Në pothuajse të gjitha anët e botës, qytetet e mëdha shënuan ndërrimin e viteve me spektakle fantastike fishekzjarrësh, koncerte dhe festime nga më spektakolare, duke dhuruar momente të paharrueshme, sidomos për të gjithë ata që festuan ardhjen e Vitit të Ri nëpër sheshet e qyteteve të tyre, kryq e terthorë globit.
Çdo vit, ndërsa ora i afrohet mesnatës së 31 dhjetorit, sytë e botës kthehen edhe një herë nga dritat verbuese dhe energjia plot zhurmë e Nju Jorkut.
Ngaqë pritja është e lartë, nata e Vitit të Ri në qendrën simbolike të qytetit të Nju Jorkut, Times Square, është bërë më shumë se një festë – duke u kthyer në një traditë globale.
Pika kulmore e kësaj feste në Nju Jork, natyrisht, është rënia graduale e globit gjigand të veshur me kristale, nga maja e ndërtesës 25-katëshe, e njohur si "One Times Square".
Metropoli i botës, NYC, "qyteti që nuk fle", ashtu vetëtimthi, çdo ndërrim vitesh merr edhe vëmendjen e gjithë botës.
Sepse këtu, ajo rënia e globit gjigand prej kristali, në dhjetë sekonda para përfundimit të vitit, shoqërohet nga "kori" i më shumë se një milion njerëzve në një numërim tradicional të "rënjes" (countdown) të 10 sekondave të fundit të vitit që po largohej.
Ky glob ka një histori 120 vjeçare.
Më shumë se një milion njerëz, pasi qëndruan këtë vit në sheshin e Nju Jorkut "Times Square" për orë të tëra, brohoritën ose dhuruan plot dashuri në sekondat e para të Vitit të Ri, të mërkurën më 1 janar. Disa dhuruan ose morën dhuratë një puthje të nxehtë, me shumë dashuri dhe ngrohtësi.
Ndërsa globi i famshëm i Vitit të Ri zbriste nga maja e gradaçieles "One Times Square", njerëz të panumërt qëndronin përreth sheshit qendror ku mbahej festa.
Pothuajse aq sa ishin vendosur mevorët e tëra në shesh, po aq qëndronin në rrugët përreth, në pamundësi për të hyrë dhe shikuar natën e Vitit të Ri në Times Square.
Ata po e ndiqnin festën nëpërmjet ekraneve, ashtu si miliona e miliona njerëz në mbarë Amerikën dhe në mbarë botën, të bashkuar për t'i dhënë lamtumirën kolektive vitit që po largohej dhe për të shprehur gëzim dhe shpresë për vitin e ardhshëm.
Departamenti i Policisë së Nju Jorkut, NYPD, i cili tha se kishte angazhuar mbi 1500 policë, megjithatë, nuk kishte ndonjë “kërcënim të besueshëm” për festën, tha se masat e sigurisë ishin të larta për të siguruar rregullin dhe qetësinë maksimale.
Kryetari i bashkisë, Eric Adams, dhe Guvernatorja Hochul thanë se: "Siguria publike ishte prioriteti më kryesor, dhe ne jemi të përkushtuar të përdorim çdo mjet në dispozicionin tonë për të mbajtur të sigurt New Yorkun, natën e ndërrimit të viteve."
Festa e Vitit të Ri në Times Square, "Dick Clark's New Year's Rockin' Eve", e cila është kthyer në një nga ngjarjet kryesore argëtuese, përfshiu edhe koncertin festiv të ndërrimit të vitit me disa prej emrave më të njohur të muzikës, si Alanis Morissette, Reneé Rapp, Blake Shelton, TLC dhe shumë grupe të tjera që performuan më shumë se 5 orë në këtë natë magjike të vitit të ri.
Këngëtarja nga Kosova me pasaportë angleze, Rita Ora, ishte ajo që prezantoi për të dytin vit, në krah të një nga moderatorët dhe producentët më të njohur të Shteteve të Bashkuara, Ryan Seacrest, prezantuesi i "American Idol", festën e Vitit të Ri 2025 në sheshin kryesor të Nju Jorkut, Times Square, për Televizionin kombëtar ABC News.
Nata e Vitit të Ri 2025 ishte një nga më të lagështat që ka parë qyteti i Nju Jorkut, në ndërrimin e viteve në Times Square, pasi dy orë para mesnatës së ndërrimit të viteve nisën dhe reshje të mëdha shiu, të cilat pushuan vetëm një orë para rënies së topit në Times Square. Megjithatë, temperatura ishte tejet e lartë për një mes dimri, 50 gradë Fahrenheit ose 10 gradë Celsius.
Po ashtu, për dy net radhazi, më 31 dhjetor 2024 dhe 1 janar 2025, Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës - ALBTVUSA, nga Detroiti, Michigan, transmetoi një program të veçantë, të parë dhe të vetmin deri tani nga një televizion shqiptar në Amerikë.
Programi ishte përgatitur me përkushtim në studion e re moderne të këtij televizioni, duke sjellë artistët dhe talentet më të mira të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Urime dhe gëzuar Vitin e Ri 2025!