Kur fuqitë e mëdha perëndimore e mbështesnin kërkesën e Kosovës për pavarësi, ato paralajmëruan se Kosova ishte ‘sui generis’, një rast i veçantë sipas ligjit ndërkombëtar, që nuk mund të përdoret në asnjë rrethanë si precedent për situata të tjera.
Por në retrospektivë, kjo gjë nuk i pengoi separatistët në vende të ndryshme t’i referoheshin çështjes së Kosovës, sa herë që u dukej e përshtatshme për ta. Siç u shpreh në atë kohë historiani i njohur britanik Timothy Garton Ash: “Kosova është unike, por do të ketë shumë ‘Kosova’ të tjera”.
Dhe kjo u pa për herë të parë në Osetinë e Jugut dhe Abkazi në vitin 2008, dhe pastaj në Krime në vitin 2014. Pas referendumit në Krime, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se çështja e Kosovës që “kolegët tanë perëndimorë e krijuan me duart e tyre në një situatë shumë të ngjashme” ishte një precedent i duhur për gadishullin.
Çështja e Krimesë, ka vërtetuar se sa të dëmshme mund të jenë përjashtimet në normat tashmë të vendosura të së drejtës ndërkombëtare. Separatistët u bindën se qëndrimi i Perëndimit ndaj separatizmit, është kryesisht një çështje formulimi, pavarësisht se sa herë zyrtarët perëndimorë kanë deklaruar të kundërtën.
Pra, ata besojnë se mund të kenë sukses me lobimin e kauzës së tyre në Perëndim, dhe nëse ia dalin të ndërtojnë një narrativë joshëse që të tërheqë audiencën perëndimore. Për shembull, gjatë referendumit katalanas për pavarësi në vitin 2017, strategjia e qeverisë katalanase ishte që ta detyronte BE-në të ndërhynte në Spanjë, duke u përpjekur ta bindte unionin se ata, ashtu si shqiptarët në Kosovë, nuk kishin zgjidhje tjetër të vlefshme përveç shkëputjes nga“natyra autoritare” e qeverisë Spanjolle.
Taktika të ngjashme janë përdorur nga qeveria armene edhe në rastin e Nagorno-Karabakut. Pavarësia e Kosovës u mirëprit me entuziazëm nga separatistët armenë në këtë rajon, suksesin e së cilës ata shpresuan që ta imitonin. Ata gjithashtu mbështetën aneksimin e Krimesë, duke argumentuar se ajo ishte sërish “një tjetër manifestim i realizimit të së drejtës së njerëzve për vetëvendosje”.
Ndërkohë, gjatë votimit të OKB në marsin e vitit 2014, Armenia votoi pro rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, dhe që e cilësonte të paligjshëm aneksimin e Krimesë. Lobistët armenë në Perëndim,synojnë të argumentojnë se bazuar tek rasti i Kosovës, Shtetet e Bashkuara duhet që të njohin urgjentisht pavarësinë e Nagorno-Karabakut.
Dhe kjo pavarësisht nga fakti se në atë kohë Departamenti i Shtetit, paralajmëroi qartazi se Kosova nuk ishte një precedent, dhe as që duhet të shihet si i tillë nga ndonjë vend tjetër në botë, dhe sigurisht nuk është një precedent as për Karabakun.
Vetë kryeministri armen Nikoll Pashinyan,ka deklaruar vazhdimisht muajt e fundit se bashkësia ndërkombëtare duhet ta njohë Nagorno-Karabakun si një shtet të pavarur, bazuar në parimin e shkëputjes korrigjuese.
Problemi nuk është vetëm se kjo doktrinë – që pretendon se shkëputja mund të pranohet si mjeti i fundit për t’i dhënë fund shtypjes – është një mit,që nuk ka një themel të fortë teorik në të drejtën ndërkombëtare, dhe nuk ka rëndësinë më minimale për “konfliktet e ngrira” në rajonin post-sovjetik.
Por ai ngre ndërkohë një dilemë të rreme zgjedhje midis një shoqërie të mirë-integruar dhe vetëvendosjes së jashtme, teksa shpërfill plotësisht një qasje të tretë shumë më efektive për zgjidhjen e konfliktit – një vetëvendosje të brendshme, e cila jo vetëm lejon bashkëpunimin ndërmjet grupeve dhe një autonomi e mjaftueshme për të bashkëjetuar, por është gjithashtu mënyra e vetme e zbatueshme për të siguruar një paqe të qëndrueshme në rajon.
Ndërsa e drejta ndërkombëtare përfshin konceptin e vetëvendosjes, ajo nuk përfshin të drejtën e shkëputjes. Në përgjithësi është pranuar se e drejta e vetëvendosjes nuk mund të përdoret për të ndarë territorin e një shteti sovran jashtë paradigmës de-kolonizimit.
Integriteti territorial i shteteve dhe kundër shkëputjes, është i garantuar sipas ligjit ndërkombëtar për një arsye të fortë. Nëse secili grup separatist, shpesh i nxitur nga forma të rrezikshme të nacionalizmit, do të ndiqte vetëvendosjen e jashtme, ai do të destabilizonte plotësisht rendin ndërkombëtar liberal aktual.
Pastaj ekziston ndonjëherë edhe realiteti i errët i pushtimit,që fshihet pas fasadës së vetëvendosjes. Ky është rasti i Krimesë, kur pushtuesit përpiqen të portretizojnë pretendimin e tyre si demokratik, dhe përpiqen t`a lidhin pretendimin e tyre në një mënyrë apo tjetër me vlerat liberale.
Kur nacionalistët armenë filluan lëvizjen Miatsum (Unifikimi) në vitin 1988, qëllimi i tyre përfundimtar ishte aneksimi i Nagorno-Karabakut nga Armenia. Por për të kapërcyer mosmiratimin ndërkombëtar të irredentizmit dhe për të fituar mbështetjen e liberalëve, pushtimit më vonë u cilësua si një luftë për vetëvendosje.
Qeverisë armene i pëlqen të argumentojë se Nagorno-Karabaku e arriti pavarësinë “përmes një referendumi popullor demokratik”. Në praktikë, një referendum i tillë nuk është asgjë më shumë sesa një sondazh i opinionit publik. Sipas ligjit ndërkombëtar, një deklaratë e njëanshme e pavarësisë e bazuar mbi një referendum, nuk është më i ligjshëm sesa një shkëputje e njëanshme pa një votim popullor.
Pavarësisht luftimeve të reja disa javë më parë, Perëndimi mund të ndihmojë ende në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore dhe të qëndrueshme të konfliktit të Nagorno-Karabakut, por për ta bërë atë, duhet të ketë një qëndrim më të ashpër ndaj separatizmit. Çështja e Kosovës duhet të qëndrojë vërtet ‘sui generis’. E drejta ndërkombëtare është më e fortë, kur normat e saj nuk lënë shumë hapësirë për interpretime.
* Shënim: Ayaz Rzayev, është studiues në Qendrën Topchubashov në Baku, Azerbajxhan. Ai është gjithashtu anëtar i Nismës Evropiane Kufitare të MEI-t. /Bota.al