Kosova shënoi 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut

Amerika

Kosova shënoi 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut

Nga: Beqir Sina Më: 16 janar 2025 Në ora: 10:42
Foto nga vendi i ngjarjes

U përkujtua këtë të mërkurë 26-vjetori i masakrës së Reçakut, ku më 15 janar 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, ngjarje të cilën Serbia e mohon ende. Ndërkohë, krerët e politikës së Kosovës apeluan edhe sot për drejtësi...

Reçak, Kosovë: Krerët e shtetit dhe të politikës në Kosovë përkujtuan masakrën e Reçakut në kompleksin memorial të ngritur në kujtim të viktimave këtë të mërkurë, (15 janar 2025). Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani zhvilluan bashkë nderimet për viktimat.

Ndërsa pas tyre, homazhe bënë edhe diplomatët e huaj në Kosovë.

Në këtë memorial, homazhe kryen edhe institucionet e larta shtetërore të Kosovës, krerët e tjerë të partive politike, si Krasniqi, Haradinaj dhe Abdixhiku.

Krerët e politikës deklaruan se ata do të kërkojnë drejtësi për ngjarjen, ndërsa e cilësuan atë si një pikë kthese që çështja dhe lufta e Kosovës të merrnin vëmendje ndërkombëtare.

Homazhe në memorialin në Reçak zhvilloi edhe diplomati amerikan William Walker, ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në kohën e ngjarjes, i cili e ka emërtuar si një krim shtetëror atë. Përmasat që ka marrë ndërgjegjësimi për ngjarjen, siç thotë ai, i kanë lënë përshtypje.

“Dikur ka qenë një vend dhe memorial homazhesh i vogël, por shoh sot se kanë ardhur njerëz nga e gjithë Kosova, madje mendoj që këtu ka njerëz nga e gjithë bota,” tha William Walker.

Masakra e Reçakut është një ndër ngjarjet më të përgjakshme të luftës së Kosovës, ku forcat e armatosura serbe vranë 45 civilë të pafajshëm, mes tyre fëmijë. Ngjarja u pasua nga bombardimet 78-ditore të NATO-s në Serbi.

26 vjet nga Masakra e Reçakut, Kurti: Ka mbaruar lufta për çlirim, por jo beteja për drejtësi

Gjatë ceremonisë në përkujtim të masakrës së Reçakut, kryeministri Albin Kurti, duke iu referuar Serbisë, u shpreh se ka mbaruar lufta për çlirimin e vendit, por se nuk ka mbaruar beteja për drejtësi.

“Masakra e Reçakut ishte gjenocid ndaj popullsisë së Kosovës! Bashkë angazhohemi që historia e Kosovës dhe liria jonë të jenë shembull i forcës së popullit për të triumfuar mbi padrejtësitë. I përjetshëm qoftë kujtimi për secilën jetë të dhënë për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit. Lavdi martirëve dhe dëshmorëve,” tha Kurti, duke theksuar se autorët duhet të marrin dënimin e merituar.

26 vjet më parë, Masakra e Reçakut tronditi botën dhe nxiti reagimin ndërkombëtar

Gjithsej 45 civilë shqiptarë u vranë dhe masakruan të njëjtën ditë, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, gra dhe të moshuar, nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në lokacione të ndryshme përreth fshatit Reçak të Shtimjes.

Masakra që ndodhi në Reçak të Komunës së Shtimës, në qendër të Kosovës, la 45 banorë të fshatit të vrarë dhe masakruar. Megjithatë, ende vetëm një person është shpallur fajtor për pjesëmarrje në këtë masakër, nga gjykatësit e Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Fillimisht, mëngjesin e ftohtë të 15 janarit 1999, rreth orës 6:45 minuta, banorët e këtij fshati u zgjuan nga zhurma e artilerisë së rëndë serbe, e cila filloi të sulmojë fshatin nga pozita të ndryshme. Pas serisë së granatimeve, trupat serbe filluan bastisjet nëpër shtëpi, ku banorët tentuan të ikin, por ata tashmë ishin rrethuar.

Më vonë, 24 burra të renditur në rresht, derisa po ecnin bashkërisht nën përcjelljen e trupave serbe, të nxjerrë nga njëra prej shtëpive të fshatit ku po fshiheshin, u ekzekutuan me automatikë nga afër dhe masakruan tek lokacioni i njohur si "Gropa e Bebushit."

Gjithsej 45 civilë shqiptarë u vranë dhe masakruan të njëjtën ditë, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, gra dhe të moshuar, nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në lokacione të ndryshme përreth fshatit.

William Walker: "Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time"

Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadori William Walker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur.

Pasi vizitoi fshatin dhe u ngjit lart te vendi i quajtur "Gropa e Bebushit", aty ku sot gjendet Kompleksi Memorial i Reçakut, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi: "Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time."

Kjo u bë një nga momentet më me peshë që ndryshoi përfundimisht rrjedhën historike të Kosovës, sepse bota demokratike, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për një marrëveshje me Serbinë, me 24 mars 1999 filloi fushatën 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s.

Për Masakrën e Reçakut, ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, publikoi këtë përvjetor edhe librin e tij: "Reçak: Historia e një krimi lufte" nga William Walker, një libër që dritën e botimit, si në anglisht ashtu edhe në shqip, e ka nga Libraria Dugagjini në Prishtinë, të sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës.Walker e shkroi këtë libër, i cili u promovua mbrëmë në Swiss Diamond Hotel në Prishtinë, mbi jetën e tij, por që në "thelb" ky libër ka përvojën e tij personale si dëshmitar i kësaj masakre, siç u shpreh ai, "para se të shkoj në botën tjetër".

Çështja e Masakrës së Reçakut u riaktualizua në dhjetor të vitit 2019

Çështja e Masakrës së Reçakut u riaktualizua si çështje diskutimi në dhjetor të vitit 2019, kur gjykata kosovare dënoi ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal nga radhët e komunitetit serb, Ivan Teodosijeviq, me dy vjet burgim, pasi u shpall fajtor për shkak se e kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut.

Pas këtij vendimi, edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e quajti masakrën e Reçakut një krim të fabrikuar dhe akuzoi ish-shefin e misionit të OSBE-së, Walker, për falsifikim të saj.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratës së Vuçiç, kishte thënë se Serbia po vazhdon përpjekjet për të mohuar rolin e saj në këtë masakër.

"Kur e vërteta është kaq e fuqishme si ajo e masakrës së Reçakut, shfaqen edhe narrativat mohuese ndaj saj, sikur që ka bërë Serbia që nga dita e masakrës së Reçakut e deri sot, duke u munduar ta turbullojë dhe falsifikojë rolin e drejtpërdrejtë planifikues dhe ekzekutues të shtetit serb në realizimin e masakrës së Reçakut," ka thënë Kurti.

Masakrën ndaj shqiptarëve të Kosovës në Reçak e kishte dënuar Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).

Menjëherë pas luftës, në vitin 2001, gjykatësit e UNMIK-ut, Misionit të OKB-së në Kosovë, dënuan oficerin e policisë Zoran Stojanoviq me minimum 15 vjet burg për pjesëmarrje në vrasjen e 45 personave në fshatin Reçak.

Stojanoviq ende mbetet i dënuari i vetëm për këtë masakër.

 

Në luftën e fundit 1998-99 në Kosovë llogaritet të jenë vrarë mbi 10 mijë njerëz, disa qindra mijëra të dëbuar nga vendi, dëme të mëdha materiale nga lufta, ndërsa ende nuk dihet fati i rreth 1.600 të zhdukurve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat