Philadelphia PA : Mbasi më parë një rrugë në Bronx të New Yorkut, dhe rrugës “Salisbury” në Worcester të Massachusetts, që u emërtuan, nesër ( e Diel 17 nëntor 2024) është radha e Filadelfias që rruga Willits Road, të emërtohet me emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot - Skënderbeu.
Vetëm 12 ditë nga 112 vjetori, i ditës së pavarësisë së Shqipërisë, në muajin që shqiptarët e Amerikës e quajnë : "Nëntori kuq e zi”, në qytetin e Filadelfias (Pennsylvania), do të festohet me një aktivitet të veçant, ose madhështor si njofton Shoqata Bijtë e Shqipes, e cila është ideatori dhe organizatori përurimit të emertimit të rrugës "Willits Road", duke marrë emrin e heroit tonë kombëtar "Gjergj Kastriot - Skënderbeu".
Por, ndoshta ky emërim që është me madhështori ngase do të bëhet në një vend nga më të zjarrtë në SHBA, në Filadelfia pikërisht aty ku dhe është dhe selia zyrtare e Revolucionit Amerikan, ose siç njihet ndryshe; Qyteti i Dashurisë Vëllazërore që ka krenari të veçantë në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fati e solli që edhe shqiptarët e Filadelfias, të festojnë Dashuri, Vëllazëri dhe Krenari tonë kombëtare me "Gjergj Kastrioti - Skënderbeun”.
Me mikun e shqiptarëve të Filadelfias, Këshilltarin e qytetit z. Michael Driscoll, personaliteti që ndihmoi në miratimin rezolutës që rruga Willits Road, të marrë emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Bijtë e Shqipes, janë bër gati që ta ndezin festën kuq e zi me Gjergj Kastrioti - Skënderbeun, i cili është Heroi Kombëtar i të gjithë shqiptarëve, figura më e shquar në historinë e shqiptarëve.
Ky emertim për shqiptarët, vjen në një kohë që ndoshta u vyen më tepër se kur ndonjëher, ngaqë kemi nevojë të promovojmë vlerat tona më të mira, sidomos në këtë kohë , kur duhet thënë se imazhi ynë kombëtar, për arsye të ndryshme, sot ka nevojë më shumë se tjetër herë, edhe për një vlerë të shtuar me një figurë kaq të papërsëritshme mbarë kombëtare siç është dhe figura legjendare e Skëndërbeut.
Pas pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, shqiptarët fatlumët, kan edhe pavarësinë e shtetit të Kosovës(17 shkurt 2008), dhe emri i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, patjer duhet të jet kudo, sidomos në vend-popullimet e shqiptarve të Amerikës.
Shoqata Shqiptare Amerikane "Bijtë e Shqipes” në Philadelphia, ideatore dhe organizatore e kësaj feste të madhe thotë se ka ftuar për nesër gjithë komunitetin shqiptar, që të marri pjesë në këtë ngjarje te rendesishme për të nderuar figurën madhështore të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në emërtimin e Rrugës Willits Rd- "GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU" -
Në këtë festë të veçantë do të marin pjesë aktori, regjizori dhe dramaturgu i njohur z. Xhevat Limani në rolin e Skënderbeut, si dhe gazetari i mirënjohur dhe diplomati z. Virgjil Kule, autori i librit "Gjergj Kastrioti Skënderbeu - Kryqtari i fundit”.
(I cili, është një libër, që përçon një portret të gjallë dhe të thelluar të heroit kombëtar shqiptar, mbi rolin dhe rëndësinë e Gjergj Kastrioti Skënderbeut - ose si e quan ai Kryqtari i fundit në historinë evropiane dhe shqiptare, një libër që arrin të sjellë në dritë një Skënderbe që frymëzon jo vetëm për aftësitë e tij ushtarake, por edhe për mendimin strategjik dhe vizionin e tij për një Shqipëri të lirë e të pavarur).
Gjithashtu, simbas njoftimit për këtë nga Shoqata Bijtë e Shqipes, thuhet se edhe emocionet dhe gëzimin e kësaj feste do të ja shtojnë këngëtarët e talentuar Kristina Marku, Mikel Bego dhe DJ Bruno Pando.
Aktiviteti sipas tyre do të zhvillohet ne ndertesen e shoqates 3322 Willits Rd. nga ora 11:30am deri në orën 1:00pm, ndërkohë që emërtimi i rrugës për nder të heroit kombëtar Skënderbeut, pritet të shoqërohet me një atmosferë tradicionale shqiptare.
Në këtë festim po ashtu do te kete muzikë, ushqim dhe pije, për të gjitha grupmoshat e pranishme.