NYC: Qyteti i Nju Jorkut është i njohur mirë për atmosferën fantastike që sjell çdo fundvit me atraksionet e pafundme, duke filluar me pemët e Krishtlindjeve, kudo nëpër qytet, dhe sidomos me atë halorin gjigant (bredhin) të vendosur në Qendrën Rockefeller, një qendër me famë botërore.
Në vendet më të frekuentuara - qendrat tregtare, rrugët dhe sheshet kryesore, shkollat, stacionet e autobusëve dhe trenave, teatrot dhe kinematë, aeroportet, parket, zyrat dhe dyqanet - pothuajse 24 orë janë në pikun e lëvizjeve "marramendëse", nga njëra anë në anën tjetër, nga lart e poshtë qytetit të 8 milionë banorëve, që gjatë ditës thuhet zyrtarisht se arrin deri në 14-15 milionë.
Në të gjithë qytetin, ngado që të silleni këto ditë, mund të gjeni festivale zbukurimi në qendrat e mëdha dhe të famshme tregtare, dyqanet dhe restorantet, parqet natyrore, qendrat dimërore me patinazh në vende të mrekullueshme të ndezura me drita shumëngjyrëshe, këngë dhe melodi të Krishtlindjeve, si dhe shumë mundësi të tjera për të u argëtuar dhe për të ndier nga afër atmosferën tektonike festive që sjellin Krishtlindjet dhe më pas Vitin e Ri.
Krishtlindjet në qytetin e Nju Jorkut janë me të vërtetë magjike. Janë "një përvëlim shpirtëror" për të qenë në këtë qytet dhe për të prekur dhe ndier nga afër ato.
Qyteti ka atë "fuqi të madhe" që të mbërthen me zbukurimet shumëngjyrëshe, me të gjitha simbolet e festës, dritat shumëngjyrëshe, pemët e Krishtlindjeve dhe Santa Clausin, ashtu si në filmin "Santa Claus Is Comin' to Town".
Në fakt, kur je në Nju Jork, duke qenë se është e pamundur të vizitosh gjithë qytetin gjatë këtyre ditëve festash, çdo njeri zgjedh edhe vendet më të bukura të qytetit. Edhe pse ndonjëherë duhet të qëndrosh shumë gjatë në radhë të pafund të njerëzve, përsëri mendoj se ia vlen.
Ka me mijëra shitore me famë dhe çmime luksoze, por ka edhe nga ato me çmime dhe shpenzime të përballueshme (gjithmonë sipas buxhetit tuaj), në disa nga sheshet që mund të vizitoni këto ditë, si në: Times Square, Central Park, Bryant Park, Union Square, Downtown, Midtown dhe Uptown.
Ka edhe disa lokale shqiptare të njohura në të gjithë Nju Jorkun që mbajnë "firmën" shqiptare.
Për këto ditë mund të veçohet restoranti i njohur në të gjithë Nju Jorkun "Çka Ka Qëllu" i Ramiz Kukaj, i cili është zgjedhur nga New York Times si një nga 100 restorantet më të mira vitin e kaluar.
Madje, "Çka Ka Qëllu" është edhe restoranti shqiptar në Nju Jork që prezanton një përzgjedhje moderne të pjatave dhe ëmbëlsirave të njohura, të rrënjosura në shijet e pasura të kuzhinës mesdhetare, duke nxjerrë në pah traditat më të mira të kuzhinës shqiptare dhe kosovare. Po ashtu, ky është një promovues i artit dhe kulturës shqiptare në Nju Jork City.
Janë gjithashtu tre/katër lokacione të shkodranit Zamir V. Gashi, i njohur si Sammy, që edhe si bashkëpronar është themelues i disa restoranteve luksoze në zemër të qytetit të Nju Jorkut, si bar-restorantet Romerino, Duomo 51 (me tre bashkëpronarë) dhe lokali i famshëm Royal Steakhouse.Por janë në qendër të Nju Jorkut edhe Benjamin Steakhouse, Club A Steakhouse, Limani dhe disa lokale të tjera që janë më të preferuara për turistët e huaj dhe vendas në qytetin e Nju Jorkut gjatë këtyre ditëve festash të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Kudo është i bukur dhe mahnitës qyteti "City Don’t Sleep" i Macklemore, (https://youtu.be/8LajgQuuucs?si=o6FjSYTEYFUADrB3), kënga më e dashur për këtë qytet që me të vërtetë "nuk fle".
Broadway, Fifth Avenue, 6th Avenue, Park Avenue dhe deri poshtë në Lexington Avenue janë një zinxhir dyqanesh luksoze që të bëjnë të tundohesh çdo ditë para vitrinave të këtyre dyqaneve të famshme, nga Macy's në Broadway dhe deri në Bloomingdales në Lexington Avenue.
Sidomos Fifth Avenue në New York City është e njohur për pazarin e blerjeve më luksoze dhe është rruga e shumë dyqaneve të famshme në të gjithë botën, duke përfshirë Saks Fifth Avenue, i cili është një dyqan ikonik që u hap në vitin 1924 dhe është i njohur për koleksionet e tij të stilistëve, si Tiffany & Co.
Një markë luksoze e njohur për bizhuteritë e saj në kuti blu me fjongo të bardhë është edhe dyqani Bergdorf Goodman, një dyqan i madh me nëntë kate, të stilit të stilistëve Swarovski, në qendër të Manhattanit, në NYC.
Në morinë e dyqaneve luksoze që ia vlen të shihen edhe nëse nuk blini asgjë në qendër të Nju Jorkut janë edhe:
Harry Winston, i njohur si argjendari i yjeve, dhe dyqanet që shpesh vizitohen nga të famshmit, si Louis Vuitton, Gucci, Prada, Valentino, Armani, Fendi, Cartier, Diesel, Sephora, Dyson dhe Apple.
Mirëpo, ajo që është me të vërtetë magjike në metropolin e botës, New York City, dhe që është më e aksesueshmja është Pema e Krishtlindjeve. Është ajo që vendoset çdo fillim dhjetori në Rockefeller Center, me një ceremoni zyrtare dhe është gjithçka që tregon se sa afër dhe sa të bukura dhe të dashura janë Krishtlindjet në qytetin e Nju Jorkut.
2024 është viti i 93-të i kësaj peme, një traditë festivash që vazhdon në qytetin e Nju Jorkut. Pema e Krishtlindjeve në Qendrën Rockefeller është ekspozuar tashmë për dy javë, duke ndezur dritat e festës së Krishtlindjeve më 4 dhjetor.
Bredhi me gjelbërim të përhershëm mbërriti në qendër të qytetit të Manhatanit, dhe punëtorët e zhvendosën menjëherë për ta ngritur në vendin ku çdo vit mbledh rreth saj qindra mijëra turistë të huaj dhe amerikanë, që vijnë për të bërë një fotografi dhe për ta parë nga afër pemën e Krishtlindjeve në Rockefeller Center.
Pema e Krishtlindjeve në këtë shesh këtë vit është një bredh norvegjez 74 feet (22.56 metra), i rritur në West Stockbridge, Massachusetts.
Pema besohet të jetë rreth 70 vjeç dhe peshon afërsisht 11 ton. Ajo është pema e parë që nga viti 1959, e cila vjen nga Bay State dhe është zgjedhur për këtë Krishtlindje të vendoset në Qendrën Rockefeller.
Ceremonia vjetore e ndriçimit të pemës së Krishtlindjeve u zhvillua mbrëmjen e 4 dhjetorit, ndërsa këngëtarja Kelly Clarkson ishte sërish prezantuese e eventit, i cili u transmetua nga televizioni NBC, i cili ka ekskluzivitetin e kësaj ceremonie festive në Nju Jork çdo vit.
Gjigandi halor, bredhi norvegjez, do të qëndrojë i ekspozuar në këtë shesh deri në mes të janarit.