NEW YORK : Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, në prag të festimeve të 17-të vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Ambasador Blerim Reka - shefi i misionit të Republikës së Kosovës, priti vatranin e hershëm, Sergio Bitiqi - (piktor dhe shkrimtar) .
Në statusin e tij në faqen zyrtare Ambasador Reka tha se ishte kënaqësi të prisja sot, Sergio (Sejdi) Bitiqin, një nga veteranët e mbrojtjes së çeshtjes së Kosovës në SHBA.
"Pos angazhimit për sensibilizimin e zyrtarëve dhe opinionit amerikan ne tri dekadat e fundit të shekullit të kaluar, libri i tij: “Kosovo, Path to Freedom”(2012), përmbledh letrat dhe dokumentet që z. Bitiqi me veprimtarët e tjerë shqiptaro-amerikan, ia kishin dërguar administratave amerikane dhe sekretarëve të përgjithshëm të OKB-së, duke i njohtuar për gjendjen e rëndë në Kosovën e pushtuar nga Serbia."
Ai po ashtu tha se në mesin e dokumenteve është edhe letra e Ajnshtajnit dërguar qarqeve ndërkombëtare në vitin 1931, për vrasjen e albanologut kroat Milan Shuflay nga shërbimi sekret i mbretërisë jugosllave.
Reka me kétë rast ka veçuar edhe një thënie të Bitiqit gjatë bisedës ku ai do të thoshte: “Atëherë ishim 100 herë më pak, por punonim 100 herë më shumë”!
Falemnderit zoti Bitiqi!, shkruan Ambasador Blerim Reka - shefi i misionit të Republikës së Kosovës në New York