“Pasaporta Shqiptare” e Shpëtimit të Hebrenjve: Kol Bib Mirakaj, ministri i Brendshëm që shpëtoi 2000 hebrenj!

Amerika

“Pasaporta Shqiptare” e Shpëtimit të Hebrenjve: Kol Bib Mirakaj, ministri i Brendshëm që shpëtoi 2000 hebrenj!

Nga: Beqir Sina Më: 27 janar 2025 Në ora: 16:52
Kol Bib Mirakaj

UNITED NATIONS NY: Çdo vit më 27 janar, komuniteti ndërkombëtar mblidhet për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Kjo ditë u zgjodh dy dekada më parë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për të shënuar çlirimin e Kampit Nazist të Përqendrimit dhe Shfarosjes Auschwitz-Birkenau në 1945.

Sot, më 27 janar (e hënë), në selinë e OKB-së në Nju Jork, mbahen disa aktivitete për të kujtuar 80 vjetorin e çlirimit të Kampit Nazist të Përqendrimit dhe Shfarosjes.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, do të mbajë fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme, gjatë ceremonisë vjetore të përkujtimit në selinë e OKB-së.

Image
Dita Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit

Z. António Guterres, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, lëshoi një video-mesazh këtë mëngjes, me rastin e 80-vjetorit të Holokaustit:

"Sot nderojmë viktimat e Holokaustit, një tragjedi e pakrahasueshme në historinë njerëzore. Bota ka për detyrë të kujtojë se Holokausti ishte një përpjekje sistematike për të eliminuar popullin hebre dhe shumë të tjerë. Do të ishte një gabim i rrezikshëm të mendosh për Holokaustin thjesht si rezultat i çmendurisë së një grupi nazistësh kriminelë. Përkundrazi, Holokausti ishte kulmi i mijëvjeçarëve të urrejtjes, të kurbanit dhe diskriminimit që synonin shfarosjen e hebrenjve, atë që ne tani e quajmë antisemitizëm."

"Tragjikisht, dhe në kundërshtim me vendosmërinë tonë, antisemitizmi vazhdon të lulëzojë. Po ashtu, shohim një rritje thellësisht shqetësuese të ekstremizmit, ksenofobisë, racizmit dhe urrejtjes anti-myslimane. Irracionaliteti dhe intoleranca janë kthyer. Kjo është në kontrast të plotë me vlerat universale të mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut."

"Kurrë nuk mund të qëndrojmë të heshtur apo indiferentë kur qeniet njerëzore vuajnë. Ne duhet gjithmonë të mbrojmë të pambrojturit dhe të nxjerrim torturuesit para drejtësisë."

Image
Autori Beqir Sina në ditën e përkujtimit

"Pas tmerreve të shekullit të 20-të, nuk duhet të ketë vend për intolerancë në shekullin e 21-të. Ju garantoj se si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, do të jem në vijën e parë të betejës kundër antisemitizmit dhe të gjitha formave të tjera të urrejtjes."

"Le të ndërtojmë një të ardhme me dinjitet dhe barazi për të gjithë – dhe kështu të nderojmë viktimat e Holokaustit, të cilat nuk do t'i lejojmë kurrë të harrohen."

Ceremonia është planifikuar të fillojë në orën 11:00 me orën e Nju Jorkut dhe do të nderojë viktimat, duke i bërë gjithashtu homazhe grupit të pakësuar të të mbijetuarve, disa prej të cilëve do të ndajnë dëshmitë e tyre së bashku me folësit e ftuar.

Ndërkohë, në hyrje të sallonit kryesor në selinë e OKB-së është hapur një ekspozitë, ku janë vendosur fotografi dhe piktura, si dhe sende që janë gjetur në Kampin Nazist të Përqendrimit dhe Shfarosjes Auschwitz-Birkenau: valixhe dhe çanta, bizhuteri, rroba e të tjera, që u konfiskuan tetëdhjetë vjet më parë të burgosurve hebrenj në kampin e përqendrimit në Auschwitz, Poloni.

"Ne kemi për detyrë të qëndrojmë kundër intolerancës,” tha shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, në hapje të kësaj ceremonie.

Duke shënuar Ditën e Përkujtimit të Holokaustit të hënën, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha se thelbi i përkujtimeve ishte njohja e së kaluarës, por ato "duhet gjithashtu të shqyrtojnë të tashmen dhe të shikojnë drejt së ardhmes."

26 janar 2025, 80 vjet më parë, rreth 7,000 të burgosur që kishin mbetur të vdisnin nga uria në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes Auschwitz-Birkenau u çliruan nga ushtarët aleatë.

"Retorikë urrejtjeje" që kumbon

Në bazë të rritjes së retorikës urrejtëse, me rritjen e antisemitizmit në rrugë dhe në internet, shefi i të drejtat e OKB-së tha se "diskriminimi dhe çnjerëzimi po fitojnë mbi solidaritetin dhe dhembshurinë; diversiteti shihet si një kërcënim dhe jo si diçka për t'u vlerësuar; dhe shumë liderë po minojnë dhe dobësojnë shtetin e së drejtës."

Duke na kujtuar se të gjithë kanë "detyrë të qëndrojnë kundër intolerancës", z. Türk ndau frikën e tij se bota "po ecën në gjumë drejt një të ardhmeje të zymtë ku të drejtat dhe dinjiteti i njeriut mohohen, hiqen ose harrohen."

Thirrje për të dënuar antisemitizmin

Me një video-mesazh të fuqishëm, z. Türk, i kërkoi komunitetit global të qëndrojë vigjilent përballë intolerancës dhe diskriminimit në rritje. Thirrja vjen si një kujtesë e tmerreve të Holokaustit dhe mësimeve që ai jep.

Duke i bërë jehonë fjalëve të të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel, i cili tha në mënyrë të famshme, "heshtja inkurajon torturuesin", ai theksoi rëndësinë e të folurit kundër të gjitha formave të urrejtjes, veçanërisht antisemitizmit.

"Ne duhet ta dënojmë atë në të gjitha format e saj, së bashku me fanatizmin, intolerancën dhe urrejtjen," tha z. Türk, duke u kërkuar njerëzve të ndërmarrin veprime.

"Arsimi është kyç," tha ai

Tema qendrore e përkujtimit të Holokaustit të këtij viti është beteja e vazhdueshme për dinjitet dhe të drejtat e njeriut.

Në një thirrje për të ekspozuar dezinformimin dhe për t'i rezistuar përpjekjeve për të nxitur ndarjen, urrejtjen dhe frikën, z. Türk tha se diversiteti duhet të festohet dhe historitë e Holokaustit duhet të ritregohen si një mbrojtje thelbësore kundër paragjykimeve dhe racizmit.

"Edukimi i Holokaustit mbetet një nga vaksinat më të mira kundër dehumanizimit," shtoi ai, duke bërë thirrje për një të ardhme të drejtë dhe dinjitoze për të gjithë.

Hebrenjtë në Romë i dhuruan dy shkopinj me pjesë qelibari, si shenjë kujtimi për mirënjohjen e paharrueshme të tyre ndaj shqiptarit që shpëtoi 2,000 hebrenj, në atë kohë.

Urdhëri i ministrit të Brendshëm Kol Bibë Mirakaj për të pajisur me pasaportë shqiptare hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri në vitin 1943, është akti historik që i vendosi shqiptarët në historinë e shpëtimtarëve të hebrenjve që u strehuan në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore.

Ishte vit 1943, kur forcat gjermane po mbërrinin në Shqipëri. Një numër i konsiderueshëm hebrenjsh ndodhej në territorin shqiptar dhe rrezikoheshin nga nazistët gjermanë. Në atë kohë, Kolë Bibë Mirakaj, ministër i Brendshëm, udhëhoqi këtë dikaster nga maji deri në shtator të vitit 1943.

Një urdhër i tij i datës 31 gusht 1943 detyronte pajisjen me pasaporta shqiptare për të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në territorin e Shqipërisë. Përmes pasaportave shqiptare, ata mund të udhëtonin dhe të gjenin strehim në Italinë jugore, pjesë e çliruar atë kohë nga forcave aleate anglo-amerikane.

Faik Quku, autori i librit "Qëndresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore" (1941-1944), ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kolë Bibë Mirakajt. Një moment shumë i rëndësishëm është refuzimi që Kolë Bibë Mirakaj i bëri shumësë së parave që hebrenjtë kishin vendosur t’i jepnin atij si shpërblim për shpëtimin e 2,000 prej tyre nga nazistët gjermanë.

“Në verën e vitit 1943, Leon Thuri shkoi në zyrën e Kolë Bibë Mirakaj dhe i ofroi një shumë napolonash për përkrahjen që u kishte dhënë hebrenjve, por ai nuk i pranoi ato dhe e përcolli me sjellje bujare,” shkruan Quku.

Në atë kohë, Kolë Bibë Mirakaj ishte në mërgim në Romë dhe hebrenjtë që jetonin aty e njohën ministrin që i kishte shpëtuar jetën. Ata vazhduan këmbënguljen për ta ndihmuar atë si shenjë mirënjohjeje për ndihmën që u kishte dhënë. Ai refuzoi sërish shumën e parave që i ofruan hebrenjtë e Italisë, duke thënë se nuk kishte nevojë për shpërblime.

"Hebrenjtë në Romë i dhuruan dy shkopinj me pjesë qelibari si shenjë kujtimi për mirënjohjen e paharrueshme të tyre. Një shkop ishte i zi dhe tjetri bojë kafe. Kush e ka parë Kolë Bibën të ecë me një shkop duhet ta dijë se ishte po i njëjti që ia kishin dhuruar hebrenjtë," shkruan Quku.

Shumë shqiptarë janë dalluar për ndihmën që i dhanë hebrenjve në Shqipëri, katolikë dhe myslimanë pa dallim feje, dhe për këtë arsye Shqipëria njihet si "E Drejtë ndër Kombet" prej Yad Vashem-it.

Ky është dokumenti përmes të cilit Kolë Bibë Mirakaj shpëtoi 2,000 hebrenj. Dokumenti është regjistruar me numër protokolli 9/110 i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Image
Dokumenti

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat