Gjatë fushatës elektorale Donald Trump e kishte etiketuar si “Xho gjumashi”. Tani Xho Bajden është “zgjuar”dhe dëshiron që ta tregojë këtë gjë para dy rivalëve strategjikë të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës, të cilët duket se nuk e kishin marrë seriozisht.
Pakkush priste që Bajden të përgjigjej “Po, unë mendoj se është kështu”, pyetjes së një gazetari: “A mendoni se Vladimir Putin është një vrasës?”.
Edhe Putin u shokua nga një deklaratë e tillë, aq sa thirri menjëherë në Moskë ambasadorin e tij në SHBA, manovra më e menjëhershme që tregon kontestimin e tij ndaj një etiketimi të tillë, por pa kompromentuar marrëdhëniet me një vend tjetër.
Më 18 mars, të dërguarit e Bajden u takuan në Ankoreixh të Alaskës me përfaqësuesit e president kinez Xi Jinping për një kontakt të parë të drejtpërdrejtë, që megjithatë mori përmasat e një konfrontimi, deri në pikën që nuk do të ketë asnjë deklaratë të përbashkët në fund të 2 ditëve bisedime.
Fushë e lirë
Në Moskë ashtu si në Pekin, mbizotëron ideja se demokracitë perëndimore, dhe sidomos Shtetet e Bashkuara, janë të dobëta, të përçara dhe në rënie. Për 4 vjet Putini ka pasur duart e lira me një Donald Trump çuditërisht pasiv ndaj Rusisë.
Por ne mund të kthehemi edhe më pas në kohë, në vitin 2013 tek vendimi i Barak Obamës (kur Biden ishte zv/president) për të mos ndërhyrë në Siri pavarësisht nga përdorimi i armëve kimike nga Bashar Al Asad. Në atë kohë, Obama ia la fushën e lirë Putinit, dhe ku i fundit e shfrytëzoi rastin për të riafirmuar ambiciet e Moskës.
E njëjta gjë vlen edhe për Pekinin, ku menaxhimi jofunksional i epokës Trump, sidomos në lidhje me pandeminë e Covid-19, i bindi udhëheqësit kinez se Shtetet e Bashkuara ishin në rënie. Për më tepër, pas 2 vitesh luftë tregtare me Uashingtonin, Pekini regjistroi rritje ekonomike vitin e kaluar, ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin në recesion dhe u penalizuan nga problemet e brendshme.
Një botë brutale
Ky është imazhi që dëshiron të fshijë Bajden, duke imponuar atë të një vendi të gatshëm që të mposhtë pandeminë, të rihapë ekonominë e tij falë injektimit masiv të dollarëve, dhe për të qenë i respektuar në arenën ndërkombëtare.
Sulmi personal ndaj Putinit nuk është një zgjedhje diplomatike, por në këtë mënyrë Bajden dëshironte që të rivendoste ekuilibrin e fuqisë. Dhe e bëri këtë gjë përmes një gjuhe brutale, të përshtatshme për një botë brutale.
Presidenti i ri u zemërua veçanërisht nga shkalla e lartë e sulmit kibernetik ndaj sistemeve amerikane, që u atribuohet rusëve, duke premtuar të kundërpërgjigjej. Ne kemi hyrë tashmë në një epokë të karakterizuar nga rishikimi i ekuilibrit të fuqisë, në një botë multipolare pa rregulla loje, që i ka zënë vendin mbretërimit të padiskutueshëm të Shteteve të Bashkuara.
Askush nuk ka interesin të jetë “i sjellshëm” në një periudhë të tillë plot tension, pasi kur bëhet fjalë për përcaktimin e rregullave, ekziston rreziku i të qenit i mënjanuar.Por për sa kohë Bajden do të vazhdojë të “bëjë të fortin”? Ndoshta deri kur ta kuptojë se Moska dhe Pekini e kanë marrë mesazhin. Një periudhë që rrezikon të jetë mjaft e gjatë … / Bota.al