Si aktiviste pranë komunitetit shqiptar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam patur rast të takoj e të flas nga afër me legjendën shqiptare, ish të burgosurin politik të ndërgjegjes Prof. Sami Repishti.
Rreth dy vite më parë së bashku me disa koleget tona realizuam dokumentarin me titull "E Bukura nën Pranga", ku personalisht mbaj autorësinë si skenariste dhe regjisore e tij.
i dedikohet grave dhe vajzave shqiptare që u burgosën, u vranë e internuan padrejtësisht nga diktatura më e egër në Europë. Aty paraqiten jetët plot mund, vuajtje e sakrifica të Hava Repishtit - nënës së Prof. Sami Repishtit, Hana Sinës - nënës së gazetarit të palodhur Beqir Sina, i cili ka lindur dhe është rritur në internim në Shqipëri. Përshkruhet jeta dhe veprimtaria patriotike e Heroinave Musine Kokalari, Marie Shllaku, Marie Dvorani, Klara Mirakaj, Suzana Matja, Flora Selfo, Prof. Dr. Dolore Bushatit, e cila ka lindur dhe është rritur në internim në Shqipëri, italianes Jolanda Tahmizi, Marie Rexhaj. Shpresa Tuda, Fatbardha Mulleti Saraçi, Leze Smajlaj, juristes dhe diplomates Rozana Cima etj.
Në dokumentar flitet gjithashtu edhe për femrat - Heroina shqiptare që u vranë, përdhunuan e u malltrajtuan nga makineria serbe gjatë luftës në Kosovë, genocidin çam ndaj femrave shqiptare si dhe diktatin e egër që ushtronte qeveria serbe në Maqedoni ndaj femrave dhe popullit shqiptar në tërësi.
Dokumentari "E Bukura nën Pranga" hap siparin e tij me jetëshkrimin e një nëne që pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj Ibrahim Repishti, një nga promotorët e Lëvizjes Demokratike të periudhës së Pavarëisë dhe konfiskimit të pasurisë, punonte në mënyrë që të ndihmonte të birin, i cili vuante dënimin në burgun pranë Urës Vajgurore. Mbështjellë në një torbë të vogël pak ushqim, përpiqet t'ia dërgojë të birit të saj në burg, por rojet e burgut e shtyjnë e largojnë si armike e popullit.
Kjo ishte Hava Bushati Repishti nëna e Prof. Sami Repishtit, i cili po vuante dënimin si i burgosur politik në atë ferr torturash së bashku me qindra e mijëra ish të burgosur politik të Shqipërisë, kundërshtarë të atij regjimi diktatorial që shkatërroi individin, fëmijë, familje shqiptare dhe të huaja. Një natë dhjetori në vitin 1953 nënë Hava u la për 24 orë jashtë dyerve të burgut nga rojet duke mos e lejuar të takonte të birin.
Jetëshkrimin për nënën e tij Prof. Repishti ma dërgoi me postë, si dhe më kishte dhuruar edhe një nga veprat e tij letrare titulluar "Pika e Lotit". Libër ky me tregime, ku përshkruan torturat nga burgu i Shkodrës, konceptuar në formë autobiografie dhe përjetime jetësore historike.
Gjithashtu sa herë që me anëtaret e Organizatës së Gruas "Shpresë & Paqe" në SHBA do të mbanim ndonjë event përkujtimor do të na përgëzonte duke bërë një analizë super pozitive dhe entuziaste edhe në media, ku shprehte rëndësinë dhe vlerësimin e tij.
Nuk jam e sigurt për emërtimin e titullit Presidencial që gëzonte në Shqipëri Prof. Sami Repishti, por për ne dhe popullin shqiptar mbetet një Hero, aktivist i të drejtave civile të njeriut, luftëtar i vërtetë i paqes dhe demokracisë botërore.
Lamtumirë Legjenda Shqiptare Prof. Sami Repishti!