Kosova nuk ishte republikë nën Serbo-Jugosllavi (1945-1999)

Analiza

Kosova nuk ishte republikë nën Serbo-Jugosllavi (1945-1999)

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 1 prill 2023 Në ora: 18:16
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Por vetëm një “koloni moderne autonome”, pa substancën e së drejtës së vetëvendosjes. Pikërisht,  për shkak të një diskriminimi të këtillë racist, hegjemonist, ekspansionist dhe imperialist serbomadh jugosllav, Kosova ishte një nga krahinat më të varfëra dhe më të pazhvilluara nën Jugosllavi. 

Këtë status antivetëvendosje Kosovës, e bënë çështje dhe e shkallmuan, edhe demonstratat e vitit 1968, edhe demonstratat studentore gjithëpopullore të vitit 1981, si edhe UÇK-ja (1991-1999), të cilat e ndërkombëtarizuan çështjen e së drejtës së VETEVENDOSJES së shqiptarëve në Kosovë, duke e gjetur mbështetjen e fuqishme të Amerikës dhe të NATO-s (24 mars -10 qershor 1999). Këtë të vërtetë të historisë, të luftës dhe të pavarësisë së Kosovës, nuk mund ta fshijë asnjë shkencë e botës.

Këtë të vërtetë historiko-politike dhe juridike të statusit të Kosovës (de fakto dhe de jure) e    dukumentojnë:  Kushtetuta e RPFJ-së (1946), Kushtetuta e RPFJ-së (1963) dhe Kushtetuta e RFSJ-së (1974)  sipas të  cilave, Kosova anjëherë nuk ishte republikë, por vetëm një krahinë autonome, ashtu sikurse Vojvodina, as më pak e as më shumë. 

Kjo është e vërteta, jo përrallat dhe përrallëzat e Oliver Shmitit, të  përqafuara blanko nga disa “heronj” të “kombit kosovar”,  të cilët nëpër mediume të ndryshme informative po shtiren si “baballarë” dhe si “ideologë” të ashtuquajturit “kombi kosovar” , se gjoja  shqiptarët si “pakicë nacionale në Kosovë kanë pasur autonominë më të avancuar në botë” !? 

Kësi falsifikati origjinal dhe, këso gënjeshtre deri më sot nuk kanë prodhuar as “kuzhina” politiko-propagandistike e  shtetit serbo-jugosllav, as akademia famëkeqe serbe e Beogradit e as kisha e politizuar retrograde serbe, se gjoja “pakica kombëtare”  shqiptare e Kosovës “ka pasur stadin më të lartë të autonomisë politike” !

Mirëpo, sipas një rrene të këtillë  “pa tavan”, krejtësisht injorante, del se , sikur “shqiptarët në Kosovë të kishin “ndenjur  rehat”  në stilin “ha si i gjallë e rri si i vdekur”, duke mos u ngritur në revolta, në protesta dhe në demonstrata studentore dhe gjithëpopullore, gjatë viteve 1968, 1981, “Kosova do të ishte zhvilluar dhe, do të kishte përparuar  më shumë se republikat e tjera të RSGJ-së” !?

-Çfarë parulle armiqësore kjo, që i poshtëron  dhe i mohon të të gjitha sakrificat  dhe  kontributin luftarak në ilegalitet të Guerilës Shqiptare në Jugosllavi me ADEM DEMAÇIN  në krye (1958 – 1990).

Kjo është rrena dhe falsifikati më irracional, që nuk qëndron as midis opinionit dhe injorancës, kur dihet se Kosova autonome nën  Jugosllavi (1945-1990) ishte një nga krahinat më të pazhvilluara në të gjitha fushat e jetës politiko-shoqërore, sepse nuk i njihej e drejta e vetëvendosjes si komb shumicë, por vetëm e drejta e një lloj autonomie të cunguar si “minoritet”.. Për më tepër, këtë status “autonom më të lartë botëror titist” e dëshmon edhe fakti se Kosova së bashku me disa republika të tjera të varfura në Jugosllavi, ishte  KLIENTI KRYESOR i shfrytëzimit të Fondit për të Pazhvilluarit (Fond za nerazvijene), edhe pse kjo ishte një nga krahinat më të pasura në Jugosllavinë  e Titos. Mirëpo, këtë pasuri (ari, argjend, zink, bakër, ferronikel, thëngjill, boksit…etj.) e shrytëzonin republikat e tjera të Eduard Kardelit, të Titos, të Kërste Cërvenkovskit, të Llazar Mojsovit, të Kiroo Gligorovit, të Rankoviqit, të Petar Stamboliqit, të Drazha Markoviqit dhe të Slobodan Milosheviqit  (Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina).

Ja, kjo ishte përmbajtja e ”autonomisë më të avancuar botërore”, akorduar Kosovës si krahinë autonome e Serbisë, përkatësisht e Jugosllavisë  Pikërisht, për shkak të këtij preteksionizmi ekonomik, pabarazie (diskriminimi në gjuhë, në shkencë, në kuturë, në art…, mohimi i të drejtave individuale dhe kolektive të identitetit kombëtar si  shumicë dërrmuese /mbi 90%/, i treti për nga numri në Jugosllavi), si  dhe të aparteidit  politik, lligjor dhe kushtetues,  Mandela i Evropës, Babai i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës (1958-17 shkurt 2008) së bashku me qindra e mijëra bashkidealistë dhe bashkëveprimtarë militantë  në ilegalitet, të burgosur dhe, shumë prej tyre të vrarë nga UDB-ja dhe nga klysharia e saj kusilinge, që nga viti 1958, u ngrit në këmbë para gjithë botës, se popullit shqiptar jo vetëm në Kosovë, por edhe në trevat e tjera etnike shqiptare nën Jugosllavi po i mohohen të drejtat elementare dhe kolektive si komb, duke e diferencuar nga të drejtat dhe nga liritë e kombeve të tjera në Jugosllavi. Prandaj, i apelojmë udhëheqësit titistë jugosllavë, që edhe shqiptarëve si shumicë dërrmuese në Kosovë, t’ua NJOHIN TE DREJTEN E PLOTE  TE VETEVENDOSJES.

Prandaj, Demonsratat dhe protestat gjithëpopullore në Kosovë kanë qenë të domosdoshme dhe të drejta (1968, 1981…), sepse ato rizgjuan dhe sforcuan ndërgjegjen kombëtare e politike, si dhe kthyen dinjitetin, besimin, guximin, shpresën dhe marshimin heroik me UÇK-në e Adem Jasharit në krye drejt lirisë dhe pavarësimit të Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Prandaj, çdo përpjekje e titistëve të djeshëm dhe të sotshëm, në çfarëdo forme qoftë, që synon mohimin, keqinterpretimin dhe relativizimin e tyre (sipas shijes së tradhtisë ortodokse sllave, të marrë përsipër nga kuzhinat e nëndheshme të Beogradit dhe të Moskës, me shpërblim ose pa shpërblim) ka karakter armiqësor antishqiptar, anti-UÇK, antiliri dhe antipavarësi Kosovës (17 shkurt 2008). 

Ata që duan t’i anatemojnë dhe t’i zhvlerësojnë protestat dhe demonstratat studentore dhe gjithëpopullore të rezistencës, kinse “kanë qenë të panevojshme, provokuese dhe mashtruese, se gjoja nuk i kanë organizuar vetë shqiptarët, por UDBA dhe KGB-ja e agjenturat e tjera  ndërkombëtare, me qëllim të prishjes së “ autonomisë siprane titiste”, janë spiunët, tradhtarët dhe armiqtë më të rafinuar të Kosovës së pavarur dhe  të kombit shqiptar, sepse  qëllim të fundit kanë baltimin, mohimin dhe shpërfytyrimin e gjithë kontributit dhe të veprimtarisë ilegale të brezave shqiptarë si benda, ashtu edhe jashtë Kosovës në diasporë (1945-1990), që kanë flijuar jetët e tyre dhe familjet e tyre për çlirimin, për lirinë dhe për pavarësimin e Kosovës. 

Sa më sipër, ata që kanë “patentuar”  brenda nate “kombin kosovar”  PER TA ASGJESUAR kombin shqiptar, nuk kanë asnjë të drejtë të jenë “avokatë” të KOMBIT SHQIPTAR dhe të SHQIPERISE ETNIKE, sepse me vetëdëshirë e kanë braktisur KOMBIN SHQIPTAR Ndaj, ata mund të debatojnë vetëm për problemet dhe për të drejtat e “kombit kosovar”, duke mos u përzier në  çështje të brendshme e  as të jashtme të KOMBIT SHQIPTAR dhe  të Shqipërisë Etnike.

Sepse askush në botë nuk ka të drejtën t'i ketë "DY KOMBE", por vetëm NJE. Ndërkaq, dy  a më shumë shtete po. Kështu e thotë doktrina e shkencës mbi kombin dhe mbi shtetin.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat