinë.

Dhe duket se duke i vendosur këta burra të Malësisë në piedestalet që u takojnë, ai ka ngritur dhe ka lartësuar veten e tij.

Në të dyja rastet që u takuam, pashë një komunikim të thjeshtë, një njeri kaq i formuar, intelektual i vërtetë, me shumë tituj dhe mirënjohje të marra ndër vite, vlerësime për punën e tij të palodhur, por gjithashtu kaq njerëzor. Në pritje për të takuar personazhe të rinj dhe për t’i shkruar për ta me shumë dëshirë.

Me ambicien e një studiuesi të palodhur, ai ka kërkuar dhe hulumtuar për të gjithë ata që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Hulumtimet e tij nuk ndalen vetëm në atë çka faktet flasin për Shqipërinë, anë e mbanë kufijve, por edhe në arkivat më të zëshme të Europës, në vende si Athina, Roma, Vjena, Dubrovniku, Budapesti, Zagrebi, Sofia, Milano dhe shumë qytete të tjera me rëndësi të madhe dhe të njohura botërisht.

Profesor Gjoni e ka bërë këtë me qëllimin e vetëm: që ajo çka thuhet për shqiptarët dhe sidomos për malësorët, të jetë reale dhe e faktuar.

Një shprehje e bukur thotë: "Çdo punë që bëjmë kërkon sinqeritet dhe përkushtim të vazhdueshëm", dhe mesa duket, kjo vlen padyshim edhe për Profesor Gjonin. Puna e tij është një frymëzim për brezat më të rinj, përfshirë këtu edhe mua. Një shembull për t’u ndjekur i një njeriu që lavdëron gjithmonë të tjerët dhe asnjëherë veten e tij.

Studimet në degën e filozofisë e kanë bërë këtë burrë të shohë përtej barrierave të kohës, të traditave e zakoneve, duke i përcjellë ngjarjet dhe personazhet me vërtetësi. Të flasë në mënyrën më të mirë për ta, edhe për vete, të dëshirojë të mbetet modest dhe gjithmonë fjalëpakë, por me punë shumë.

Përveç tre librave të lartpërmendur, më herët në karrierën e tij si studiues dhe publicist, Profesor Gjoni ka botuar edhe libra të tjerë.

"Copeza Histori Kombëtare"
"Fisi Ivezaj në Rrjedhat e Historiisë"
"Gjurmime Historike në Rrënjët Kombëtare"
për të pasuar më pas me librat:
"Iliro-Paganët dhe Sfidat e Krishterimit në Shqipëri"
"Rrënjët dhe Malet e Malësisë së Madhe"
dhe "Malësorë të Rritur në Kullat e Gurit".

Të gjithë këto botime nuk janë vetëm vepra të Profesor Gjonit, janë një pasuri e çmuar kombëtare që i vlen gjithë shqiptarëve.

Edhe jo vetëm librat e shkruar ndër vite, por edhe shkrimet historike dhe ato filozofike, i shtojnë vlerat këtij njeriu që është kthyer në një personifikim të një pasurie kombëtare në botë!

Është ndër të paktët njerëz që kam njohur, që nuk ngurron të flasë mirë për të tjerët. Një njeri që punon pa u lodhur, pa pushim, në shërbim të identitetit kombëtar.

Kushdo do ta donte arritjen e këtij njeriu, por shumë pak mund të krahasohen me të, pasi janë dashur dhjetëra vite studime, dhjetëra vite hulumtimesh dhe kërkimesh shkencore për të shkruar dhe botuar veprat që janë sot në duar të lexuesve shqiptarë dhe atij botëror.

Jo vetëm shkruan bukur për personazhe të cilat i ka mbuluar pluhuri i kohës, por edhe për ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme, apo për ndjeshmëri krejt hyjnore, siç është edhe feja, e konkretisht krishterimi, dhe sfidat përmes të cilave ka kaluar në periudha të ndryshme historike në vendin tonë.

Pak ditë më parë, në ditën e bukur të Krishtlindjes, më 25 dhjetor, Televizioni Publik Shqiptar publikoi për herë të parë, pas promovimit në Shkodër, dokumentarin kushtuar atdhetarit dhe patriotit Zef Prele Marashi.

E gjithë Shqipëria, por edhe më gjerë, e gjithë diaspora, u njoh jo vetëm me këtë burrë të maleve, por edhe me nipin e tij, Gjon Frani Ivezaj, një pasardhës që kushdo do ta kishte fatin ta kishte si pinjoll. Ishte ky dokumentar që më solli kujtimet e asaj dite dhe takimet fatlume me Profesor Gjonin. Mora guximin të shkruaj dhe të flas për një njeri që flet për të gjithë, por asnjëherë për veten e tij!

Modest deri në madhështi... Janë të paktë ata që mund të krahasohen me Profesor Gjonin nga virtytet që e karakterizojnë dhe zemra e bardhë, të cilën e ka trashëguar nga të parët, për t’ia përcjellë edhe fëmijëve të tij.

Paç jetë të gjatë, Profesor, që falë punës tënde të njohin shqiptarët dhe Shqipëria kudo në botë! Të priftë e mbara gjithmonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat