Ago Agaj – “Kosovari nga Vlora” – Në 30-vjetorin e kalimit të tij në amshim

Amerika

Ago Agaj – “Kosovari nga Vlora” – Në 30-vjetorin e kalimit të tij në amshim

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 21 dhjetor 2024 Në ora: 07:04
Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i ngusht i Profesor Ernest Koliqit. Foto nga darka e Vatrës, Nëntor, 1969 në Nju Jor: Ernest Koliqi me Ingj. Dr Ago Agaj

Ago Agaj ka ndërruar jetë me 24 dhjetor 1994, në Clearwater të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në moshën 97 vjeçare. Gati një shekull jetë në shërbim të Shqipërisë etnike. Dr Ago Agaj i përkiste atij brezi shqiptarësh patriotë të cilët regjimi komunist i Enver Hoxhës, ose i dëboi nga Atdheu ose i vrau dhe i burgosi në burgjet dhe kampet e përqëndrimit dhe të punës së detyrueshme, anë e mbanë Shqipërisë. Ishin këta, të urryer dhe të përjashtuar nga komunizmi enverist, cilët ndonëse edhe në mërgim përjetëshëm, nuk e harruan kurrë Atdheun e tyre. Shumë prej tyre të dëbuar dhe të burgosur nga regjimi zogist e komunist enverist, janë arratisur anë e mbanë botës të përjashtuar e ndonëse të shpallur tradhëtarë dhe armiq të atdheut – në të vërtetë ishin një brez patriotësh të pas Luftës së II Botërore, të cilit i përkiste edhe Prof Ago Agaj. Ndoshta i fundit i kësaj gjenerate burrash të vyer – të pa-përsritshëm -- të kombit, mund të ishte Profesor Sami Repishti -- cili ndërroi jetë disa javë më parë këtu në Amerikë. Ata ishin patriotë që ushqenin bindje dhe besim të pa lëkundur tek virtytet, vlerat dhe traditat arbërore shekullore të Kombit shqiptar. Ago Agaj, ishte i këtij brezi që për fat të mirë e të keq të tyre, u përfshi në përplasjet e mëdha botërore të shekullit të kaluar. Një brez që pak gëzoi e shumë vuajti nepër tallazet e historisë së fillim shekullit të kaluar e deri në Luftën e II Botërore por edhe më vonë në jetën e tyre në mërgim. Kjo për fat të zi të vetin e të familjeve të tyre që kishin lën pas në Shqipërinë komuniste, por edhe për fat të keq të Kombit, pasi idetë e tyre dështuan përball komunizmit ndërkombëtare të kohës, ndërkohë që tani e dimë se Kombi e pësoi si e pësoi, për pothuaj gjysëm shelulli diktaturë komuniste.

Në këtë 30-vjetor të kalimit në amshim të Dr Ago Agajt, kujtojmë me disa fjalë të këtij shkrimi -- modestësisht dhe shkurtimisht – por me qëllim që emri i tij dhe i brezit të tij të patriotëve shqiptarë anti-komunistë të mos zhduket në terrin e interpretimit komunist të historisë, as të mos hidhet në harresë. Inxhinjer Ago Agaj ishte një prej intelektualëve të Kombit që gjithë jetën e tij në atdhe dhe më vonë në mërgim – ia kushtoi fatit dhe interesave të Kombit– anë e mbanë trojeve shqiptare, por sidomos fatit të Dardanisë së okupuar nga Serbia fashisto-komuniste. Megjithse edhe ata i kishin ndryshimet e veta politike me njëri tjetrin, ishte ky brez jo komunist i shqiptarëve të periudhës së luftës dhe më vonë, që pothuaj, pa përjashtim, besonte bindshëm se, “pa Kosovë nuk ka Shqipëri”.

Ai njihej në komunitet për dashurinë e tij të madhe për Kosovën. Si i tillë, Ago Agaj njihej edhe si “Kosovari nga Vlora”. Nëqoftse Agim Karagjozi ishte “kosovari” nga Gjirokastra, Frank Shkreli: Ndërroi jetë “Kosovari” nga Gjirokastra | Gazeta Telegraf -- atëherë edhe Dr Ago Agaj mund të themi, me gojën plot, se ishte “kosovari” nga Vlora. I emëruar Prefekt i Mitrovicës në vitin 1941, ai kishte mbetur shumë i lidhur me Kosovën gjithë jetën e tij, madje edhe në mërgim. Në një letër të shkruar disa muaj para se të ndërronte jetë në Florida, 30-vjetë më parë, e që qarkullon në disa shkrime rreth jetës së tij, ai kishte shprehur besimin se fati i Kombit shqiptar është i lidhur ngusht me fatin e Kosovës:


“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i Kombit Shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës Serbe, atëherë do të kemi një komb tetë milionësh dhe askush nga fqinjët keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin Serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për Kombin, për Shqipërinë, për Vlorën… O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjigj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë. Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”, janë fjalët e Ago Agajt se fati i Kombit shqiptar -- si në kohën e Ismail Qemalit, ashtu edhe sot – është lidhur në mënyrë të pandashme me fatin e Kosovës, se “pa Kosovë, nuk ka Shqipëri”!

Ago Agaj, siç thashë më lartë, i përkiste atij brezi të patriotëve anti-komunistë të pas Luftës së II Botërore së cilët ishin të vetdijshëm të këtij fakti e realiteti historik, por fatzi, kombëtar; të ndarjes së Kosovës dhe trojeve të tjera arbërore nga Shqipëria. Të gjithë ata, ashtu siç veproi edhe Ago Agaj, secili në mënyrën e vet, kanë bërë atë që kanë mundur, nën rrethanat e Luftës së II Botërore, për të shpëtuar Kosovën, gjuhën dhe kulturën shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare. Ja si e ka përshkruar Ago Agaj kontributin e njërit prej atij brezi patriotësh shqiptarë, Profesor Ernest Koliqit – mikut të tij dhe bashkpuntorit të ngusht – në hapjen e shkollave dhe në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj, një shërbestar i vyer i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve që shkoi në Kosovë në vitin 1941, ka kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe në Dardani: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji (Koliqi) qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës, përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj, për Ernest Koliqin, njërin prej bashkpuntorëve të tij më të ngusht politik.

Brezi i këtyre patriotëve ia dinin njëri tjetrit meritat dhe kontributet e tyre. Por për fata të keq, brezi i sotëm i shqiptarëve vazhdon të ndjekin shembullën e ish-regjimit komunist të përjashtimit të këtyre figurave të mëdha të Kombit. Mohimi i veprimtarive të figurave të ndritura të Kombit dhe përjashtimi i tyre nga historia kombëtare si Ago Agaj e Ernest Koliqi, ndër shumë të tjerë të shekullit të kaluar, jo vetëm gjatë komunizmit por edhe ç’prej shembjes së Murit të Berlinit e deri në ditët e sotme, është njё mёkat ndaj historisë së shqiptarëve, një turp i pashlyeshёm për qeveritë “post-komuniste” të Shqipërisë, por edhe të Kosovës. Për akademitë e shkencave të dy shteteve shqiptare, për shkollat e universitetet – turp për intelektualët dhe mediat shqiptare në përgjithsi që nuk kujtojnë këta burra të Kombit, për kontributin e tyre historik.

Duke i hedhur në harresë figurat e Kombit si Ago Agaj, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Faik Konica e shumë e shumë të tjerë simkëta, dy shtetet shqiptare, sa i përket këtyre figurave kombëtare, Tirana dhe Prishtina zyrtare janë bërë tanimë pjesë e pandarë e krimeve të harresës e të shlyerjes së emrave të këtyre burrave nga historia e trojeve shqiptare. Doni s’doni, pas 35 vjet tranzicion, ju jeni po aq përgjegjës për trajtimin e keq dhe harresën historike të këtyre kontributit të këtyre burrave, aq sa ishin shekullin e kaluar edhe ish-regjimet komuniste anti-kombëtare sllavo-aziatike të Tiranës dhe Beogradit në trajtimin e këtyre burrave të Kombit dhe familjeve të tyre të nderuara.

NJË PROFIL I SHKURTËR I DR AGO AGAJT –

Nga burime të ndryshme. Lindur në Ramicë, Malësi e Vlorë me 7 mars 1897, ndërsa ka ndërruar jetë në Clearwater, të shtetit Florida me 24 dhjetor 1994). Me profesion ka qenë agronom, nëpunës dhe ministër i Ekonomisë Kombëtare. Pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, në Lëvizjen e Qershorit dhe i dënuar për pjesëmarrjen në Kryengritjen e Delvinës.

Pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist emigroi së pari në Egjipt dhe më pas në Shtetet e Bashkuara, ku iu bashkua shumë bashkevendasve të tij anti-komunistë. Mësimet e para i ka marrë mori në Vlorë. Studimet e mesme dhe të larta I ka kryer në Vjenë të Austrisë për Inxhinieri-Agrikulturë. Ndërkohë kthehet në Shqipëri më 1919. Ka marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes dhe në Luftën e Vlorës. Gjatë viteve 1920 – 23, Dr Ago Agaj ka bashkëpunuar me Prof. Dr. Ernst Nowack (1891 - 1946), të Universitetit të Kölnit, për hartimin e Kartës Gjeografike, Topografike dhe Gjeologjike të Shqipërisë dhe më 1924 bëri pjesë në Komisionin për caktimin definitiv të nomenklaturës së Hartës së Shqipërisë. Punoi edhe dy vjet në Poloni e Moldavi dhe kur kthehet në Vlorë, u emërua agronom i zyrës së bujqësisë. Ishte ndër nënshkruesit e mbledhjeve të opozitës në ceremonitë e zhvilluara pas vrasjes së Avni Rustemit. Njihej gjithashtu si mbështetës i Lëvizjes së qershorit. Më 1937 arrestohet, gjykohet dhe dënohet me tre vjet burg për pjesëmarrje në kryengritjen e Delvinës. Dita 7 prill 1939 kur Italia pushtoi Shqipërinë, Agajn e gjen në burg.

Pas vitit 1941 shkoi në Mitrovicë të Kosovës, ku u emërua prefekt. Atje drejtoi organizimin e administratës shqiptare, atë të xhandarmërisë vendase dhe të hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohë organizon rezistencën kombëtare, se i duhej të mbrohej edhe nga sulmet çetnike të Drazha Mihajloviçit, me të cilët ndërmerr edhe përpjekje direkte, derisa edhe plagoset. Në bashkëpunim me Vehbi Frashërin bën të mundur shpëtimin e jevgjve të Mitrovicës nga "zgjidhja përfundimtare" naziste. Më 1943-1944 shërben si ministër i Ekonomisë Kombëtare në qeverinë Mitrovica. Më 1944 inspektor epror në këtë ministri. Pas vendosjes së regjimit komunist në atdhe, Dr Agaj u largua fillimisht në Austri e Itali dhe më pas u vendos në Egjipt, për të përfunduar më vonë në Shtetet e Bashkuara.

Kur u largua nga Shqiperia, Dr Ago Agaj e pati të pamundur të merrte me vete bashkshorten me 5 vajzat e tyre të cilat, si rrjedhim, u internuan dhe vuajtën dënimet dhe persekutimin komunist për gjatë gjithë kohës së sundimit komunist në Shqipëri.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat