Vdiq “I riu 100 vjeçar”: Një nderim për Sami Repishtin

Amerika

Vdiq “I riu 100 vjeçar”: Një nderim për Sami Repishtin

Nga: Beqir Sina Më: 5 dhjetor 2024 Në ora: 17:05
Foto ilustrim

Ambasador Blerim Reka – Shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, nderon trashëgiminë e një studiuesi, të mbijetuari dhe avokatit për të drejtat e njeriut, Profesor Sami Repishti, i cili u nda nga jeta javën e kaluar.

Dr. Reka shkruan se, pa pritur ditëlindjen e 100-të, një ditë para 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u shua më 27 nëntor kolosi intelektual dhe atdhetar shqiptar, Prof. Sami Repishti.

Afër një shekulli veprimtari patriotike, historia jonë kombëtare do ta kujtojë Profesor Sami Repishtin me nderimet më të larta, shkruan Reka.

"Në vitin 1965, dëshmoi për Kosovën në Kongresin Amerikan, për të vazhduar me dekada luftën për të vërtetën e Kosovës, me kontributin e tij kolosal në vitet më të rënda për shqiptarët e Kosovës: midis represionit vrastar të Rankoviqit dhe shuarjes së përgjakshme të demonstratave të viteve 1968 dhe 1981."

Reka kujton se, me profesor Arshi Pipën, organizoi konferencën ndërkombëtare për Kosovën në Nju Jork (1982), kohë kur do të demantonin propagandën jugosllave dhe do të shpalosnin të vërtetën tragjike që po ndodhte në Kosovë: "Dy vite më vonë, po me prof. Pipën do të editonin librin Studies of Kosova, që do të ndryshonte jo vetëm mendimin akademik amerikan dhe botëror, por edhe do të zgjonte diplomacinë e përgjumur."

Ai sjell me këtë rast dhe njërin nga komunikimet e tij me Profesor Repishtin, ku Repishti do të shkruante: "… faleminderimet e mia për ftesën me marrë pjesë në celebrimin e 15-vjetorit të Pavarësisë shtetnore të Kosovës, juej dhe timen. Më vjen keq që nuk mund të marr pjesë në këtë festim për një event historik siç është Pavarësia, por mosha ime e avancuar më pengon të lëviz. Ju dëshiroj me gjithë zemër një festim të këndshëm dhe kuptimplotë, si ju ashtu edhe bashkëpunëtorëve tuaj, dhe të gjithë popullit vëlla kosovar. Rroftë Kosova e Lirë, e Pavarur, Demokratike, e Bashkuar dhe Europiane. Sinqerisht i juaji, Sami Repishti, PhD."

Po ashtu, Reka kujton se, në 75-vjetorin e lindjes, ai do të nderohej nga Kongresi i SHBA-së.

E ne do ta nderojmë përjetësisht. Lamtumirë shqiptarit të madh, Profesor Sami Repishti!

Lavdi veprës së tij kolosale kombëtare! thotë Ambasador Blerim Reka – Shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat