17-vjetori i Pavarsisë së Kosovës/ Këshilli Bashkiak i Nju Jorkut vlerëson gazetarët shqiptaro-amerikanë

Amerika

17-vjetori i Pavarsisë së Kosovës/ Këshilli Bashkiak i Nju Jorkut vlerëson gazetarët shqiptaro-amerikanë

Nga: Beqir Sina, New York Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 07:19
Foto nga vendngjarja

Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Bashkia e Nju Jorkut zhvilloi një ceremoni festive (12 shkurt 2025), për të nderuar këtë ngjarje historike dhe për të festuar arritjet e Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë.

Komuniteti shqiptaro-amerikan i Nju Jorkut u mblodh mbrëmë për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës në një aktivitet festiv nën kujdesin e këshillit bashkiak Kristy Marmorato, në bashkëpunim me ish-anëtarin e kësaj bashkie, zotin Mark Gjonaj – Kryetar i Këshillit Kombëtar të Diasporës.

Me këtë rast, ata u nderuan edhe disa nga gazetarët shqiptaro-amerikanë për kontributet e tyre në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ceremonia për festimin e shtatëmbëdhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Dhomën e Këshillit të Nju Jorkut, Bashkinë e qytetit, nisi me parakalimin solemn të uniformave blu nga NYPD dhe pjesëtarët e Shoqatës Ilire e Zyrtarëve të Zbatimit të Ligjit.

Himnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të Republikës së Shqipërisë u kënduan nga Mikela Nonaj dhe Ilsi Ademi, dhe më pas u intonua edhe himni i Republikës së Kosovës.

Imami Edin Gjoni nga Albanian-American Islamic Center of Queens, sipas një rotacioni, dha lutjen e ceremonisë dhe foli gjatë për trashëgiminë tonë kombëtare.

Imam Gjoni tha: "Ndërsa festojmë pavarësinë e Kosovës, të mos harrojmë kurrë sakrificat e bëra – jetët e humbura, betejat e duruara dhe qëndrueshmërinë e pathyeshme të popullit shqiptar të Kosovës dhe jashtë Kosovës, jo vetëm gjatë luftës, por gjatë pushtimit gati një shekullor. Pavarësisht nga shtypja dhe vështirësitë, ata ruajtën rrënjët e tyre, mbajtën identitetin e tyre dhe duruan me dinjitet. Le të nderojmë gjithashtu përpjekjet e palëkundura të diasporës sonë shqiptare në Shtetet e Bashkuara, zërat dhe avokimin këmbëngulës i së cilës ndihmuan për të sjellë çështjen e Kosovës në skenën botërore. Dhe le të kujtojmë gjithmonë miqtë që na qëndruan pranë në orën tonë më të errët. Nuk duhet të harrojmë kurrë presidentët Wilson, Nixon, Clinton, Bush dhe Biden dhe administratat e tyre, për mbështetjen e tyre të vendosur ndaj shqiptarëve dhe Kosovës."

“Faleminderit Zot për pavarësinë tonë!” tha Imam Edin Gjonaj.

Ky festim, do të thoshte Mark Gjonaj në fillim të kësaj ceremonie festive, i cili është dhe një nga organizatorët kryesorë të saj, është i veçantë, pasi sot nderohen disa figura kyçe të medias shqiptaro-amerikane, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy popujve dhe promovimin e kulturës dhe gjuhës shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: "Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në komunitet, duke i dhënë zë ngjarjeve dhe aktiviteteve që lidhen me trashëgiminë shqiptare."

Gjonaj, i cili e moderoi aktivitetin, përmendi personat që u nderuan këtë vit, duke i ftuar ata të merrnin certifikatat e mirënjohjes:

Arben Xhixho, Voice of America

Vehbi Bajrami, Gazeta Illyria

Adem Belliu, Albanian Culture TV

Xhevat Kukaj, Radio “Zëri i Kombit”

Halil Mula, RTV 21

Sokol Paja & Rafaela Prifti, Gazeta Dielli

Beqir Sina, Gazetar ALBTVUSA

Gjeto Sinishtaj, Radio “Zëri i Malcise”

Qemal & Kozeta Zylo, nga Alba Life TV

Gjatë ceremonisë së kremtimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Bashkinë e Nju Jorkut, Arben Xhixho, Shefi i Shërbimit Shqiptar në Voice of America, mbajti një fjalim të rëndësishëm, duke nderuar kontributin e Voice of America (Zërit të Amerikës) dhe mediave të tjera shqiptaro-amerikane për lidhjen e diasporës me Shqipërinë dhe Kosovën.

“Është një nder që njihem sot, dhe është një privilegj të flas gjithashtu në emër të kolegëve të mi, gazetarë të shquar, për rolin që Voice of America, së bashku me median tjetër shqiptaro-amerikane, kanë luajtur në mbulimin e ngjarjeve të lidhura me Kosovën nga të dy anët e Atlantikut,” tha Xhixho.

Duke e vënë theksin tek rëndësia e këtyre mediave si ura që lidhin popullin shqiptar në Ballkan me komunitetin dinamik shqiptaro-amerikan në SHBA.

Përmes një pasqyre historike, Xhixho kujtoi se Voice of America, ndonëse nuk është media më e vjetër shqiptaro-amerikane – ky nder i takon Diellit – ka qenë media më e njohur dhe e ndjekur nga shqiptarët, duke ofruar lajme dhe informacion të besueshëm në gjuhën shqipe. VOA është një nga shërbimet e para të krijuara në këtë medium, duke filluar transmetimin më 13 maj 1943 dhe rifilluar më 13 maj 1951 pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë Luftës së Ftohtë.

“Voice of America ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e shpresave për demokraci tek populli shqiptar që jetonte nën komunizëm në Shqipëri, dhe ka mbështetur shqiptarët në ish-Jugosllavi që po përballeshin me kërcënimin ekzistencial,” theksoi Xhixho.

Ai kujtoi gjithashtu se në vitet ’90, kur regjimi komunist në Shqipëri po përfundonte, VOA gëzonte një përqindje rekord të dëgjueshmërisë prej 70%, dhe gjatë luftës në Ballkan, ajo ishte një nga burimet më të besuara të informacionit për shqiptarët në Kosovë.

Xhixho vlerësoi gjithashtu rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në ndryshimin e mendimeve të politikanëve amerikanë dhe arritjen e njohjes ndërkombëtare për Kosovën.

"Historia do ta tregojë, por mund të bëhet argumenti se ky ka qenë një nga përpjekjet më të rëndësishme të komunitetit tonë dhe liderëve të tij. Pa të, nuk do të kishte pavarësi të Kosovës që po e festojmë sot,” shtoi ai.

Në përfundim të fjalimit, Xhixho theksoi se puna e mediave nuk ka mbaruar dhe se pavarësia dhe demokracia kërkojnë mbrojtje të vazhdueshme, sidomos në një kohë kur e vërteta është vazhdimisht e sulmuar nga të gjitha drejtime.

Ai përfundoi duke cituar Edward Murrow, një nga ikonat e gazetarisë amerikane: “Për të qenë të besueshëm, ne duhet të jemi të vërtetë.”

Ndërsa, duke u bërë thirrje të gjithë të pranishmëve, ai kujtoi: "Por se, puna nuk ka përfunduar ende. Pavarësia dhe demokracia duhet të mbrohen. Asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë. Ne, mediat, kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur, aq më tepër sot, kur e vërteta po sulmohet nga të gjitha anët," tha Xhixho.

Zoti Mark Gjonaj, i cili qëndron pas skenave të këtij organizimi në bashkinë e Nju Jorkut, u shpreh se: “Ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë ne, si shqiptarë dhe si qytetarë të Nju Jorkut. Jemi krenarë për arritjet e Kosovës dhe për kontributin e jashtëzakonshëm të mediave shqiptaro-amerikane që e kanë forcuar komunitetin tonë këtu dhe në mbarë botën.”

Ceremonia, sipas tij, ishte një mundësi për t’u bashkuar dhe për të shprehur mirënjohje ndaj këtyre individëve që kanë kontribuar me pasion dhe profesionalizëm në mbështetje të komunitetit shqiptar në Nju Jork dhe në mbarë SHBA-në.

Ndërsa këshilltarja Kristy Marmorato nga Bronxi, organizatorja zyrtare nga Bashkia e Nju Jorkut, foli në emër të këshillit bashkiak, duke thënë se ishte privilegj të priste mbrëmë 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Dhomat e Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut:

“Ishte një nder të qëndroja përkrah mikut tim të mirë Mark Gjonaj për të festuar dhe njohur në festën e pavarësisë kontributin e popullit të Kosovës me këtë rast të rëndësishëm të pavarësisë së saj,” tha Marmorato.

Ambasador Blerim Reka, shefi i misionit të Kosovës në Nju Jork, e nisi fjalën e tij me një urim për të gjithë shqiptarët: "Urime 17-vjetori i pavarësisë së Kosovës."

Më pas, Ambasadori Reka kujtoi se kur ai nuk ishte ambasador, kur Kosova nuk kishte ambasador: "Ishit ju ambasadorët të Kosovës, pikërisht atëherë kur Kosova nuk kishte ambasada, kur ju ishit zëri i Kosovës së pushtuar, që flisnit për Kosovën në Uashington e Nju Jork."

"Lavdi ushtarëve të lirisë dhe SHBA-ve, dhe falënderim i përjetshëm për UÇK dhe Komandantin legjendar Adem Jashari, faleminderit NATO-s."

Festimet janë edhe reflektim, jo vetëm kremtim për atë se ku ishim, ku jemi dhe ku do të jemi, u shpreh Reka.

Ai tha se ky 17-vjetor i pavarësisë nuk e harron të kaluarën tragjike: "Një shekull shtypje koloniale dhe gjenocid të Serbisë kundër popullit shqiptar në Kosovë. Por sot, Republika e Kosovës është shteti më pro-amerikan në botë, vendi më demokratik në Ballkan, me Kushtetutën model më të avancuar për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Shteti më i ri evropian, për vetëm 17 vite, u ngrit si feniksi nga tmerret e luftës pushtuese të Serbisë, në një rrëfim suksesi të shtet-ndërtimit demokratik," u shpreh Ambasador Blerim Reka, shefi i misionit të Kosovës në Nju Jork.

Në gërshetim me programin, grupet e valleve me interpretimet artistike të fëmijëve të shkollës shqipe “Alba Life”, si dhe nxënësit e shkollës shqipe “Children of the Eagle”, sollën në sallën e Bashkisë së Nju Jorkut një pjesë të gjallë të valles dhe kostumeve shumëngjyrshe shqiptare në festën e pavarësisë së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat