NEW YORK / Veprimtarë të dalluar të komunitetit shqiptarë festuan 112-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Amerika

NEW YORK / Veprimtarë të dalluar të komunitetit shqiptarë festuan 112-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Beqir Sina, MANHATTAN, NYC Nga Beqir Sina, MANHATTAN, NYC Më 26 nëntor 2024 Në ora: 17:42
Foto nga vendi i ngjarjes

MANHATTAN, NYC: Në 112-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, restoranti i njohur “Club A Steak House”, që gjendet në mes të Manhatanit, pronari i tij, Bruno Selimaj, së bashku me një grup bashkëatdhetarësh (Shpresa Xhaklli, Anton Raja, Avni Mustafa, Richard Lukaj, Paulin Mrnaçaj, Rustem Ibra, Xhevat (Jack) Kukaj, Ejllo Ahmetaj, Vehbi Bajrami, Elmi Berisha, Harry Bajraktari, Dino Erbeli, Cafo Boga, Ismer Mjeku, Sergio Bytyçi, Din Derti, dhe Dem Balidemaj), kujtuan 50-vjetorin e nisjes së një lëvizje patriotike të diasporës shqiptare në Amerikë.

Bashkëatdhetarët, pjesëtarë të diasporës së vjetër në SHBA, anëtarë të familjes së tij, filantropë, biznesmenë të suksesshëm, aktivistë të dalluar, gazetarë, u mblodhën për të festuar dhe kujtuar këtë ngjarje të rëndësishme: 112-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe 50-vjetorin e nisjes së një lëvizjeje të re patriotike të diasporës shqiptare në Amerikë.

Në këtë pritje të organizuar nga Bruno Selimaj, i ftuar nderi ishte kryetari i komunës së Prishtinës, zoti Përparim Rama, i cili i përket diasporës së vjetër shqiptare në Evropë (Britania e Madhe) dhe ka pasur lidhje të ngushta me diasporën shqiptare në SHBA. Ai ndodhej në Nju Jork për të marrë pjesë në festimet e 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, si dhe në darkën festive të organizuar nga Federata PanShqiptare e Amerikës "Vatra" në Bronx.

Pritjen e hapi mysafiri i nderit, kryetari i komunës së Prishtinës, zoti Përparim Rama, i cili, pasi foli për rëndësinë e pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës, kujtoi se nga ky restorant në qendër të Nju Jorkut janë zhvilluar qindra takime të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Amerikë:

"Janë bërë takime me presidentë, kryeministra, anëtarë të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, personalitete të njohura të kulturës dhe artit nga vendlindja, shqiptarë dhe amerikanë. Po ashtu, janë zhvilluar fushatat e para të shqiptarëve të Amerikës, për mbështetje të presidentëve, senatorëve dhe kongresistëve të SHBA-së," tha z. Rama, madje duke e quajtur këtë restorant "qendrën e patriotizmit shqiptar në SHBA".

Më pas, pavarësinë e Shqipërisë e uruan dhe përgëzuan Bruno Selimaj dhe të pranishmit e tjerë, përfshirë Shpresa Xhaklli, Avni Mustafa, Richard Lukaj, Rustem Ibra, Xhevat (Jack) Kukaj, Vehbi Bajrami, Elmi Berisha, Harry Bajraktari, Dino Erbeli, Cafo Boga, Ismer Mjeku, Sergio Bytyçi, Din Derti, etj.

Xhevat Kukaj, gazetar dhe veprimtar i njohur, i cili ka qenë pjesë e ditëve të para të krijimit të kësaj lëvizjeje së bashku me veprimtarët e tjerë (Agron Sela, Besim Malota, Xhavit Kabashi, Musa dhe Dine Kukaj, Tahir Nikci, Sami Sylejmani, Sami Duraku), tha se kjo pritje është një ditë e veçantë që shënon: 112-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe 50-vjet punë e sakrifica të përkushtuara në shërbim të atdheut dhe kombit shqiptar.

"Plotë 50-vjet krenari," tha Kukaj, "jo vetëm për restorantin e Bruno Selimaj dhe familjen e tij, por edhe për ne miqtë e shokët e tij, krenari për Plavën dhe Gucin që na lindën, dhe krenari për gjithë komunitetin shqiptar në SHBA.”Lëvizja patriotike e veprimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë pesë dekada më parë, siç dihet, ishte një lëvizje e kohës së atëhershme, e cila iu bashkua menjëherë lëvizjes së hershme nacionaliste shqiptare në Amerikë, që kishte kohë që e kultivonte patriotizmin.

Një lëvizje që kryesisht përbëhej nga ish-të arratisur nga Shqipëria, kundërshtarë të përbetuar të regjimit sllavo-komunist, dhe që luftonte për rrëzimin e komunizmit, lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve nën sundimin sllavo-komunist (ish-Jugosllavinë, që nuk ekziston më), çlirimin e Kosovës, si dhe bashkimin e saj dhe të gjitha trojeve etnike shqiptare me Shqipërinë.

Në ndërkohë erdhi edhe kjo lëvizje, që u njoh atëherë si lëvizja e vëllezërve Gërvalla ose "Klubi Gërvalla", e cila nisi pesë dekada më parë dhe arriti në SHBA pasi veprimtarinë e saj intelektuale dhe patriotike e nisi fillimisht në Evropë (Gjermani, Zvicër, Itali, Francë, Angli dhe Skandinavi). Kjo lëvizje u udhëhoq nga disa intelektualë të shquar patriotë, siç ishin vëllezërit Gërvalla – Luan, Bardhosh dhe Jusuf Gërvalla, dhe Kadri Zeka, si dhe bashkëatdhetarë të tjerë nga vendlindja e tyre, Kosova, shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës.

Çështja jetike për të cilën komuniteti shqiptar dha një kontribut të jashtëzakonshëm, ishte ajo e Kosovës.

Diaspora shqiptare ndihmoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me armë dhe fonde, dhe mbështeti kauzën e Kosovës gjatë luftërave në ish-Jugosllavinë e mbetur. Ndihma dhe kontributi i shqiptarëve në të gjithë diasporën – në Europë, Australi, Kanada dhe SHBA, përfshirë shqiptarët e Amerikës – ishin të jashtëzakonshme, me qindra protesta dhe demonstrata që mbaheshin në verë e dimër, në rrugët dhe sheshet nga Washingtoni në Nju Jork. Ata dhanë mbështetje të fuqishme për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me armë dhe fonde. Nga SHBA, nisën luftëtarët për të luftuar në Batalionin Atlantiku, dhe e mbështetën kauzën e Kosovës, jo vetëm gjatë luftës për liri, por edhe pas luftës, duke kontribuar për pavarësinë e Kosovës dhe shtetbërjen e saj.

Përkrahja vazhdoi edhe në ditët e sotme, dhe të gjitha këto kontribute janë historike për diasporën shqiptare.

Diskutantët, pasi uruan festat e fundvitit dhe shprehën fjalë mirënjohjeje për Brunon dhe familjen e tij, bashkëshorten Kumrijen, theksuan se, megjithëse herë pas here mes komunitetit ka pasur përçarje dhe mosmarrëveshje lidhur me lëvizjet e diasporës, sidomos në aspektin ideologjik të secilit grupim, ata kanë ditur të gjejnë si shqiptarë gjuhën e përbashkët të mirëkuptimit vëllaznor, për t'u bashkuar në veprimtaritë e tyre të përbashkëta për lirinë e të drejtave të shqiptarëve nën sundimin sllavo-komunist të ish-Jugosllavisë që nuk ekziston më, çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, si dhe demokratizimin e Shqipërisë dhe rrëzimin e komunizmit.

Ata thanë se: "Ne kemi potencial të madh sot për të punuar bashkë si komunitet, ashtu siç e bëmë kur nisëm lëvizjen patriotike në diasporë. Sot, kemi më shumë mundësi, më shumë talente dhe më shumë njerëz të kualifikuar në komunitetin tonë se asnjëherë më parë. Dhe, po qe se ne bashkohemi edhe një herë si atëherë, kur kontribuam në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, luftuam për lirinë e shqiptarëve nën sundimin sllavo-komunist, për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë dhe Kosovës, mund të bëhemi përsëri faktorë dhe kontribuues të mëdhenj të çështjes së papërfunduar kombëtare."

Por pyetja është: A e kemi sot atë udhëheqjen dhe njerëzit e duhur dhe atë vullnetin e mëparshëm për t'ia dalë mbanë, ashtu siç e bëmë dikur?" Pikërisht ashtu siç e nisëm këto lëvizje kombëtare në diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Bruno Selimaj, organizatori i këtij eventi, është një histori suksesi i biznesit shqiptar në Amerikë dhe një ndër veprimtarët e vjetër shqiptarë, pjesë e atyre që u larguan nga vendi për t’i shërbyer atdheut të tyre nga mërgimi, në rrëzimin e sundimit sllavo-komunist dhe çlirimin e Kosovës. Për dekada me radhë, restoranti i tij është bërë një qendër ku u mbajtën takimet e para të komunitetit shqiptar në SHBA.

Madje, në disa raste, ai ka “mbyllur” dyert e restorantit “Bruno Restaurant” për klientët e tij amerikanë dhe të huaj në Manhattan, dhe i ka hapur ato vetëm për veprimtaritë kombëtare të shqiptarëve, duke kontribuar kështu për pesë dekada në kauzën e lirisë dhe unitetit kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat