Sulmi i pabesë i 22 qershorit 1941 i gjeti në befasi trupat sovjetike

Analiza

Sulmi i pabesë i 22 qershorit 1941 i gjeti në befasi trupat sovjetike

Nga: Albert Z. Zholi Më: 22 qershor 2023 Në ora: 17:27
Albert Z. Zholi

Pse Stalini injoroi 87 paralajmërime të besueshme të shërbimeve inteligjente gjatë viteve 1940-1941 për pushtimin gjerman të vendit?

- Suvorov argumenton se sulmi gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik, vetëm sa parandaloi një sulm të planifikuar sovjetik ndaj Rajhut gjerman.

-Dy letra sekrete që Hitleri i drejtonte Stalinit, ku thuhet se trupat gjermane po zhvendoseshin në lindje, për të fshehur përgatitjet për pushtimin e Ishujve Britanikë.

-82-vjetori i sulmit-

Pushtimi gjerman i Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941, ishte një nga ngjarjet kryesore të shekullit XX-të. Ai e transformoi Luftën e Dytë Botërore, dhe çoi ndoshta në mënyrë të pashmangshme në Luftën e Ftohtë dhe sundimin gjysmëshekullor të Evropës Lindore nga Bashkimi Sovjetik. Për më tepër, ishte një nga fushatat më brutale të epokës moderne, duke shkaktuar mizori të papërshkrueshme, dhe gati një asgjësim të plotë të kombeve të tëra. Nazistët mbajnë sigurisht përgjegjësinë kryesore për karakterin e asaj fushate ushtarake, por regjimi sovjetik duhet të mbajë përsipër disa nga gabimet fatale. Graviteti i madh i ngjarjes i kësaj ngjarje, ka zgjatur shumë, dhe kjo ka sjellë po aq shpjegime në nivelin strategjik, politik, ekonomik, madje edhe kulturor. Në thelbin e saj qëndron pyetja se përse ndodhi ai pushtim. Pse Hitleri sulmoi Bashkimin Sovjetik, duke hequr praktikisht dorë nga lufta e tij me Britaninë dhe Francën, pikërisht në momentin kur ai duhej të hipotekonte fitoren në Frontin Perëndimor?

Pse sulmi ishte befasues për Bashkimin Sovjetik?

Si ishte e mundur që Stalini, realisti politik i pamëshirshëm i Moskës, ia hodhi ideologu gjysmë i çmendur i Berlinit? Pse Stalini injoroi përgatitjet ushtarake gjermane në Evropën Lindore, dhe plot 87 paralajmërime të veçanta dhe të besueshme të shërbimeve inteligjente gjatë viteve 1940-1941 për pushtimin gjerman të vendit? Vendimi i Adolf Hitlerit, shpjegohet ndoshta më së miri duke iu referuar besimit të tij, se e gjithë historia është një luftë për jetë ose vdekje midis racave. Tek supozimi i tij mbi epërsinë e lindur të racave “nordike” (gjermane); dhe vendosmëria e tij për të krijuar një perandori të madhe nën dominimin autoritar gjerman në Evropën Qendrore dhe Lindore. Verbëria e Stalinit ndaj gjithë këtyre elementëve është më problematike. Synimet e politikës së jashtme të Hitlerit ishin të njohura. Dhe është e vështirë të kuptohet se si çdo udhëheqës kombëtar, mund të bënte kaq pak për të parashikuar sulmin, që të gjithë e dinin se nga mund të vinte. Mendimi i Stalinit mbi këtë çështje, ka qenë objekt i një debati të gjatë historik, që nuk ka gjetur zgjidhje. Kjo pasi problemi themelor nuk është ajo që bëri apo tha Stalini, por ajo që ai besoi. Libri i Dejvid Mërfit, është një nga ata që e nxit këtë debat. Ndërsa historianë të tjerë kanë analizuar veprimet e Stalinit, dhe kanë kërkuar arsyetimin pas tyre, Mërfi shqyrton raportimet e shërbimeve inteligjente, që mori në dorëzim Stalini, siç e sugjeron edhe titulli i librit të tij “Çfarë dinte Stalini”.

Dy letrat sekrete

Autori, një oficer në pension i CIA-s, e bazon librin në 3 koleksione dokumentesh sovjetike mbi politikën shtetërore në periudhën para pushtimit nazist, dhe aktivitetet e shërbimeve të sigurimit dhe inteligjencës. Ai riboton dy letra sekrete që Hitleri i drejtonte Stalinit, të gjetura në arkivat ruse, deri vonë të panjohura në Perëndim. Në këto letra, Fyhreri duket se kërkon të qetësojë diktatorin sovjetik në lidhje me përgatitjet e fshehta ushtarake të gjermanëve në Evropën Lindore. Hitleri i thotë Stalinit se trupat gjermane po zhvendoseshin në lindje, për t’i mbrojtur ato nga bombardimet e britanikëve, dhe për të fshehur përgatitjet për pushtimin e Ishujve Britanikë. Letra përfundon me një sigurinë “në nderin tim si kryetar i shtetit”, se Gjermania nuk do ta sulmonte Bashkimin Sovjetik. Disa mund ta vënë në dyshim vërtetësinë e këtyre letrave, por ato janë të vështira për t’u hedhur poshtë. Duke supozuar se janë origjinale, ato i shtohen atij që është ndoshta paradoksi më befasues i luftës sovjeto-gjermane: Stalini, njeriu që nuk i besonte askujt, i besoi Hitlerit. Rëndësia e kontributit të Mërfit në debatin historik në vazhdim, bëhet e qartë kur vendoset në kontekst. Këtu ka diçka më shumë sesa një diskutim mbi atë që bëri dhe mendoi Stalini. Në zemër të debatit është një artikull dhe një libër nga “Viktor Suvorov”, pseudonimi i një ish-oficer të ushtrisë sovjetike, që tani banon në Perëndim. Suvorov argumenton se sulmi gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik, vetëm sa parandaloi një sulm të planifikuar sovjetik ndaj Rajhut gjerman. Në mbështetje të kësaj teze, ai tregon dislokimin gradual të trupave sovjetike në kufi me territorin e pushtuar gjerman në vitin 1941, dhe doktrinën strategjike të Ushtrisë së Kuqe. Në Gjermani, hipoteza e një sulmi të planifikuar të Stalinit, është parë nga disa elementë të ekstremit të djathtë si një vërtetim i vendimit të drejtë të Hitlerit për të sulmuar në lindje. Një luftë parandaluese është logjike dhe e justifikuar, përndryshe do ishte një gabim i pashpjegueshëm strategjik. Dhe dislokimi në kufi i trupave sovjetike nga Stalini, nuk kishte kuptim nga një këndvështrim thjesht mbrojtës. Pasojat u shfaqën që orët e para të mëngjesit të 22 qershorit 1941, kur njësitë gjermane çanë linjat sovjetike dhe rrethuan qindra mijëra trupa, ndërsa Luftëaffe shkatërroi forcat ajrore sovjetike, që ndodheshin ende në aerodrome. Nga ana tjetër, pak historianë do të ishin të gatshëm të mbështesnin tezën se ushtria sovjetike, e keq-pajisur, dhe e dekurajuar nga spastrimet staliniste, ishte realisht e përgatitur për një sulm të madh strategjik kundër Rajhut të Tretë. Historiani Gabriel Gorodecki, e ka avancuar më tej interpretimin rus të “Planit të Mbrojtjes së Kufijve Shtetërorë të vitit 1941”, duke theksuar se ai i vendosi trupat sovjetike në kufij, më shumë si një “demonstrim force” sesa si një përpjekje për të “garantuar sigurinë”.Stalini e vlerësoi periudhën e paqes së detyruar pas paktit të Hitler-Stalin, si një mundësi për të ndërtuar dhe riorganizuar ushtrinë sovjetike, ndërsa Gjermania ishte e zënë me luftën e saj në Frontin Perëndimor. Zonat e pushtuara të Finlandës, shtetet baltike, Polonia dhe Bjellorusia, dhe jo më pak trupat sovjetike të vendosura në kufi, u panë si një pengesë pas së cilës mund të realizohej kjo përgatitje ushtarake.

Argumenti i Gorodeckit kombinon bukur me historinë e rrëfyer nga Dejvid Mërfi. Ky i fundit dokumenton ardhjen e informacioneve nga e gjithë Evropa dhe madje edhe nga Japonia, që paralajmëronin përgatitjen e Gjermanisë për pushtimin e Bashkimit Sovjetik. Përderisa kjo inteligjencë nuk u përdor fare, ajo duhej të shmangte çdo veprim, që mund të shihet si një provokim. Avionët gjermanë u lejuan të realizonin të pashqetësuar misione zbulimi në thellësi të territorit sovjetik. Trupat gjermane u lejuan të shkelnin kufijtë sovjetikë në kërkim të të dhënave të klasifikuara. E gjithë kjo sjellje, synonte të dëshmonte se Bashkimi Sovjetik nuk ishte gati të sulmonte. Për më tepër, Stalini ishte plotësisht i bindur se Hitleri nuk do të përpiqej të ndërmerrte asnjë veprim kundër vendit të tij, derisa të zgjidhte konfliktin e tij me Britaninë e Madhe. Ai u inkurajua në këtë pikëpamje edhe nga një operacion mashtrimi i mirë-orkestruar nga ana e gjermanëve – përfshirë 2 letrat drejtuar Stalinit – që të paktën pjesërisht ishin diktuar personalisht nga Hitleri. Prandaj Stalini e shpërfilli grumbullimin e madh të ushtrisë gjermane në kufijtë e Bashkimit Sovjetik, dhe hodhi poshtë si dezinformim ose provokim çdo paralajmërim mbi një sulm gjerman, deri në mëngjesin e 22 qershorit. Në përshkrimin e mënyrës se si u mblodhën informacionet inteligjence dhe u raportuan në Moskë, Mërfi tregon se çfarë do të thoshte të ishte një oficer zbulimi nën sundimin e Stalinit, duke gjurmuar karrierën e tre burrave. Shefi i inteligjencës së huaj në NKVD, Pavel Fitin, agjentët e të cilit raportuan mbi planet gjermane për Operacionin “Barbarossa”, shërbeu gjatë gjithë luftës, por më pas u dënua. Ivan Proskurov, oficer i forcave ajrore dhe kreu i inteligjencës ushtarake gjatë viteve 1939-1940, këmbënguli t’i thoshte Stalinit të vërtetën. Ai u pushkatua në tetorin e vitit 1941. Ndërkohë pasardhësi i Proskurov, Filip Golikov, censuroi ose ndryshoi raportet e inteligjencës që nuk përputheshin me mendimet dhe parashikimet e diktatorit sovjetik. Ai bëri goxha karrierë në kohën e Stalinit.

Analiza e Mërfit

Nëse dikush mund të kritikojë Mërfin mbi analizën e tij, mund ta akuzojë atë për cilësimin pa kriter të gjithë informacioneve të dhëna për Stalinin, si një paralajmërim për sulmin gjerman. Vlerësimi i inteligjencës, është aq i saktë sa mund të duket në pamje të parë, dhe ndonëse kishte një dokumentacion të bollshëm mbi qëllimet e gjermanëve, jo gjithçka që mund të duket se të çon në drejtimin që më pas morën gjërat. Lëvizjet e trupave gjermane në korrikun e vitit 1940, nuk ishin të lidhura domosdoshmërisht me një sulm gjerman. Dhe as vizita e Hitlerit në Gotenhafen (Gdinia në Poloni) dhe Prusinë Lindore në majin e vitit 1941, gjatë së cilës kohë ai vizitoi luftanijen “Bismarck” dhe “Tirpitz”. Kishte një ndërlikim të konsiderueshëm të lëvizjeve të trupave gjermane në Evropën Lindore. Disa paralajmërime, si ai i dërguar nga ambasadori gjerman në Moskë, Graf von der Shulenberg, nuk ishin asgjë e çuditshme. Dhe Stalini nuk kishte asnjë arsye të veçantë për t’i besuar as Çërçillit, dhe as Ruzveltit, kur ata u përpoqën ta paralajmërojnë për atë që do të ndodhte. Ky lloj raportimi vetëm sa ushqente mendjen konspirative të Stalinit: Në fillim ai ishte i bindur se ekzistonte një komplot për ta gënjyer atë mbi synimet e gjermanëve. Por nuk mund të ketë dyshime që Mërfi është i saktë si në detaje ashtu edhe në përmbajtjen e argumentit të tij: Stalini u shërbye mirë me informata nga departamentet e tij të inteligjencës. Përgjegjësia për injorimin e tyre ishte vetëm e tija. Së fundmi, vlen të përmendet se pati edhe një dështim tjetër të gjykimit të Operacionit “Barbarossa”, atë nga vetë Adolf Hitleri. Ashtu si Stalini, edhe udhëheqësi nazist ishte një viktimë e paragjykimeve të tij. Por në dallim nga Stalini, ai u mashtrua nga shërbimet e tij të inteligjencës.

Opearcioni “Barbarosa”

Të dielën, më 22 qershor 1941, erdhi çasti: Në orën 3:15 Vermahti sulmoi Bashkimin Sovjetik. Pa e marrë parasysh Paktin Hitler-Stalin për mossulmim. Mbi tre milionë e gjysmë gjermanë dhe ushtarë aleatë të mbështetur nga artileria, aviacioni ushtarak dhe tanket, godasin – shpejt, në masë dhe pamëshirë. Aviacioni ushtarak bombardon avionët sovjetikë kur këta ishin në tokë. Linja e frontit shtrihet mes Detit Baltik dhe Detit të Zi në një gjatësi prej më shumë se 1600 km. Ky është fronti më i gjatë në histori. Sulmi i gjen të papërgatitur ushtarët e Ushtrisë së Kuqe. Ata dolën me pizhama jashtë kazermave dhe nisën të qëllojnë, por u kapën krejt në befasi"…

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat