Çfarë pritet të ndodhë gjatë vitit të dytë të luftës së Rusisë në Ukrainë

Analiza

Çfarë pritet të ndodhë gjatë vitit të dytë të luftës së Rusisë në Ukrainë

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 06:54
Foto ilustrim

Ndërsa pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë po i afrohet përvjetorit të parë, publiku dhe politikanët evropianë po pyesin se sa do të zgjasë lufta, dhe cilët skenarë mund të zhvillohen gjatë pjesës tjetër të vitit 2023. Natyrisht, bërja e parashikimeve të tilla është gjithmonë më shumë art sesa shkencë. Por ja se si mund të rrjedhin gjërat për palët ndërluftuese, bazuar në të dhënat aktuale:

Rusia

Që nga prilli i vitit 2022, Rusia ka zhvilluar një luftë shkatërruese. Në vend se ta pushtonte shumë shpejt Ukrainën nga shumë drejtime siç kishte synuar, Moska është duke u mbështetur në një luftë të ngadaltë dhe të egër në lindje të vendit për të dobësuar burimet e Kievit.

Rusia shpreson se Ukraina të dorëzohet vullnetarisht, apo që të shtypet rezistenca e saj e organizuar ushtarake. Për të dobësuar ndihmën ndërkombëtare për Ukrainën, vendim-marrësit rusë po mbështeten tek lufta informative dhe frenimi i eksporteve energjetike drejt Evropë.

Nga këndvështrimi i Kremlinit, kjo strategji mund të rezultojë e suksesshme, dhe rusët ka të ngjarë të vazhdojnë me të. Pavarësisht spekulimeve të mëdha për një sulm të ri nga territori bjellorus, një operacion i tillë është i pamundur, të paktën për dimrin dhe për pranverën e këtij viti.

Nëse Rusia do ta planifikonte këtë, ajo do të kishte vendosur tashmë më shumë njësi ushtarake në Bjellorusi. Prandaj për 3-mujorin e parë të vitit, Bjellorusia do të shërbejë si një terren i madh stërvitor për forcat ruse. Një operacion nga Bjellorusia mund të jetë ende i realizueshëm në një moment të mëvonshëm, sidomos nëse Moska do të kryejë një mobilizim të ri.

Megjithatë, mobilizimet e reja do të kenë vështirësitë e veta: trupat me përvojë ushtarake do të pakësohen pas çdo vale rekrutimesh. Ndërkohë ndonëse mobilizimi i mëtejshëm është i mundur, ai ka të ngjarë të sjellë vetëm dobësim të efektivitetit në fushën e betejës.

Ndërsa forcat e armatosura të Rusisë vazhdojnë të përballen me shumë probleme të shumta, industria e saj e mbrojtjes është treguar jashtëzakonisht  qëndrueshme. Pavarësisht sanksioneve, kapaciteti i prodhimit të raketave të lundrimit është rritur gjatë luftës.

Ndërsa nuk është në gjendje të zëvendësojë sistemet e saj të shtrenjta të armëve me cilësi të lartë, Rusia po vazhdon të prodhojë me ritëm sisteme konvencionale të nivelit të ulët. Për këtë arsye, ajo ka të ngjarë të qëndrojë në sulm deri në fillim të kësaj vere, pikë në të cilën fuqia e saj luftarake ka të ngjarë të bjerë sërish.

Moska do të detyrohet të kryejë një mobilizimi të ri deri në fund të këtij dimri që të jetë në gjendje të mbajë vijën e zgjeruar të frontit të saj. Por deri në atë moment, ushtria ruse do të jetë e pambrojtshme ndaj kundërsulmit ukrainas.

Ukraina

Ukraina do ta ketë të vështirë të mbrohet nga sulmet e reja ruse në gjysmën e parë të këtij viti. Nuk ka shumë gjasa që ajo të jetë në gjendje të kryejë një kundërsulm në shkallë të gjerë, pasi forcat e saj të armatosura nuk zotërojnë mjetet për të ndërmarrë sulme ballore kundër forcave ruse (sidomos transportuesit e blinduar, automjetet luftarake të këmbësorisë dhe tanket).

Prandaj ata po mjaftohen me luftimet indirekte, si bombardimet me artileri dhe raketat, për të dobësuar linjat ruse dhe më pas për t’i sulmuar ato me forca të armatosura lehtë. Por nëse rriten ndjeshëm furnizimet nga Perëndimi me mjete të rënda luftarake tokësore (tanke dhe mjete luftarake të këmbësorisë), atëherë një kundërofensivë ukrainase mund të nisë në gjysmën e dytë të këtij viti.

Kufizimi më i madh nga pala ukrainase është disponueshmëria e rezervave pas shtimit të humbjeve materiale. Pjesët e këmbimit dhe municionet për shumë sisteme të epokës sovjetike po bëhen të pakta dhe disponueshmëria e tyre varet nga gatishmëria e vendeve joperëndimore për të shitur stoqet që kanë.

Ndërsa lufta po vazhdon, këto burime do të shterin një ditë dhe është veçanërisht e vështirë të parashikohet se cila do të jetë disponueshmëria e tyre. Takimi i Ramstein më 20 janar e theu tabunë e aleatëve mbi dërgimin e armëve të rënda luftarake tokësore. Por numri i tyre është ende i ulët, dhe ato do të kenë ndikim në luftë vetëm nëse rriten dërgesat dhe grumbullohen gjatë pjesës tjetër të vitit.

Ndërkohë as donacionet individuale nga rezervat ekzistuese nuk do të garantojnë sasinë e kërkuar të automjeteve. Vetëm një përpjekje e përbashkët për të blerë sisteme të reja në numër për të zëvendësuar automjetet e dhuruara Ukrainës do ta lejojë Evropën të sigurojë pajisjet e nevojshme. Por një vendim i tillë ende nuk është marrë dhe afati po skadon.

Në muajt e parë të këtij viti Ukraina do të jetë nën një presion në rritje nga ofensivat ruse në dimër dhe pranverë. Mundësitë për të kundërsulmuar dhe për të zhbërë përfitimet territoriale ruse do të hapen në gjysmën e dytë të vitit.

Jo fund i konfliktit, por as ngërç në fushën e betejës

Lufta nuk do të përfundojë këtë vit. Siç e ka deklaruar gjenerali amerikan Mark Milley, kryetari i shefave të përbashkët të shtabit, sipas tij ka shumë pak gjasa që Ukraina të jetë në gjendje t’i dëbojë forcat pushtuese brenda këtij vit. Në një skenar pozitiv Ukraina mund t’i shkaktojë humbje të tilla të rënda Rusisë sa që makina ushtarake e Moskës do të degradohej aq shumë, saqë edhe mobilizimet e mëtejshme do të ishin të pamjaftueshme për të rifituar iniciativën.

Prania ushtarake ruse në pjesën kontinentale të Ukrainë do ta ishte realisht e rrezikuar.

Ndërkohë në një skenar negativ Rusia do ta dëbonte ushtrinë ukrainase nga i gjithë rajoni

Donbasit, duke e reduktuar potencialin ushtarak të Ukrainës dhe duka ia ulur moralin.

Me dërgesat e ngadalta dhe kryesisht simbolike të armëve nga Perëndimi, shanset e ukrainasve për të çliruar vendin e tyre do të zvogëloheshin. Ndërsa humbjet e rusëve do të ishin ende të mëdha, Putini do të kishte një rrugë të përgjakshme dhe të kushtueshme – por të arritshme – drejt fitores.

Në çdo rast, ekziston një skenar që duhet përjashtuar: një ngërç në këtë konflikt. Putinit i intereson vetëm fitorja e plotë siç e përkufizon ai, dhe pasi ka investuar kaq shumë në këtë luftë, ai nuk do të pranojë asnjë marrëveshje përveç kësaj. Mund të ndodhin disa pushime operative të luftimeve, në të cilat të dyja palët rigrupohen dhe ri-furnizohen.

Por ato do të jenë pauza, dhe jo gjendje përfundimtare. Kokëfortësia e Putinit është e dukshme tek mënyra se si ai ka parandaluar zhvillimin e çdo lloj negociate serioze përmes parashtrimi të kushteve, të cilat janë tërësisht të papranueshme për Kievin.

Kjo e ka bindur Uashingtonin dhe aleatët e tjerë se Ukraina nuk duhet të humbasë, dhe se për këtë arsye ata duhet ta ndihmojnë të fitojë. Megjithatë, kjo pikëpamje nuk është ende e njëtrajtshme në aleancën perëndimore, dhe ka të ngjarë të vazhdojnë dallimet e opinioneve në lidhje me përfundimin e luftës, çfarë strategjie duhet të ndiqet dhe cilat duhet të jenë prioritetet e kësaj ndihme. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat