Në vendlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës valëvitet flamuri i Republikës së Kosovës. 

Amerika

Në vendlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës valëvitet flamuri i Republikës së Kosovës. 

Nga: Dr.Sadik Elshani Më: 23 shkurt 2025 Në ora: 06:36
Dr.Sadik Elshani

Gjatë shekujve Kosova kaloi një rrugëtim të gjatë me plot vuajtje, sakrifica, përpjekje mbinjerëzore, luftëra të pandërprera e të përgjakshme për liri e pavarësi. Prandaj, shpallja e Kosovës shtet i lirë e i pavarur, i njohur nga fuqitë e mëdha e demokracitë më të përparuara të botës, është një ngjarje madhështore, shumë e gëzueshme që vështirë mund të përshkruhet me fjalë. Shkurt, në Kosovë ka ndodhur nje mrekulli, një ringjallje. Një Feniks i vërtetë, është ringjallur Dardania e lashtë në një shtet të ri.

Shoqata jonë, “Bijtë e shqipes”, i kushton një rëndësi të madhe kësaj ngjarje madhështore të kombit tonë.  Ajo vazhdimisht me shumë veprimtari e ka shënuar çdo përvjtor të pavarëisë së saj. Nga viti 2023, në përvjetorin e 15-të të pavarësisë së saj, kemi filluar edhe me organizimin e ngritjes së flamurit të Kosovës në bashkinë e qytetit të Philadelphias. Nuk ka vend më solemn për ta festuar pavarësinë e një vendi sesa në Philadelphia, vendlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku lindi një shtet i ri dhe një epokë e re për njerëzimin. është ky një nder i jashtëzakonshëm për komunitetin tonë, Kosovën, kombin tonë – është afirmim i vlerave të përbashkëta për liri, pavarësi, paqe, drejtësi e përparim.

Edhe pse ishte një ditë e ftohtë, në sheshin e bashkisë ishin mbledhur bashkatdhetarët e gëzuar e të qeshur për të festuar këtë Ditë të Madhe për Kosovën e kombin tonë. Mbretëronte atmosferë festive, ngazëllyese: valonin flamujt e Kosovës, dhe ata kuqezi e amerikanë; jehonte kënga e vallja shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive nga Kosova dhe ngjarjet e lavdishme të historisë së saj: jehonte kënga “Mora fjalë”, kushtuar komandantit legjendar, Adem Jasharit, mishërimit të lirisë së Kosovës. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe këshilltarët e Këshillit Bashkiak të qytetit të Philadelphias, zotërinjtë: Michael Driscol e Mark Squilla. Nga Zyra për Çështjet e Emigrantëve merrte pjesë z. Alain Joinville, drejtor për Komunikime Strategjike e Programe. Ishte e pranishme edhe zonja Krista Bard, Konsulle e Përgjithshme e Nderit e Lituanisë, njëherësh edhe kryetare e Organizatës së Konsujve të Nderit në Philadelphia.

 Pas një blloku me këngë e valle shqiptare filloi ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës, u kënduan himnet kombëtare të Amerikës dhe Kosovës. Gjatë këndimit të himnit të Kosovës ngritej në shtizë edhe flamuri i saj. Flamuri u ngrit nga z.Imer Dedja, një biznismen i sukseshëm dhe zonjusha Diarta Kabashi, studente e mjekësisë. është ky një nderim që shoqata u ben anëtarëve të saj të dalluar. Për shkak të kohës shumë të ftohtë, pas ngritjes së flamurit ceremonia vazhdoi në mjediset e brendshme të bashkisë, në Caucus Room.

Ceremoninë e hapi z. Dritan Matraku, kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare “Bijtë e shqipes”, i cili i përshëndet të pranishmit, duke ua uruar Festën e Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu ai i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhjen mysafirëve të cekur më lart. Ndër të tjera z. Matraku u shpreh se Pavarësia e Kosovës është një ngjarje e madhe jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë shqiptarët. 

Në emër të shoqatës “Bijtë e shqipes” përshëndeti zonjusha Erona Shurdhiqi, ish-nxënës e e dalluar e shkollës sonë shqipe - tani ajo është Clinical Research Coordinator, The Children’s Hospital of Philadelphia. Në fjalën e saj të përgatitur bukur zonjusha Shurdhiqi foli për rëndësinë e kësaj ngjarje të shënuar të historisë sonë, përpjekjet e sakrificat e shqiptarëve ndër vite për liri e pavarësi: “Kjo ditë është një moment reflektimi për sakrificën, përpjekjet, dhe ëndrrën e brezave që luftuan për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.Flamuri i Kosovës nuk është thjesht një simbol shtetëror, por një dëshmi e rrugëtimit të gjatë dhe të mundimshëm të popullit tonë drejt lirisë dhe demokracisë. Sot, ai valëvitet me krenari jo vetëm në trojet tona, por edhe këtu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës - një vend që ka qenë dhe mbetet një aleat i palëkundur i Kosovës dhe shqiptarëve. Sot ky Flamur valvitet këtu i lire falë Presidentit te saj historik, Ibrahim Rugova, i cili me largpamësinë dhe urtësinë e tij udhëhoqi rrugën drejt pavarësisë. Ky Flamur valvitet i lire falë Ushtrise Çlirimtare të Kosovës, me në krye Komandantin Legjendar Adem Jasharin, duke flijuar tërë familjen e tij prej 59 anëtarësh.

Ky flamur valvitet i lirë falë dëshmorëve që ranë gjatë luftës dhe gjithë popullit që sakrifikoi gjithçka për këtë liri e pavarësi” – u shpreh zonjusha Shurdhiqi. Ajo shprehu e dhe mirënjohjen e falenderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ndihmën e pakursyer që i kanë dhënë popullit tonë ndër vite: “Mirënjohja jonë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e pamatshme. Pa mbështetjen e tyre vendimtare, sakrifica e popullit tonë do të kishte qenë edhe më e rëndë, dhe rruga drejt lirisë shumë më e vështirë.

Ndërhyrja e SHBA-ve në vitin 1999 ishte një akt historik që i hapi rrugën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.Në momentet më të errëta të historisë tonë Shtetet e Bashkuara te Amerikes dhe aleatët e tyre qëndruan përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit tonë, duke mbrojtur të drejtën tonë për të jetuar të lirë”. Mirënjohje të veçantë zonjusha Shurdhiqi i shprehu edhe shoqatës “Bijtë e shqipes”, e cila ruan e promovon gjuhën, kulturën e traditat tona kombëtare, duke shërbyer si një urë që lidh diasporën me atdheun, si dhe një shembull i shkëlqyer i bashkimit e organizimit të shqipatrëve në mërgim.

Gjithashtu, ajo u shprehu mirënjohje edhe Bashkisë e qytetit të Philadelphias që ndër vite e kanë mbështetur dhe mirëpritur komunitetin tonë: “Kjo dëshmon vlerat e mëdha të këtij qyteti dhe respektin për diversitetin e tij. Miqësia mes popullit shqiptar dhe atij amerikan është një lidhje e fortë, e pathyeshme, dhe e përjetshme” – u shpreh zonjusha Shurdhiqi,

Këshilltari Michael Driscol, miku i madh i shqiptarëve të Philadelphias u uroi të pranishmëve Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar përpjekjet dhe synimet e popujve për liri e pavarësi. Zoti Driscol theksoi se lidhja e thellë me Philadelphian, Kosovën e Shqipërinë është dëshira për të jetuar të lirë. Ai ceku edhe 250 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së ShBA-ve që do të festohet në vitin 2026, duke theksuar se kjo do të jetë një festë e të gjitha demokracive të botës. Ai foli edhe për rolin e emigrantëve në zhvillimin e Philadelphias, duke vlerësuar posacërisht emigrantët shqiptarë që në këtë qytet dhe anëmbanë Amerikës kanë sjellur talentet e tyre, vlerat familjare e njerëzore, etikën e lartë të punës e ndershmërisë. Nuk mungoi as porosia e tij për ta ruajtur gjuhën, kulturën e traditat tona kombëtare. Ai vuri në pah edhe vëllazërinë që Kosova, Shqipëria e Amerika ndajnë së bashku.

Konsullja e Nderit, zonja Krista Bard përshëndeti në gjuhën shqipe: Urime Kosovë! Ajo shprehu kënaqësinë që po merrte pjesë në këtë manifestim. “Faleminderit që festoni lirinë, demokracinë” – u shpreh zonja Bard. Ajo theksoi se edhe Lituania ka kaluar një rrugëtim të gjatë për ta fituar lirinë. Gjithashtu, ajo përcolli edhe urimet e Këshillit të Konsujve të Nderit në Philadelphia. Zoti Alain Joinville përshëndeti në emër të Zyrës për Çështjet e Emigrantëve (Office for Emigrant Affairs). Ai i njoftoi të pranishmit për punën që bën kjo zyrë për t’i ndihmuar emigrantët e rinj për t’u përshtatur në jetën e qytetit të Philadelphias, ndihmon në promovimin e vlerave, programeve, zhvillimin e komuniteteve. Po ashtu, ai e ceku se Philadelphia është qytet që i mirëpret zemërhapur emigrantët dhe ku emigrantët ndihen mire: të mirëpritur e të vlerësuar. Pastaj zoti Joinville lexoi pjesë nga Proklamata përmes së cilës kryebashkiakja, Cherelle Parker, e shpallte 14 shkurtin e vitit 2025, Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Philadelphia. Një nder i madh ky për Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre. (Kjo ceremoni ishte planifikuar për datën 14 shkurt, por meqenëse atë ditë zhvillohej parada për ekipin e futbollit, “Eagles”, fitues të Kupën së Super Boël, atëherë ceremonia u shty për datën 18 shkurt).

Kështu edhe këtë vit shoqata “Bijtë e shqipes” përmbylli me plot sukses manifestimet e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Të gjithë të pranishmit uruan: Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat